Teatri politik “Made in Balkan”

“Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”.

-Nikita Hrushov.

Duke qenë në rolin e spektatorit shpesh ndodh që shumë gjëra ti shohësh me një sy më neutral, duke gjykuar në mënyrë më të lehtë në mes të asaj se si duhet të ishin gjërat dhe si janë në realitet dhe nga ana tjetër ke kufizimin e pafuqisë së ndryshimit të tyre, kjo ngaqë aktorët në këtë rast nuk dëgjojnë çdo kritikë apo sugjerim të spektatorëve sepse vështirësitë i kanë më reale dhe më të drejtpërdrejta gjatë realizimit të shfaqjes së tyre.

Të qenurit në rolin e aktorit gjatë realizimit të aktrimit shpesh herë ndodhë që të vërshohesh nga lumi i emocioneve pozitive dhe ndjenjës së të qenurit në kulm të suksesit e në disa raste e kundërta, kjo sepse në skenë gjërat jo gjithmonë shkojnë ashtu siç planifikohen paraprakisht, ndodhë që një aktor të harrojë një pjesë të asaj që duhej të bënte e disa të tjerë dalin krejtësisht jashtë skenari duke harruar se pse u futën në skenë, pse morën rrolin e aktorit e ngaqë lidhen ngushtë emocionalisht me skenën dhe ngrohtësinë e duartrokitjeve të spektatorëve të cilët mendojnë se ky aktrim ishte i planifikuar, aktorë të tillë refuzojnë të pranojnë të përmirësohen, lëshojnë rrolin kryesorë për dikë më të përshtatshëm për atë rrol apo edhe arrijnë deri në atë pikë saqë mbivlerësimin për veten e kanë të pakufizuar.

Kjo që kam shkruar më sipër është thjeshtë një shpjegim figurativ i skenës politike në përgjithësi të vendeve të Ballkanit e në veçanti të skenës politike të Maqedonisë së Veriut.

Në shtetin e vogël prej diku rreth dy milion banorësh, të quajtur Maqedonia e Veriut, konflikti i interesave është më i madh se vetë shteti dhe numri i banorëve të saj, në të dominon politika e interesave afatshkurte personale të politikanëve të cilët mekanizëm të afatgjatësisë së politikave të tyre kanë gënjeshtrat, premtimet boshe, fuqinë politike, imponimin, presionin mbi më të dobëtin, përdorimin e kartave nacionaliste, fetare apo sociale varësisht prej situatës, e kështu me radhë.

Në këtë shtet të vogël që po flas, problemet janë realisht të mëdha, në të ka zgjedhje pothuajse çdo vit dhe qytetarët e këtij vendi janë mësuar e në fakt i mirëpresin që të dëgjojnë nga politikanët të njëjtat premtime por të thurura çdo vit ndryshe, fatkeqësisht është një tragjikomedi se si këto njerëz mbushin veten me shpresë për çdo vit se diçka do të ndryshojë për të mirë, por nuk duan ta pranojnë që për të ndryshuar diçka duhet ndryshuar udhëheqësit politik, mënyra e politikbërrjes dhe pafund shumë gjëra të tjera.

Në realitet ekziston një shpjegim se nga ku buron ngecja dhe mos avancimi i këtij shteti e si të tilla mund të merret gjendja ekonomike e vetë shtetit, niveli i arsimit, rrymat ndërkombëtare që “vaksinojnë” me dozë shtesë të shpresës së rrejshme qytetarët, dëshira për të arritur majat e suksesit dhe pasurisë brenda natës e kështu me radhë.

Maqedonia e Veriut në fakt është një lloj parajse për kriminelët, nuk po flas për ata me maska në fytyrë por për ata që maskë kanë fytyrën e tyre dhe vishen me petkun e politikanit apo fshihen pas tyre, janë ata që e gjithë bota mund ti marrë shembull se si një individ mund të pasurohet duke u marrë me politikë për kohë shumë të shkurtër shumëfish më tepër sesa bizneset shumë vitëshe, ata të cilët fjalën “tender” e kanë kryefjalë, për ata të cilët vlerësojnë antivlerën dhe nënvlerësojnë vlerën, ata të cilët legalizojnë çdo krim, sidomos atë financiar, vetëm e vetëm për të arritur pasuri sa më të madhe.

Është e vërtetë se  në këtë shtet ka dhe nga ata që kontribuojnë për të mirën e shoqërisë, por interesant është fakti se pikërisht këta persona nuk kanë përkrahjen e po të njëjtës shoqëri për të cilën ata kontribuojnë.

Në këtë shtet që po flasim po ashtu për tu theksuar është fakti që gjatë kampanjave zgjedhore për vite me radhë premtohet pothuajse gjithçka, dhe realizohet pothuajse asgjë, në fakt me mburrje të madhe politikanët e këtij vendi ende premtojnë gjëra elementare siç janë uji për pije, rrugë të asfaltuara, salla sportive e gjëra të tilla, por ama nuk di kë të fajësoj më shumë, politikanët që mashtrojnë në mënyrë të paturp, apo popullit që çdo vit ushqehet me po të njëjtat gënjeshtra.

Kampanjat e politikanëve të këtij vendi në vete përmbajnë premtime të cilat edhe vetë përfaqësuesit e tyre nuk i kuptojnë kurse populli tashmë as nuk mund edhe ta mendojë se të punësohesh është diçka që ta garanton shteti për arritjen, punën e suksesshme të bërë, kryerjen e studimeve, zanateve apo përsosjen në sfera të tjera dhe jo partia politike që ata përkrahin, edhe më keq akoma, me mburrje tregojnë që e kanë punësuar dikë apo janë punësuar nga dikush në mënyrë partiake, nga ky fakt mund të kuptojmë se këta njerëz edhe për shumë vite do të vazhdojnë pinë atë ujin e pijshëm të premtuar dhe të parealizuar, të shkelin mbi atë rrugën e pashtruar realisht por të shtruar edhe atë mbi standardet evropiane në dokumente dhe transaksione bankare të kompanive të njerëzve të afërt të këtyre politikanëve dhe të tjera premtime që qëndrojnë në ajër e që veshi i ka mësuar përmendësh.

Duke qenë se tashmë kemi hyrë në numërimin e disa prej problemeve që çrrënjosin një shtet, nuk mund të mos theksojmë këtu nivelin e ulët të arsimit që mbizotëron në këtë vend, nga viti në vit, punonjës arsimor bëhen militantë partiak, dhe po kaq shumë për të ardhur keq është fakti se për tu punësuar nuk ka nevojë të jesh i mirë në një sferë të caktuar, por të jesh pjesë e një partie politike të caktuar si dhe në atë parti politike të caktuar të mos jesh i dobishëm apo me peshë profesionale por thjeshtë të jesh apo të kesh dikë tek i cili gërshetohen interesat e udhëheqësve të asaj partie politike të regjionit të caktuar.

Nëse keni dëshirë të punësoheni në këtë shtet në sektorin publik, ju duhet me shumë gjasa të jeni më i miri dhe të bëni punë që nuk mund ta bëjnë të tjerët, këto pozita janë të pakta nga njëra anë dhe nga ana tjetër duhet të jeni person që sillni vota gjatë zgjedhjeve, keni mjete financiare për të blerë vendin e punës ashtu sikurse blihen dhe shumë gjëra tjera jo në shitje në këtë vend, të njihni nga afër dikë që është me rëndësi në partinë politike që ka pushtetin qendror apo atë lokal apo të jeni nga ata tipat “me muskuj” të titulluar bandit e të cilët zënë një pjesë dominante tek këto grupe interesi të quajtura parti politike.

Nëse nuk mjaftoheni me shpjegime të përgjithshme mbi problemet që mbizotërojnë në shtetin që për çdo vit është më afër se kurrë sa i përket anëtarësim në BE, problemet sa vijnë e shtohen, për të ardhur keq është se si në këto parti politike, një pjesë e konsiderueshme e forumeve rinore në fakt janë një replikë e asaj se si nuk duhet të jetë politika në vend, në krye të tyre zakonisht vendoset dikush që kupton se interesat e partisë dhe udhëheqësve të saj janë më prioritare se sa interesi i përgjithshëm shoqëror, këta persona nuk kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë se mjetet financiare që u lëshohen për të realizuar projekte për rininë në fakt janë mjete të taksapaguesve në mesin e të cilëve janë vetë ata apo familjarët e tyre, refuzojnë të kuptojnë se demokracia vlen edhe për partinë tek e cila ata bëjnë pjesë dhe duhet implementuar procesi zgjedhor për zgjedhjen e udhëheqësve në forumeve rinore, forumit të gruas, degëve partiake të qyteteve përkatëse e kështu me radhë, pashtu harrojnë se atë çka e premtojnë njëjte sikurse udhëheqësit e tyre duhet në fakt të përpiqen ta realizojnë dhe jo thjeshtë ta premtojnë një diçka e ajo ti ngjasojë ndërtesës së fasaduar shumë bukur por që po hyre brenda mezi qëndron mbi tokë, këta individë zakonisht jenë të tillë që emocionohen kurrë dëgjojnë se politika të pasuron, sepse politika në këtë shtet të vogël është biznes dhe jo përfaqësim i qytetarëve dhe mbrojtjes së interesave të përgjithshme shoqërore, në fakt duhet dhe shumë për të shkruar për të shpjeguar një përqindje të vogël se ku ngecin gjërat në këtë vend prandaj në këtë pjesë nuk do të zgjatemi më tepër.

Përpos problemeve fatmirësisht në këtë vend ka edhe persona që i luftojnë dukuritë negative dhe përpiqen për të përmirësuar gjendjen jo të mirë të shtetit, por fatkeqësisht shumë prej këtyre individëve që në fakt kanë kapacitet të lartë intelektual gjatë rrugës për të bërë përmirësim të gjendjes shoqërore humbin në mesin e konfortit që sigurojnë ata për vete, disa të tjerë humbin duke u bërë me apo pa qëllim spiun ambasadash dhe grupeve që realizojnë interesa madhore në shtetin parajsë për larje të parave të quajtur Maqedoni e Veriut, që në hartë përveç dukjes së saj ashtu siç e ka formën, në sy të të tjerëve është edhe e identifikuar si një kazino e madhe (kjo sepse është shteti i vetëm mes 5 shteteve tek i cili janë të legalizuara lojërat e fatit), po ashtu mund të identifikohet sikurse thashë më sipër si vend ku bëhet larja e parave nga individë me peshë politike globale apo grupe të tjera kriminale, identifikohet po ashtu edhe si fuqi punëtore e krahut për vendet e Evropës perëndimore, sepse pagat në Maqedoninë e Veriut janë të tilla që për shumicën vetëm mbijetesë sigurojnë e të paktë janë ata që bëjnë jetesë, e për këtë shtetet e Evropës perëndimore kanë luksin të punësojnë për kryerjen e punëve të krahut, persona të diplomuar në sfera të ndryshme, e sidoqoftë mbi të gjitha shpresa qëndron se ka persona me kapacitet për të bërë ndryshime, por ende nuk është siguruar mekanizëm se si këto persona të bëhen bashkë e të mos bien në kurthin e rehatisë që i ofron dikush në këmbim të mos tentimit për ndryshime në vend.

Në këtë shtet po ashtu në zgjedhjet që ndodhin pothuajse çdo vit, siç duket asnjë qytetari nuk i pengon fakti se si politikanët kurrë nuk përmendin statistika që do të tregonin për rrogën minimale dhe mesatare në vend, numrin e të papunëve, numrin e të diplomuarve, magjistrantëve dhe doktorantëve që këto tituj i mbajnë vetëm të palosura por që veten nuk mund ta gjejnë diku, se si ky vend është në prag të inflacionit, rritjes së çmimeve të derivateve, rrymës elektrike dhe produkteve ushqimore, se si ky vend për çdo vit e gjen veten të braktisur nga individë e familje të cilët ikin në vende të tjera për një jetesë më të mirë, se si ky vend radhitet në vendet me korrupsion të lartë, me papunësi të madhe, me borxh të jashtëzakonshëm që ekonomistët as në librat e tyre nuk mund të hasin shembull kaq të keq sikurse është ky vend, se si ky shtet asnjëherë nuk tenton të bëhet shtëpi e mikpritjes për studentët e dalluar, personat me arritje në sfera të ndryshme e kështu me rradhë, se si ky vend e vështirëson skajshmërish hapjen e bizneseve apo mundësinë e investimeve të jashtme që do të siguronin vende pune të shumta, këto dhe shumë gjëra të tjera, nuk thuhen, por janë kyçe të zgjidhen sepse po të ishte ky shtet një tren, do ti ngjante trenit që lëviz pa frena në drejtimin e gabuar, e që timonin në duar mban ai që s’ka duar, drejtimin e rrugës e tregon i verbëri e kritikat e sugjerimet e atyre që janë në këtë tren i dëgjon i shurdhëri, gjithsesi siç duket karburanti këtij treni i ka mbaruar që moti, por që binarët nëpër të cilën ecën janë poshtazi dhe kjo i siguron vazhdimësi në drejtimin e gabuar.

Siç duket është shkruar shumë për tu lexuar, pak për të shpjeguar gjithçka por mjaftueshëm për të kuptuar diçka.

Autor: Genc Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button