Mariçiq për kërcënimin e Besës për rrëzim të qeverisë: Të gjitha dilemat do t’i zgjidhim me bisedime

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, konsideron se të gjitha dilemat do të zgjidhen dhe nuk do të ketë pasoja, përkundër kërcënimit të sekretarit të përgjithshëm të Besës dhe ministrit të Bujqësisë Arjanit Hoxha se partia e tij mund të largohet nga shumica dhe të rrëzojë qeverinë, transmeton Portalb.mk.

Hoxha mesazhin e dërgoi mbrëmë pasi Komisioni Shtetërori Zgjedhjeve pranoi ankesën e BDI-së dhe vendosi të rivotojë në një vendvotim në Zhelinë – komunë ku kandidati i Besës fitoi para rivalit të BDI-së me vetëm 69 vota dhe tani mund të vijë në rivotim.

“Mendoj se me bisedime dhe takime do t’i zgjidhim të gjitha ato dilema. KSHZ-ja ka marrë vendim dhe nuk është vetëm për Zlelinën, prandaj do të shohim. Nuk duhet që një gjë e tillë të ketë implikime politike”, tha Mariçiq.

Ai sot iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për bisedimet dhe vendimin për mandatarë të ri pas dorëheqjes së paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev dhe tha se për sot janë planifikuar një sërë takimesh të partnerëve të koalicionit, andaj javën e ardhshme pritet që të dilet me plan konkret.

“Konsultat dhe takimet janë në vazhdim e sipër dhe nuk është mirënjohëse të japim detaje dhe të themi se çfarë do të ndodhë, pasi akoma janë në rrjedhë konsultimet me partnerët e koalicionit dhe në nivel të LSDM-së. Sot ka një sërë takimesh dhe presim që javën e ardhshme të dalim me një plan konkret pasi është i rëndësishëm edhe për qytetarët edhe për shtetin. Prioriteti ynë është ruajtja e shumicës parlamentare pasi është vullneti i të gjithë partnerëve të koalicionit dhe sigurisht të gjejmë formulën më të mirë se si të vazhdojë të funksionojë qeveria për momentin pasi ka gatishmëri dhe vendim që të vazhdohet, por të mos ketë zgjedhje në këtë moment”, tha ministri.

Mariçiq tha se janë spekulime informacione që ai është në lojë për mandat të ri.

“Është spekulim, nuk kam biseduar me askënd dhe as nuk më ka pyetur, nuk mund të them gjë tjetër veçse ta demantoj këtë spekulim”, tha Mariçiq.

I pyetur se pse askush nga shtabi zgjedhor i LSDM-së deri më tani nuk ka dhënë dorëheqje për shkak të dështimit të zgjedhjeve lokale, Mariçiq ka bërë të ditur gjithashtu se takimet në këtë nivel janë caktuar për sot dhe se kur të ketë vendim do të bëhet publik.

“Ne kemi pasur disa takime në disa nivele dhe sot ka një seri takimesh serioze në të cilat do të vlerësohet përgjegjësia e Shtabit qendror të zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe mendoj se pastaj, kur të merremi vesht do të ketë njoftim se çfarë më tej për sa i përket marrjes së përgjegjësisë”, tha Mariçiq.

Ndryshe në zgjedhjet lokale, VMRO-DPMNE-ja mori shumicën e komunave me të cilat deri tani ka udhëhequr LSDM, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit. Gjithsej VMRO-DPMNE tani do të udhëheqë me 42 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërkaq LSDM me vetëm 16.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button