fbpx

Thellohet kriza politike në RMV, Lëvizja Besa po shqyrton mundësinë që ta lëshojë Qeverinë

Vendimi që të përsëriten zgjedhjet në njërin prej vendvotimeve në Komunën e Zhelinës, ku ka fituar kandidati i Lëvizjes Besa, është bërë shkak që kjo parti të shqyrtojë qëndrimin e saj në Qeveri. Nëse deri dje Lëvizja Besa ishte kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe bënte thirrje që të vazhdojë mandati i qeverisë aktuale, prej ditës së djeshme partia ka ndryshuar qëndrim, shkruan Portalb.mk.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, mbrëmë nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se, Zhelina mund të prish Qeverinë.

Qëndrimin e tij ai e ka përsëritur edhe sot nëpërmjet një konference për media. Hoxha tha se në lidhje me këtë, do të ketë konsultime brendapartike, ku do të merret vendim.

“Në të gjitha proceset politike, Lëvizja Besa ka dëshmuar pjekuri politike dhe lidership, por kjo që ndodhi në Zhelinë tejkalon çdo vlerë dhe çdo normë, qoftë demokratike apo evropiane. Prandaj, Lëvizja Besa gjatë ditës së sotme, por edhe nesër do të vazhdojë konsultimet partiake për të marrë vendim se si duhet të vazhdojë më tutje. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në orientimin tonë për një të ardhme evropiane të vendit, me të gjitha vlerat e demokracisë që promovon Bashkimi Evropian, por nuk do të lejojmë që të jemi në një tavolinë me struktura politike që duan të shtrembërojnë vullnetin dhe verdiktin demokratik të popullit, pra votën e qytetarit, përmes metodave që ata i përdorin, që ne i konsiderojmë si komuniste dhe totalitariste”, deklaroi Hoxha.

Ai pretendon se BDI me qëllim ka parashtruar ankesë në BDI, pikërisht në vendvotimi ku voton kandidati i BDI-së. Prandaj, siç u shpreh ai qëndrimi i tyre nuk do të varet nga vendimi që do të marrë gjykata në lidhje me këtë.

“Ashtu siç jeni të informuar, me parashtresë nga vëzhgues të BDI-së, edhe përkundër faktit se askund në proces verbal nuk është vendosur diçka e tillë, në Komunën e Zhelinë do të prishet vendvotimi 2107, vendvotim ky që “rastësisht” voton kandidati për kryetar i BDI-së dhe po në të njëjtin vendvotim BDI ka fituar me rezultat dyfish më të madh se Lëvizja Besa…. Flasim për një mosrespektim total të partnerit të koalicionit nga mënyrë se si zhvillohet procesi zgjedhor. Dhe prandaj duke i ditur të gjitha këto, nuk mundet. Unë për vete, duke u nisur nga integriteti im personal edhe sikur të vendosë kryesia e partisë dhe organet e partisë që të vazhdohet qeverisja, unë nuk do të jem ministër në këtë qeverisje”, tha ai.

Qëndrimin e Lëvizjes Besa e ka komentuar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot në Kuvend. Ai tha se, nuk beson që Lëvizja Besa do të dalë nga koalicioni qeverisës.

“Vlerësoj se nuk do të ndodhë që Besa ta lëshoj Qeverisë, sepse një hap i tillë nuk do të jetë në favor të asaj partie. Deklaratat e tyre mund të kuptohen si një lloj presioni ndaj koalicionit qeveritar, por koalicioni nuk do të dëmtohet nga deklarata të tilla apo presione të ngjashme. Para së gjithash, ajo nuk është mirë sepse ato deklarata nënkuptojnë presion ndaj institucioneve të cilat duhet të zbatojnë ligjin. Deklarata e Arjanit Hoxhëës është vetëm emotive”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, konsideron se të gjitha dilemat do të zgjidhen dhe nuk do të ketë pasoja, përkundër kërcënimit të sekretarit të përgjithshëm të Besës dhe ministrit të Bujqësisë Arjanit Hoxha se partia e tij mund të largohet nga shumica dhe të rrëzojë qeverinë.

“Mendoj se me bisedime dhe takime do t’i zgjidhim të gjitha ato dilema. KSHZ-ja ka marrë vendim dhe nuk është vetëm për Zlelinën, prandaj do të shohim. Nuk duhet që një gjë e tillë të ketë implikime politike”, tha Mariçiq.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) mbrëmë vendosi për ankesat e parashtruara nga pjesëmarrësit në zgjedhje për votim në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Midis ankesave janë edhe dy nga BDI-ja që i referohen dy vendvotimeve në Zhelinë.

Njëra nga ankesat është për vendvotimin numër 2107, e cila nga BDI-ja është dorëzuar për dy arsye: për shkak të mospërputhjes së numrit të votuesve që janë identifikuar me aparaturat me numrin e votuesve që kanë nënshkruar në listën zgjedhore dhe për shkak se një person ka votuar me letërnjoftim me afat të skaduar. Këtë ankesë KSHZ-ja e pranoi, që do të thotë se sipas vendimit aktual do të ketë rivotim në këtë vendvotim.

Lidhur me ankesën për vendvotimin 2107, KSHZ vendosi me gjashtë vota “për” nga gjithsej shtatë anëtarë. Anëtari i shtatë ishte Oliver Ristovski i cili nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit. Megjithatë, vendimi përfundimtar mund të merret nga Gjykata Administrative nëse ngrihet padi kundër vendimit të KSHZ-së .

Rivotim do të mund të kishte pasi – nëse merret parasysh dallimi i votave dhe numri i votuesve në vendvotimin 2107, mund të vijë edhe deri te përmbysja e rezultatit në këtë komunë ku janë përballur kandidatët e BDI-së dhe Besës.

Përndryshe, në raundin e dytë fitoi kandidati i Besës, Blerim Sejdi, me vetëm 69 vota më shumë se Fatmir Izairi nga BDI. Sejdi kishte 5.171 ndërsa Izairi 5.102. Në vendvotimin 2107 ka gjithsej 741 votues, nga të cilët në rrethin e dytë votuan 340.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button