Situata politike në RMV, BDI-ja sot do të mbledh Këshillin e Përgjithshëm

Pas zhvillimeve të fundit politike që ndodhën në Maqedoninë e Veriut, sidomos pas paralajmërimeve për formimin e shumicës së re parlamentare nga opozita, Bashkimi Demokratik për Integrim sot do të mbledh Këshillin e Përgjithshëm, transmeton Portalb.mk.

“Ju njoftojmë se sot (e Diel, 07.11.2021) do të mbaj mbledhje Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Mbledhja do të mbahet te Restoranti “Arra” në Tetovë me fillim në ora 13.00”, njoftojnë nga BDI-ja.

Në përbërjen e shumicës së re që planifikohet të formohet, nuk përfshihet BDI-ja dhe LSDM-ja, dy partitë kryesore të Qeverisë së sotme. E vetmja parti nga Qeveria që përfshihet në këtë tentim shumicë të re parlamentare është Lëvizja Besa, e cila u përfshi në këtë nismë të opozitës pas vendimit të KSHZ-së për rivotim në Komunën e Zhelinës, ku kandidati i Lëvizjes Besa fitoi në balotazh kundër kandidatit të BDI-së.

“Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e Kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet të kontaktit intenziv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, fqinjësisë së mirë, NATOnë, BEnë, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimin Europian. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori. Kam shumë telefonata, porosi dhe përkrahje nga të gjitha anët, ju faleminderit dhe në pamundësi të ju përgjigjem të gjithëve, ju them që bashkë do t’ia dalim. Për të gjitha zhvillimet do të njoftoheni paraprakisht. Bashkë përgjithmonë dhe në çdo përballje” ka komentuar Ahmeti në Facebook pas publikimit të fotografisë ku paralajmërohet formimi i shumicës së re pa BDI-në dhe LSDM-në.

Kujtojmë se vendi fillimisht u fut në krizë politike, pasi lideri i LSDM-së dhe kryeministri, Zoran Zaev më 31 tetor, paralajmëroi dorëheqje nga dy këto pozita, pas disfatës që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale. Megjithatë, Zaev tha se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pasi shumica parlamentare është stabile.  Por, Lëvizja Besa ndryshoi qëndrim, pas vendimi që të përsëriten zgjedhjet në njërin prej vendvotimeve në Komunën e Zhelinës, ku ka fituar kandidati i Lëvizjes Besa, është bërë shkak që kjo parti të shqyrtojë qëndrimin e saj në Qeveri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button