Nuk është e vërtetë se vaksina kundër Kovid-19 është krijuar para fillimit të pandemisë

Postimi në mënyrë të pabazuar shpërndan dezinformata se vaksina kundër Kovid-19 është bërë përpara se të shpërthejë pandemia e koronavirusit. Kjo nuk është e vërtetë dhe këtë e vërtetojnë faktet. Virusi Kovid-19 u identifikua nga autoritetet kineze më 7 janar të vitit 2020, pas çka u izolua materiali gjenetik i tij ARN. Më 17 mars të vitit 2020, Pfizer dhe Biontech u bashkuan për herë të parë për të krijuar vaksinën kundër Kovid-19. Në uebfaqen zyrtare të Pfizer ka një sërë njoftimesh me data nga të cilat mund të shihni se kur ka filluar dhe si ka ecur ky bashkëpunim, i cili ka rezultuar me krijimin e një vaksine kundër Kovidit. Në datën 5 maj të vitit 2020, si pjesë e testimeve klinike, në Shtetet e Bashkuara pjesëmarrësve në studimin klinik iu dhanë vaksinat e para dhe më 1 korrik të vitit 2020 u regjistruan rezultatet e para pozitive nga këto testime, shkruan Vërtetmatës.

Një postim në Facebook e manipulon publikun se vaksina kundër Kovid-19 është krijuar para paraqitjes së virusit.

E keni të qartë se vaksina u krijua përpara se virusi të bëhej i njohur për publikun. Kjo e shpjegon shpejtësinë me të cilën na erdhi “ilaçi”. Arsyeja përse nuk u bë publike më herët ishte kompleksiteti i kontratave dhe garancitë që u duheshin kompanive farmaceutike për të hequr dorë nga përgjegjësia e tyre, thuhet në postim.

Ky pretendim nuk është i saktë.

Virusi u identifikua nga autoritetet kineze në 7 janar të vitit 2020, pas çka u izolua edhe materiali i tij gjenetik ARN. Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se virusi është izoluar në datën 7 janar në këtë njoftim.

Ky izolim përmban udhëzime për krijimin e proteinave virale që përbëjnë bazën e vaksinave Pfizer dhe Moderna.

Në 17 mars të vitit 2020 Pfizer dhe Biontech për herë të parë bashkohen që të krijojnë  vaksinën kundër Kovid-19.

Bashkëpunimi midis dy kompanive synon të përshpejtojë zhvillimin e programit vaksinal mARN të klasit të parë të Biontech, të quajtur BNT162, i cili pritet të fillojë me testime klinike deri në fund të prillit të vitit 2020. Ky bashkëpunim i shpejtë midis Pfizer dhe Biontech bazohet në bashkëpunimin që kishim krijuar që në vitin 2018 për të zhvilluar një vaksinë mARN kundër gripit, kumtuan nga Pfizer në 17 mars të vitit 2020.

Pra, dy kompanitë, Pfizer dhe Biontech, kanë bashkëpunuar që nga viti 2018 në përpjekje për të krijuar një vaksinë mARN kundër gripit, por pas përhapjes së pandemisë me Kovid-19 në mbarë botën në fillim të vitit 2020, të gjitha burimet që deri atëherë i kanë pasur në funksion të vaksinës mARN kundër gripit, vendosën që t’i vënë në funksion të krijimit të një vaksine kundër Kovidit.

Ne jemi krenarë për bashkëpunimin tonë të suksesshëm që u mundëson kompanive tona të jenë në gjendje të mobilizojnë burimet kolektive me shpejtësi të jashtëzakonshme në përballje me sfidën globale, tha Mikael Dolsten nga Pfizer. (mars 2020)

Kjo është një pandemi globale që kërkon përpjekje globale. “Duke bërë partneritet me partnerin tonë Pfizer, ne besojmë se mund të përshpejtojmë përpjekjet tona për të vënë në dispozicion vaksinën kundër Kovid-19 për njerëzit në mbarë botën që kanë nevojë për të”,  theksoi tha Ugur Sahin, pronar i Biontech. (mars 2020)

Të dy deklaratat janë publikuar në uebfaqen zyrtare të Pfizer, ka një sërë njoftimesh me data nga të cilat mund të shihni se kur ka filluar dhe si ka ecur ky bashkëpunim, i cili ka rezultuar me krijimin e një vaksine kundër Kovidit.

Në 9 prill të vitit 2020 kompanitë informojnë për avancimin e bërë.

Më 22 prill të vitit 2020, Pfizer dhe Biontech, përsëri zyrtarisht përmes një kumtese, të postuar në faqen e tyre zyrtare, njoftuan se kishin marrë leje rregullatore nga autoritetet gjermane për të filluar testimet klinike të katër kandidatëve për vaksinë kundër Kovid-19.

Më 29 prill të vitit 2020, Pfizer dhe Biontech  informojnë  se kanë përcaktuar se sa duhet të jetë doza e vaksinës.

Më 5 maj të vitit 2020, si pjesë e testimeve klinike, vaksinat e para në Shtetet e Bashkuara iu dhanë pjesëmarrësve në studimin klinik.

Në 1 qershor u regjistruan rezultatet e para pozitive nga dhënia e tillë e vaksinave.

Pas kësaj pasuan rezultate pozitive nga vaksina në Gjermani në të tre fazat, marrja e miratimit nga Agjencia Amerikane e Barnave dhe Bashkimi Evropian, ndërsa pjesa tjetër me këtë vaksinë është histori, ajo tashmë është shpërndarë në mbarë botën që me të të vaksinohet popullata. Pfizer dhe Biontech tani po shqyrtojnë se si vaksina e tyre do të  reflektojë në mutacionet e Kovid-19.

Kjo është një histori e shkurtër e zhvillimit të vaksinës kundër Kovid-19 e Pfizer dhe Biontech dhe nga kronologjia e saj është e qartë se zhvillimi i saj ka filluar në mars të vitit 2020, jo para fillimit të pandemisë siç pretendohet në mënyrë të rreme në postimin që po e recenzojmë.

Vaksinat kundër Kovid-19 u zhvilluan shpejt për dallim nga vaksinat e mëparshme sepse shkencëtarë, mjekë dhe agjenci qeveritare nga e gjithë bota investuan burime të stërmëdha për ta zvogëluar byrokracinë dhe që t’i shpallin  rezultatet sapo i kishin në dispozicion.

Pyetjes se si ishte e mundur që vaksina të zhvillohej kaq shpejt, i janë përgjigjur dhjetëra njerëz të ditur që merren me këtë çështje. Për shembull, dy profesorë me emër nga Oxfordi për BBC-në shpjeguan se vendimtar kanë qenë disa faktorë. I pari është se ata paraprakisht kanë zhvilluar një vaksinë nga adenovirusi të quajtur Chimpanzee adenovirus Oxford1 (ChAdOx1) në periudhën nga viti 2014-2016 për të testuar veprimin e saj kundër të gjitha viruseve të mundshme infektive dhe të rrezikshme dhe e testuan atë në 330 njerëz për të parë efektet e ndryshme në sëmundjet që nga gripi e deri te virusi Zika, ose nga kanceri i prostatës deri te sëmundja tropikale Chikunginia. Faktori i dytë, thonë ekspertët për BBC-në, është se Kovid-19 është një sëmundje që buron nga viruse relativisht të njohura që transmetohen nga kafshët te njerëzit dhe kishte shumë njohuri rreth viruseve që u shfaqën dhe shkaktuan sëmundjet SARS (2002) dhe MERS (2012).

Pikërisht kundër MERS-it, që tashmë 7-8 vite është prezent në Lindjen e Mesme, të njëjtët shkencëtarë zhvilluan një vaksinë testimet për të cilën filluan në vitin 2018.  Në 11 janar të vitit 2020, kur shkencëtarët kinezë publikuan kodin e plotë gjenetik të koronavirusit që shkakton Kovid-19, ata thjesht filluan të punojnë për ndryshimin e një vaksine tashmë ekzistuese për ta përshtatur atë me sëmundjen e re.

Ekspertët gjithashtu shpjegojnë se një rol të madh në shpejtësinë e krijimit ka luajtur edhe fakti që virusi korona shkakton një infeksion kohëshkurtër të cilin organizmi i njeriut mund ta përballojë, për dallim nga infeksioni me HIV që është më afatgjatë dhe kronik e të cilin organizmi i njeriut  nuk e mund dot.

Në një tekst të publikuar në „Medical News Today“ sqarohen edhe aspektet financiare të qeverive, por edhe të Komisionit Evropian për zhvillimin e vaksinave, por edhe se si është arritur që për një afat kohor aq të shkurtër të prodhohen vaksina efikase në dy mënyra, vaksina të prodhuara me bazë adenovirusin ose vaksina me teknologji të ashtuquajtur mARN të Pfizer dhe Moderna.

Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se postimi të cilin po e recenzojmë në mënyrë të pabazuar shpërndan dezinformata se vaksina kundër Kovid-19 është bërë përpara se të shpërthejë pandemia e koronavirusit. Kjo nuk është e vërtetë dhe këtë e vërtetojnë faktet.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button