Ahmeti për shumicën e re parlamentare: Nuk do të veprojmë me emocione dhe eufori

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka komentuar zhvillimet e fundit politike, gjegjësisht informatën se lideri i opozitës së VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka shumicë të re parlamentare me disa parti, shkruan Portalb.mk.

“Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e Kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet të kontaktit intenziv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, fqinjësisë së mirë, NATOnë, BEnë, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, Shetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimin Europian. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori. Kam shumë telefonata, porosi dhe përkrahje nga të gjitha anët, ju faleminderit dhe në pamundësi të ju përgjigjem të gjithëve, ju them që bashkë do t’ia dalim. Për të gjitha zhvillimet do të njoftoheni paraprakisht. Bashkë përgjithmonë dhe në çdo përballje.” ka komentuar Ahmeti në Facebook.

Të premten mbrëma lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski së bashku me përfaqësuesit e partive Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, E majta, Alternativa thanë se e kanë krijuar shumicën e re parlamentare në RMV.

Në deklaratë për mediat të bërë pas mbledhjes, Mickoski tha se presin dorëheqjen e Zoran Zaevit dhe nëse ajo nuk ndodhë, atëherë do të ngritin procedurë me të cilën do të votojmë mosbesim të Qeverisë. I pyetur nëse do të ketë Qeveri të re, apo zgjedhje të shpejta parlamentare siç kërkonte ditëve të fundit, ai tha:

“Të gjithë opsionet janë në lojë. Në atë konferencë unë përmenda se kemi dy opsione. Njëri opsion është të konsolidohet opozita dhe të kemi shumicë që do të votojë mosbesim të Qeverisë nëse Zoran Zaev taktizon me dorëheqjen dhe e opsioni i dytë është të shkojmë në zgjedhje të shpejta parlamentare”, tha Mickoski.

Kujtojmë se vendi u fut në krizë politike, pasi lideri i LSDM-së dhe kryeministri, Zoran Zaev më 31 tetor, paralajmëroi dorëheqje nga dy këto pozita, pas disfatës që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale. Megjithatë, Zaev tha se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pasi shumica parlamentare është stabile.  Por, Lëvijza Besa ndryshoi qëndrim, pas vendimi që të përsëriten zgjedhjet në njërin prej vendvotimeve në Komunën e Zhelinës, ku ka fituar kandidati i Lëvizjes Besa, është bërë shkak që kjo parti të shqyrtojë qëndrimin e saj në Qeveri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button