RMV, në vend se te era dhe shiu, shpëtimi për ndotjen e ajrit duhet të shikohet në ngritjen e Fondit për mjedis jetësor

Filloi sezoni i jetesës së rrezikshme në qytetet e Maqedonisë për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit. Në orët e vona të pasdites dhe të mbrëmjes, ajri në Shkup dhe vendbanimet e tjera e ndryshon erën e tij, ndërsa stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe aplikacioni Ajri im tashmë kanë filluar të alarmojnë prej ditësh me nivele të larta të ndotjes nga grimcat e dëmshme, të cilat i kalojnë vlerat e lejuara, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut për këtë vit ka theksuar publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit. Ndotja e ajrit mbetet shqetësim serioz, thonë nga Komisioni Evropian.

Nga Qeveria e RMV-së për Meta.mk thanë që shpresojnë se fuqizimi i kapaciteteve dhe rregullimi më i detajuar i obligimeve do të ketë efekt kundër ndotjes së ajrit në një të ardhme të afërt. Në kuadër të kësaj, një nga ndryshimet kyçe të Ligjit për Ajrin ka të bëjë me detyrimet dhe koordinimin e saktë të organeve të pushtetit vendor dhe qendror, të cilat do të përcaktohen me plane të sakta dhe masa të detyrueshme.

“Për momentin janë duke u bërë përmirësime të ndryshimeve ligjore në mënyrën e financimit të komunave, kështu që besojmë se kjo do të japë fryte edhe në këtë fushë”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

Ndryshe, “Eko-vetëdija” (Eko-svest) për Meta.mk thekson se vendi ka nevojë për themelimin e Fondit për mjedisin jetësor, të cilin ata si organizatë e kanë propozuar disa herë në periudhën e kaluar.

“Aktualisht jemi në proces të përgatitjes së një analize që duhet t’i përgjigjet pyetjes se si të krijohet dhe menaxhohet me sukses një fond i tillë”, thonë nga Eko-vetëdija.

Ata shtojnë se zbatimi i masave në luftën kundër ndotjes së ajrit do të varet edhe nga kapacitetet e institucioneve dhe bashkëpunimi mes tyre, por bashkëpunimi mes pushtetit qendror dhe atij lokal do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Maqedonia e Veriut fitoi kryetarë të rinj dhe këshilla komunalë, në zgjedhjet e fundit lokale, të cilët në fushatën zgjedhore nuk e morën guximin të premtojnë shumë për uljen e ndotjes së ajrit, duke pasur parasysh faktin se lidershipet e mëparshme komunale u kritikuan pikërisht për masat e pamjaftueshme të zbatimit për kontrollin e ndotësve. .

Ndryshe, ndotësi më serioz gjatë muajve të dimrit është ngrohja e objekteve, për të cilën Qeveria e RMV-së dhe disa pushtete lokale kanë dhënë subvencione në vitin 2020 dhe 2021 për blerjen e kondicionerëve inverter për amvisëritë që nuk kanë mundësi të ngrohen me ngrohje qendrore ne vend.

Ndotësi i dytë më i madh i ajrit është transporti, për të cilin Qeveria deri më tani ka siguruar vetëm mjete për të subvencionuar instalimin e aparateve të gazit në vetura, për të cilën këtë vit janë paraqitur 670 aplikime nga qytetarët e interesuar, kundrejt mbi gjysmë milioni automjeteve të regjistruara zyrtarisht në vend.

Gjëja për të cilën autoritetet lokale janë kritikuar më së shumti në periudhën e kaluar janë deponitë ilegale të “shpërndara” nëpër qytetet e ndryshme, të cilat digjen nga qytetarët e pandërgjegjshëm ose grumbulluesit e mbetjeve, për të fituar para, djegin kabllo dhe lëndë të tjera toksike. Përkundër përpjekjeve të Inspektoratit të Qytetit në Shkup për të zbuluar këto ndotës me drona termikë, komunat tjera në vend po bëjnë shumë pak për të ndëshkuar qytetarët që djegin lloje të ndryshme të mbeturinave.

Përndryshe, qeveria këtë vjeshtë e paralajmëroi formimin e një fondi të gjelbër për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike në vlerë prej 36,3 milionë dollarë, por vendi për zbatimin e projekteve do të kërkojë para nga Fondi i Përbashkët Global për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button