ANALIZË: Buxheti 2022: Sa para dhe për cilat projekte do të shpenzohen vitin e ardhshëm – shkolla, gazifikimi, spitale!

“Planifikohen investime të konsiderueshme me mjete buxhetore në fushën e infrastrukturës rrugore – Korridori 8, investime në Korridorin 10, studimi i fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, gazsjellësi në mes Shkupit dhe Kosovës, Maqedonisë dhe Greqisë” – këto janë një pjesë e investimeve në infrastrukturën publike të planifikuara me buxhetin e ri për vitin 2022. Portalb.mk e analizon pjesën zhvillimore të buxhetit që i përfshin investimet e planifikuara publike.

Ministria e Arsimit  edhe vitin e ardhshëm përmes komponentit të zhvillimit do të ketë para për investime në shkolla, salla sportive, konvikte për nxënës dhe studentë. Kështu, 5,5 milionë euro janë paraparë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave fillore – shumica prej tyre për rikonstruksionin e shkollave, ndërsa 6,5 milionë euro janë paraparë për salla sportive në shkollat fillore. Për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave të mesme janë parashikuar 2 milion euro, ndërsa për ndërtimin e palestrave sportive në shkollat e mesme, 25 000 euro. Për rikonstruksionin e konvikteve për studentë janë paraparë 400 mijë euro, ndërsa për rehabilitimin efikas në aspekt energjetik të konvikteve, me buxhetin e ri janë planifikuar mjete në vlerë prej 4,2 milionë euro.

Buxheti i ri për vitin 2022 parashikon projekte të vjetra-të reja në Ministria e Shëndetësisë – konkretisht për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve të institucioneve shëndetësore publike, si spitali special i Ohrit “Shën Erazmo”, për aktivitete ndërtimore në Spitalin e Përgjithshëm Strumicë, për Poliklinikën në Saraj, për Klinikën për Sëmundje Kirurgjike Shën “Naum i Ohrit” – Shkup; për Spitalin klinik në Manastir, për KARIL dhe të tjera, janë planifikuar 4,2 milionë euro, për pajisje mjekësore 5 milionë euro, për ambulanta në zonat rurale 8 000 euro, për spitalin e përgjithshëm në Kërçovë gati 1 milionë euro dhe për qendrën e re klinike të paralajmëruar prej kohësh në Shkup dhe Shtip, 9 milionë euro.

Zërat kryesorë të zhvillimit përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale janë bashkëpunimi ndërkufitar për të cilin janë planifikuar 1,8 milionë euro dhe zhvillimi i barabartë rajonal me një shumë të planifikuar prej 4.4 milionë eurosh.

Për projektet zhvillimore që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të komunave, përmes Ministrisë së Financave janë siguruar 7 milionë euro, 1,4 milionë euro për zhvillimin rajonal, 12,3 milionë euro për zhvillimin rural dhe 42,5 milionë euro janë planifikuar përmes IPA 2 – Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit.

Përmes Ministrisë së Ekonomisë për gazifikimin – konkretisht për investimet shtesë dhe shpenzimet për projektet që janë duke u realizuar, si dhe për shpenzimet për projektet e ardhshme që kanë të bëjnë me gazifikimin janë planifikuar 10,1 milion euro, ndërsa për mbështetjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë ndarë 1 milion euro.

Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial , që është institucioni kyç për investimet e huaja direkte, në vitin 2022 për projekte dhe për ndërtimin e infrastrukturës në zonat e lira ekonomike do të ketë në dispozicion 10,1 milionë euro.

Ministria e Punëve të Brendshme për reforma në polici – krijimin e policisë moderne, në përputhje me standardet e BE-së, ruajtjen e situatës të favorshme të sigurisë, zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me legjislacionin kombëtar, vitin e ardhshëm do të mund të shpenzojë 7,4 milionë euro, kurse për ndërtimin, rikonstruksionin dhe përshtatjen e stacioneve policore, vendkalimeve kufitare dhe objekteve akomoduese të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të ketë në dispozicion 3 milionë euro.

Ministria e Mbrojtjes përmes pjesës zhvillimore të buxhetit të vitit të ardhshëm, përmes zërit “Integrimi në NATO” do të ketë në dispozicion gati 84 milionë euro.

Përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor, vitin e ardhshëm për Liqenin e Dojranit janë paraparë 763 000 euro, ndërsa për sistemin kolektor të Ohrit dhe Strugës nuk janë paraparë mjete – për këtë qëllim janë parashikuar shuma në vitin 2023 dhe 2024.

Me shuma të konsiderueshme për shpenzime kapitale disponon Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – për lehtësimin e tregtisë dhe transportit janë parashikuar 6,5 milionë euro, për rrugët lokale 12 milionë euro, për ujësjellës dhe kanalizime për komunat 3,7 milionë euro, për furnizimin me ujë dhe kullimin e ujërave të zeza 7,3 milionë euro, për projektin strategjik energjetik të gazifikimit 4,5 milionë euro dhe për investime në infrastrukturën hekurudhore 42 milionë euro.

Përmes Ministrisë së Bujqësisë për hidrosistemin e Zletovicës janë ndarë 3,5 milionë euro, për hidrosistemin Lisiçe 500.000 euro dhe për ujitjen e luginës jugore të Vardarit 2,6 milionë euro, ndërsa një shumë e konsiderueshme prej 5 milionë eurosh është paraparë për ujitjen e territorit të gjithë vendit. Përmes Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural janë paraparë 18,2 milionë euro për mbështetjen e zhvillimit rural dhe 5,7 milionë euro për zhvillimin rural.

Për Prokurorinë Publike janë ndarë 5,5 milionë euro, konkretisht për zbatimin e Ligjit për Procedurën Penale. Agjencia e Punësimit për të nxitur punësimin do të ketë në dispozicion gati 28 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button