Kasami e ka radhën: Ndotja dhe korona janë kombinim vdekjeprurës, Tetovarët i pret dimër i vështirë

Tetova këto ditë është në krye sa i përket ndotjes së ajrit. Përqendrimet e PM 10 grimcave janë disa herë më të larta se sa lejohet. Muajin e kaluar Tetova, sërish, u gjend në krye të faqes Numbeo, si qyteti më i ndotur në botë, shkruan MMS, transmeton Portalb.mk.

Dihen problemet dhe burimet për të cilat Tetova është në vendin famëkeq prej vitesh, por autoritetet lokale dhe qendrore nuk marrin asnjë masë konkrete. Nuk ka standarde për ndërtime, për gjelbërimin që ofrohet, investitorët as që e mendojnë, hapësirat publike nuk lahen, ndaj e gjithë kjo sjell që të kemi qytetin më të ndotur, thonë organizatat mjedisore.

“Me fillimin e sezonit të ngrohjes për shkak të presionit atmosferik dhe lagështisë, PM10 grimcat fillojnë të shtohen. Ne prej vitesh bëjmë presion. Një nga problemet më të mëdha është mënyra e ngrohjes, qeveria në periudhën e kaluar ka gjetur një mënyrë për të ulur ngrohjen me dru përmes subvencioneve për inverterë, por tani e shihni që me krizën e re energjetike kjo do të jetë problem shtesë. Ne vite me radhë kemi luftuar për të përshpejtuar procesin e gazifikimit, qeveritë shkojnë e vijnë, të gjithë premtojnë se do të bëhet dhe sërish asgjë. Për vendet e varfra si Maqedonia, ngrohja është luks, ndaj duhet të përshpejtohet procesi i gazifikimit apo disa burimeve të tjera alternative të energjisë”, tha Ngadhnjim Memeti nga Eko Guerila.

Fëmijët vuajnë më së shumti nga ajri i ndotur, sepse PM 10 grimcat qëndrojnë në ajër pikërisht në lartësinë e tyre. Veç kësaj, sipas Dr. Ratko Davidovski, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore, ndotja e ajrit në kombinim me virusin korona për të cilin pritet valë e re dhe lloj i ri në periudhën në vijim do të jetë një goditje e rëndë për tetovarët, nëse dihet se çfarë ajri ka qyteti nën Sharr.

“Tani po kryhen hetimet e fundit për vdekshmërinë e shkaktuar nga ndotja e ajrit dhe pesë studimet e mëparshme kanë treguar se Tetova është në krye me numrin e vdekjeve. Rekomandimet mbeten të njëjta. Kombinimi i kovidit dhe ndotjes së ajrit ka efekt shumë të keq, grimcat PM10 do të kontribuojnë në një farë mënyre për bartësin e virusit thellë në traktin e frymëmarrjes së njerëzve”, tha doktor Davidovski, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore.

Nga sa shihet në terren, autoritetet e deritanishme nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për uljen e ndotjes së ajrit, përkundrazi me politikat e tyre të gabuara si dhënia e lejeve të ndërtimit, por edhe qëndrimi indiferent ndaj uzurpatorëve, ndërtimeve pa leje, ndotjes së mjedisit, bënë që Tetova. qyteti më i ndotur në botë.

Pushteti aktual vendor i drejtuar nga kryetari i ri i komunës Bilall Kasami në programin e vet për qytet më të pastër premton të nxisë prodhimin me burime të rinovueshme të energjisë, impiant për riciklim të mbetjeve, më shumë sipërfaqe të gjelbra, transport ekologjik. Koha do të tregojë se sa këto premtime do të realizohen në praktikë, apo sa projektet sikurse deri tani do të mbeten vetëm në letër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button