Vendet e BE-së dhe të NATO-s nuk duhet të heshtin mbi faktet historike në Bosnje-Hercegovinë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit politike në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Polarizimet e skajshme etnike dhe tensionet në rritje, të nxitura nga retorika toksike, politikat konfliktuale e jo-integruese si dhe veprimet provokative të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin dhe integritetin territorial të saj, dhe minojnë stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.

Në Bosnje-Hercegovinë është shpërfaqur episodi më tragjik i historisë së përgjakshme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të shkaktuar nga politikat hegjemoniste dhe genocidit të Serbisë së Millosheviçit. Faktet historike nuk munden dhe nuk duhet të heshten.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare se tolerimi i politikave separatiste dhe gjuhës së urrejtjes rrezikon seriozisht përsëritjen e skenarëve të errëta të viteve 90′ në Ballkan.

Vendet e BE-së dhe të NATO-s duhet të parandalojnë me vendosmëri dhe njëzëri çdo aksion që përmes faktit të kryer synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke rrezikuar kështu vetë perimetrin e sigurisë së NATO-s dhe BE-së.

Përgjumja dhe heshtja e vendeve të mëdha demokratike ndaj veprimeve që minojnë proceset e paqes dhe bashkëjetesës multietnike në rajon, rrezikojnë imazhin dhe levën e pazëvendësueshme që këta faktorë kanë për mbizotërimin e orientimit strategjik euro-atlantik.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën gjithashtu thirrje udhëheqësve politikë të vendeve të rajonit që të kundërshtojnë haptazi dhe pa ekuivoke çdo tendencë për minimin e funksionalitetit dhe integritetit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

E ardhmja e rajonit tonë nuk qëndron në ndarjet etnike, por në bashkëjetesën ndër-etnike dhe integrimit Euro-Atlantike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button