5 Nëntori – Dita kushtuar të rinjve në Konferencën për ndryshime klimatike (COP 26)

Dita e sotme (5 nëntor) u kushtohet të rinjve në kuadër të Konferencës së OKB-së për ndryshime klimatike (COP 26), e cila zhvillohet në Glazgou të Mbretërisë së Bashkuar. Mila Jovanovska, kryetare e Shoqatës Go Green, thotë se të rinjtë janë të prekur drejtpërdrejt nga kriza klimatike. Ata i kanë kontribuar më së paku, por do të ndiejnë sërish drejtpërdrejt pasojat më të këqija në vitet e ardhshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që ata të përfshihen në vendimmarrje, strategjitë kombëtare, si dhe në zbatimin e tyre, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Siç shton ajo, vetë Konventa për ndryshime klimatike (UNFCCC) thotë se: “të rinjtë janë çelësi për rritjen e ndërgjegjësimit, drejtimin e programeve arsimore, promovimin e jetesës së qëndrueshme, mbrojtjen e natyrës, mbështetjen e energjisë së rinovueshme, zbatimin e shprehive ekologjike dhe zbatimin e projekteve për përshtatjes dhe zbutjes.”.

Në COP 26 të këtij viti, qeveritë i prezantuan planet kombëtare për trajtimin e ndryshimeve klimatike. Plani i Maqedonisë së Veriut është mjaft ambicioz dhe mund të themi se jemi liderë në rajon. Megjithatë, të rinjtë ishin të përjashtuar nga procesi. Nuk mund të mburremi se ata kanë qenë aktivisht të përfshirë në proces, ose të paktën janë konsultuar, thonë nga Go Green.

“Për të mundësuar përfshirjen aktive të të rinjve në zgjidhjen e krizës klimatike, një vend duhet së pari të punojë në arsim, pra të ofrojë programe arsimore cilësore dhe të përditësuara për të gjitha moshat (nga mosha parashkollore e deri në universitet), programe që mbulojnë ndryshimet klimatike nëpërmjet një qasjeje ndërdisiplinore. Për më tepër, të rinjtë duhet të inkurajohen të propozojnë aktivitete klimatike, të propozojnë ide/inovacione që do të zgjidhin probleme të caktuara lokale, të vendosin kanale komunikimi me ta në mënyrë që informacionet të shkëmbehen shpejt dhe me efikasitet”, tha Mila Jovanovska.

Si mund të rinjtë me vetë-iniciativë të angazhohen në veprimet klimatike?

Për të qenë pjesë e zgjidhjes, fillimisht të rinjtë duhet të edukohen siç duhet. Më gjerësisht, edukimi për ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duhet të përfshihet në arsimin formal, pra të rinjtë që në moshë të re të mësojnë në shkollë se cilat janë shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, theksojnë nga Go Green.

Gjithashtu duhet të vijojë arsimi joformal që e ofrojnë OJQ-të, aktivistët, grupet formale dhe joformale.

“Të gjithë duhet të hulumtojnë se kush po vepron dhe po punon për krizën klimatike në qytetin ose rajonin e tyre. Tjetra është t’i kontaktojnë ata dhe të bashkohen në veprime të përbashkëta. Nëse nuk ka, mos u dekurajoni, bisedoni me miqtë, të afërmit dhe të njohurit, ndani mendimet dhe shqetësimet tuaja për ndryshimet klimatike, zgjoni dëshirën për të mësuar nga të tjerët dhe për t’u bashkuar për të vepruar së bashku”, i porositi Mila të rinjtë në vend.

Njohja e shkaqeve të ndryshimeve klimatike duhet t’i ndërgjegjësojë të rinjtë që të marrin iniciativë për përparim personal, p.sh. ndryshimin e shprehive të tyre dhe zbatimin e praktikave eko-përgjegjëse si: përdorimi i termosit për shishe, shmangia e plastikës për një përdorim, të shkojnë në treg me çanta, blerja e rrobave dhe ushqim nga prodhuesit përgjegjës, etj.

Go Green dhe eko-aktivizmi rinor

Nga Go Green thonë se në 11 vitet e tyre të ekzistencës kanë edukuar mijëra të rinj nga vendi jonë, të cilët nëpërmjet edukimit joformal (seminare, trajnime, aksione në terren) e kuptuan rëndësinë e individit në luftën kundër ndryshimeve klimatike, por më e rëndësishmja, mësuan se si të dëgjohet zëri i tyre.

Aktivitetet e fundit të Go Green, së bashku me Ambasadën Britanike në Shkup, ishin eko-inovacioni me pesë biçikleta për prodhim të energjisë elektrike gjatë projeksionit të një filmi, si dhe kubi i karbonit që në muret e tij i paraqet vizualisht shkaqet dhe efektet e ndryshimeve klimatike.

Të frymëzuar nga eko-filmi “Jeta në planetin tonë” të Dejvid Atenboro, si dhe nga fotografitë e kubit – të rinjtë nga Shkupi dhe Ohri e shkruan angazhimin e tyre në muret e kubit. Go Green ka mbledhur mesazhe nga mbi 200 të rinj, përpjekjet e tyre: nga mbajtja e një çantë prej tekstili, të bëhesh vegan, deri te studimi i ndryshimeve klimatike në universitet etj.

“Qasja ka qenë gjithmonë nëpërmjet edukimit për të rritur ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e të rinjve për të ndërmarrë veprime. Me “mind bobs” si shfaqja vizuale e 125 kg CO2, energjia e prodhuar në vend, apo “aha-momenti” që për shembull 125 kg është në fakt 2 javë vozitje, të rinjtë bëhen menjëherë të etur për ndryshim dhe veprim. Gjithashtu, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Ambasadës Britanike, kemi përgatitur audio podcast “Go Green podcast për krizën klimatike” të cilat janë në dispozicion në Spotify në një format atraktiv për të rinjtë”, tha Mila Jovanovska nga Go Green.

Vetëm nëpërmjet edukimit të duhur të rinjtë do të jenë në gjendje të ndërmarrin veprime domethënëse dhe të duhura për klimën. Vetëm duke i ditur faktet dhe duke paraqitur argumente reale do të dëgjohet dhe njihet zëri i tyre”, tha ajo.

Mila u bën apel të rinjve që të marrin shembull Gretën. Ajo ishte thjesht një gjimnaziste me një dëshirë të madhe për ndryshim dhe tani është shembull dhe udhëheqëse e aksionit klimatik të të rinjve.

“Konferenca për ndryshimet klimatike është shumë e rëndësishme për liderët botërorë që të prezantojnë planet e tyre, por ne të rinjtë duhet të bëjmë presion për veprime klimatike, që ato marrëveshje të zbatohen me të vërtetë, për t’i kujtuar ata se ka të bëjë me të ardhmen tonë, jetën tonë të përditshme dhe shëndetin që do të rrezikohet nëse ato fjalë mbeten vetëm në letër,” tha Mila Jovanovska nga Go Green.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button