Obama kritikoi Kinën dhe Rusinë për mosveprim ndaj ndryshimeve klimatike

Ish presidenti Barack Obama shprehi besimin se administrata Biden do ta miratojë përfundimisht paketën prej 555 miliardë dollarësh për klimën përmes Kongresit dhe tha se projektligji do të jetë “historik”, shkruan VOA, transmeton Portalb.mk.

Në samitin e OKB-së për klimën të hënën, ai gjithashtu fajësoi rivalët amerikanë Kinën dhe Rusinë për atë që ai e quajti një “mungesë të rrezikshme urgjence” në uljen e emetimeve të gazrave që shkatërrojnë klimën.

Ish-presidenti amerikan po merr pjesë në samit për t’i nxitur vendet që të veprojnë më shpejt dhe më fuqishëm në uljen e emetimeve dhe përballimin e dëmeve në rritje nga ndryshimet klimatike.

Obama tha se “të gjithë duhet të bëjmë sakrifica” për klimën. Por ai shtoi se vendet e pasura kanë një barrë shtesë. Ai gjithashtu inkurajoi demokratët dhe republikanët të punojnë së bashku për çështjet klimatike, sepse siç u shpreh ai natyra nuk bën dallime sipas përkatësive partiake.

Komentet e tij vijnë ndërsa udhëheqësit e konferencës pranuan të hënën se pas një jave bisedimesh mbeten ende shumë pengesa. Një hendek besimi mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra për çështjet e ndryshimeve klimatike u shfaq kur negociatat kaluan në formulimin e pikave që kishte mbetur për t’u bërë. Vendet në zhvillim përdorën fjalën “zhgënjyese” disa herë kur udhëheqësit folën të hënën për përparimin e deritanishëm.

Konferenca e OKB-së për klimën në Glasgou të Skocisë, është e para për ish-presidentin amerikan që kur ai ndihmoi në arritjen e marrëveshjes klimatike të Parisit të vitit 2015, kur vendet u angazhuan për të shkurtuar emetimet e karburanteve fosile dhe bujqësore me synimin për të mbajtur ngrohjen e Tokës nën nivelet katastrofike prej 1.5 gradë Celsius.

Donald Trump i tërhoqi SHBA-të nga marrëveshja e Parisit. Presidenti Joe Biden e ktheu Amerikën përsëri në marrëveshjen e klimës sapo mori detyrën, por lëvizja e Trumpit i frenoi përpjekjet e SHBA-ve për vite me radhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button