SHTATË MËKATET SOCIALE (II)

Njeriu për nga natyra është edhe qenie ekonomike (homo economicus),  pra, shet dhe blen, ose e kundërta. Dhe në këto relacione shpesh mëkatohet, bëhen veprime të papëlqyeshme, që s’janë njerëzore. Tregtia pa moral miraton aktet e mashtrimit, gënjeshtrës, vjedhjes dhe shitjes së produkteve të dëmshme klientëve qofshin ata vendorë apo globalë. Shumë korporata për hir të fitimit sakrifikojnë vlerat, detyrimet që i kanë ndaj njeriut kushdoqoftë ai. Para do kohe një person nxorri në rrjetet sociale analizën e ujërave nga shishet e plastmasës, nga brendet rajonale e vendore më pak prestigjioze deri te ato më të shtrenjtat, ku qartë vëreheshin elementet e ndotjes, gota që merrte ngjyrë të kaftë e të zezë. Të mos bisedojmë për prodhimet kancerogjene të një pjese të lojërave për fëmijë, për çmimet me .99, si 29.99 euro, për asterikset nëpër bilborde përmes të cilave bëhet mashtrimi i konsumatorit. Të premten e kaluar blemë një TV në “Setec” dhe kur erdhi montuesi konstatuam se më kishin shitur televizor të ekspozuar, jo 100% të ri (pulti pa qeskë dhe bateritë i kishte brenda). Pra sot morali tregtar shkilet nga shitësi i lakrave që ju thotë se janë të Tetovës a në fakt janë të Shkupit, deri te “shitoret e parave” – tani në modë – që shkatërrojnë buxhete familjare, deri te kompanitë e mëdha ushqimore që shesin produkte gjenetikisht të modifikuara, autovetura ndotëse si “Rasti VW” (“Dieselgate” ose “Emissionsgate”) i vitit 2015 në SHBA, teknologji informative që cenojnë pjesën diskrete të jetës sonë e kështu me radhë. Përkujtoni edhe një fotografi nga rrjetet sociale të një fëmije të varfër, me rrobat copë e grimë të Lindjes së Mesme që ec mbi një gyp madhështor të naftës.

Adhurimi për dukje. Spiritualiteti pa esencë, pa thelb, pa sinqeritet. Devotshmëria sipërfaqësore, për sytë e popullit, jo e orientuar drejt qiellit, Zotit. Sot shumë njerëz mashtrojnë me fe. Ata përfaqësojnë fasadën e fesë. Fetarinë  e tyre e kanë pretekst për të fituar famë, nam, për të bërë para. Lutjet nuk duhet të jenë punë rutine. Ato duhet të prodhojnë ndryshime pozitive rrënjësore te njeriu, duhet sjellin cilësi jetese jo në kuptimin material por në atë të shembullsisë, të reflektimit të mirësive shoqërore. Nga përditshmëria mund të vërejmë mospërputhje mes fjalëve, kursit adhurimor dhe praktikës së një dyzine besimtarësh. Kjo është gjendje e shumëfaqësisë ose hipokrizisë. Devocioni fetar që nuk gjeneron shpirtmirësi dhe veprime sociale të pranuara nga ndërgjegjja komunitare është një floskulë që humbet shpejt. Ka pra disa njerëz që cilësi kryesore kanë shtirjen, veprimin për t’i kënaqur të tjerët që nuk e ka burimin te sinqeriteti dhe zemra. Adhuruesit e syefaqësisë mëkatojnë edhe ndaj Perëndisë edhe ndaj njeriut. S’ka gjë prej tyre. Tek ta gjithçka është artficiale dhe afatshkurtër. Mundohen t’i mashtrojnë njerëzit, e në fakt mashtrojnë vetëveten. Dështakë të përjetshëm. Si të shpjegohet qasja klerike orthodokse ndaj gjenocidit të Srebrenicës,  e atyre budistë ndaj djegies për së gjalli të njerëzve në Myanmar, arsyetimi i regjimit sirian nga hoxhallarë të caktuar? Po dhënia e certifikatës “Hallall” nga institucionet fetare vetëm për një drekë apo shërbim të vogël edhe kompanive që s’i plotësojnë kushtet elementare për të fituar një epitet të tillë?

Dhe, politika pa parime. Politika pa moral. Sipas Gandhit politika duhet të ketë parasysh “Dharma Praja”-n (zërin e popullit). Sipas Grover-it pushteti “pa etikë shtrembëron realitetin, promovon kulturën e dyshimit dhe paragjykimeve, mohon vlerat negative të shoqërisë dhe çnatyron sjelljen e njerëzve, të komuniteteve dhe shoqërisë.” Sot politika e ka humbur kredibilitetin totalisht, gjithandej. Sipas një hulumtimi të MCMS (Qendra Maqedonase për Bаshkëpunim Ndërkombëtar) të vitit 2007 qytetarët e Maqedonisë së Veriut atë vit më së paku i kanë besuar partive politike (vetëm 23%-shi), shifër kjo që sipas një sondazhi tjetër (MCMS dhe TV Tellma) ka shënuar rënie në vitin 2020: vetëm 18.6 dhe 18.1 % të qytetarëve ishin shprehur të gatshëm të votojnë dy partitë më të mëdha në RMV (LSDM dhe VMRO-DPMNE). Magazina amerikane “Reader’s Digest” në bazë të një hulumtimi të realizuar me 5000 përgjigjës nga vendet më të zhvilluara të botës ka konstatuar se SHBA, Angli dhe Gjermani më së paku iu besohet shitësve të veturave (16%-shi) dhe politikanëve (vetëm 6%). Sipas anketës të këtij viti të Jourlab (Laboratorit për Gazetari) nga Fakulteti i Shkencave Politike (Zagreb), 71.8% e qytetarëve kroatë nuk u besojnë ministrave, kurse 74.8% politikanëve. Indeksi Global i Besimit të IPSOS-it tregon se vetëm 10% të njerëzve anekënd botës ju besojnë politikanëve.

“Historia evropiane e shekullit të kaluar është plot me shembuj filozofësh, shkrimtarësh dhe juristësh, të cilët, pavarësisht nëse kanë jetuar në shoqëri demokratike, komuniste apo fashiste, kanë mbështetur dhe mbrojtur parimet totalitare dhe regjimet e tmerrshme. Por si munden intelektualët, të cilët duhet të jenë vigjilentë ndaj të këqijave të tiranisë, të tradhtojnë idealet e lirisë dhe të hetimit të pavarur? Si mund të marrin pozicione që, në mënyrë implicite ose jo, mbështesin shtypjen dhe vuajtjet njerëzore në një shkallë të gjerë?” Ky është synopsisi veprës së Mark Lilla-s (1956-), The Reckless Mind: Intellectuals in Politics (Mendje të pamatura: Intelektualët në politikë, 2001), ku përmend “ikona” si Martin Heideggeri, Karl Schmitt, Valter Benjamin, Alexander Kojeve, Michele Foucault, të cilët i cilëson si intelektualë tiranofilë apo dashurues të tiranisë (philotyrannical intellectuals), që kanë mbështetur barbarinë e ethshme (hectic barbarity) të shekullit XX. (The New York Times)  Në këtë drejtim mund të përmendet edhe Huntigntoni me tezën e tij për përplasjen e qytetërimeve dhe shumë të tjerë të përflakur nga ideologjitë e reja globale të kohës sonë. Sot kemi njerëz që harxhojnë miliona për të krijuar imazh, për të marrë një pozitë që do t’ju sjellë dobi për veten e tyre. Kemi politikanë që debatet dhe polemikat mes vete i kanë për t’u gërditur, pa kurrfarë xhentiliteti dhe përgjegjësie publike. Një titull të huazuar nga Gandhi ka përdorur edhe Joseph Campbell në veprën e tij Politics Without Principle: Sovereignity, Ethics, and Narratives of the Gulf War (Politika pa parime: Sovraniteti, etika dhe rrëfimet e Luftës së Gjirit, 1993). Sipas Gandhi-t “ekonomia bashkë me politikën, moralitetin dhe religjionin përbëjnë një tërësi të pandashme.” (Weberit, 2011) Në kohën në të cilën jetojmë mëkatet sociale të elaboruara më sipër janë po aq aktuale sa në epokën e juristit, të antikoonialistit dhe eticienit politik indian, andaj duhet të jemi vigjilentë në luftën kundër tyre për një botë më të mirë për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button