Osmani: Në takimet e tij me Zaevin dhe Mickoskin, Ahmeti përsëriti qëndrimin se vendit i nevojitet stabilitet

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmë ka zhvilluar dy takime të ndara me liderët e LSDM- së dhe VMRO- DPMN-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski. Takimet janë zhvilluara prapa dyerve të mbyllura dhe nuk ka pasur deklarata për media. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani deklaroi sot për Portalb.mk se, në këto takime është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

“Kanë biseduar për zhvillimet e fundit, kryetari Ahmeti ka ripërsëritur qëndrimin se vendi ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri tani kur po i afrohemi dhjetorit si një dritare serioze e mundësisë për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe fillimin e bisedimeve. Tash gjithë duhet ta vëmë interesin e shtetit dhe qytetarëve para interesave partiake dhe personale”, tha Osmani.

Ndërkohë, nga VMRO – DPMNE dje reaguan se informatat që dolën nga BDI rreth asaj se për çfarë është biseduar në takimin e Ali Ahmetit dhe Hristijan Mickoskit nuk janë të sakta dhe se liderët kanë biseduar vetëm rreth çështjes së votimit të besimit të Qeverisë.

“Takimi është mbajtur me kërkesë të Ahmetit dhe ka zgjatur rreth gjysmë ore. Temë e bisedimet ka qenë çështja e votimit të besimit të Qeverisë LSDM-BDI, për çka në Kuvend janë dorëzuar 61 nënshkrime”, thanë nga VMRO – DPMNE.

Opozita maqedonase dje në Kuvend dorëzoi iniciativë për votëbesim të Qeverisë, pasi kryeministri Zoran Zaev nuk zyrtarizoi dorëheqjen e paralajmëruar brenda ultimatumit të VMRO – DPMNE-së. Në listën për iniciativën për rrëzim të Qeverisë, janë nënshkruar deputetët e VMRO –  DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe “E majta”. Seanca për votëbesimin do të mbahet të enjten.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button