Zaev: Thashë se do të qëndroj për të ruajtur shumicën, pres që e njëjta të stabilizohet

Komiteti Ekzekutiv dhe ai Qendror i LSDM-së mbrëmë njëzëri vendosën që kryeministri dhe lideri i partisë, Zoran Zaev të shtyjë për një kohë dorëheqjet deri në normalizimin e proceseve në vend, tha kryetari i Komitetit Qendror të LSDM-së, Pero Kostadinov, pas seancave të mbrëmshme të të dy organeve partiake, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, nga ana tjetër në një deklaratë për mediat tha se pret që shumica parlamentare të stabilizohet.

Gjatë lëshimit të selisë së LSDM-së, pritej nga disa ekipe televizive. Ndonëse nuk deshi të japë deklaratë, gazetarët insistuan, prandaj ai iu përgjigjur disa pyetjeve.

A tha se edhe kur njoftoi dorëheqjen në ditën e zgjedhjeve, ka thënë se do të qëndrojë edhe në periudhën e ardhshme për të ndihmuar në ruajtjen e shumicës parlamentare.

“Sinqerisht pres që shumica demokratike parlamentare të stabilizohet, mbi të gjitha të jetë e orientuar drejt rrugës euroatlantike, shoqërisë tonë multietnike, ruajtjes së marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe asaj që është e orientuar drejt reformave pozitive në vend. Prandaj janë këto përpjekje. Edhe njëherë theksoj, në mbrëmjen e datës 31, kur njoftova dorëheqjet nga të dyjafunksionet, thashë se mbetem në periudhën e ardhëshme që t’i përkushtohem për të ndihmuar ruajtjen e shumicës parlamentare”, tha Zaev.

Praprakisht, kryetari i komitetit qendror të partisë, Pero Kostadinov, në një konferencë për media tha se organet më të larta partiake kanë marrë vendim unanim që Zaevi ta shtyjë dorëheqjen deri në normalizimin e situatës.

“Komiteti Qendror, duke pasur parasysh zhvillimet në vend dhe momentin në të cilin ndodhet Maqedonia e Veriut në këtë periudhë, e cila është shumë e rëndësishme për proceset që do të pasojnë, njëzëri vendosi që kryetari dhe kryeministri ta shtyjë këtë dorëheqjen për një kohë, derisa këto procese nuk po normalizohen”, deklaroi Kostadinov.

Sipas tij, vendimi i përgjithshëm që është marrë është se momenti para të cilit po përballet Maqedonia e Veriut është shumë i rëndësishëm dhe të gjithë duhet të jemi në nivelin e detyrës, pasi çmimi është i lartë.

A do të ndikojë në këtë vendim ajo që do të ndodhë të enjten në Kuvend, Kostadinov tha se do të ketë seanca të tjera në LSDM, se shumë gjëra mund të ndikojnë, por do të veprohet sipas vendimit që është sjellë.

Lidhur me qëndrimin e komitetit qendror për shumicën e re parlamentare, Kostadinov vetëm tha se për momentin ka zhvillime të ndryshme në skenën politike maqedonase dhe më e rëndësishmja është që shumica parlamentare të vazhdojë në rrugën që është më e rëndësishme për vendin.

Mbledhja e komiteteve të LSDM-së erdhi pas situatës së vështirë politike në të cilën ndodhet vendi. Pas raundit të parë të zgjedhjeve, e veçanërisht pas njoftimit të dorëheqjes nga të dy funksionet të Zoran Zaevit, partitë opozitare maqedonase dhe shqiptare njoftuan për shumicë të re parlamentare dhe rrëzimin e qeverisë. Deri tani nuk dihet akoma se çfarë do të ndodhë. Seanca për mocionin e mosbesimit është caktuar për nesër (e enjte) dhe deri në atë moment nuk dihet nëse do të votohet, pasi disa deputetë edhe pasi nënshkruan për rrëzimin e qeverisë kanë filluar të distancohen nga i njëjti.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i LSDM-së, të dielën më 31 tetor, pas disfatës së partisë së tij në zgjedhjet lokale dha dorëheqje nga të dy funksionet.

“Marr përgjegjësinë për rezultatet e këqija të këtyre zgjedhjeve”, theksoi Zaev, duke uruar oponentët politikë për fitorennë zgjedhje.

Në funksionin e kryeministrit, Zaev është që prej 31 majit 2017 dhe fitoi mandatin e dytë si Kryeministër në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar. Zaev është kryetar i LSDM-së që nga viti 2013. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së ka marrë mbështetjen e 62 deputetëve në këtë përbërje parlamentare. Në shumicën parlamentare, si pjesë e koalicionit me të cilin LSDM kandidoi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, marrin pjesë Besa, NSDP, DOM, LDP, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button