Lajçak: Dorëheqja e Zaevit është për shkak se BE-ja nuk e përmbushi premtimin

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë menjëherë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian, theksoi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, transmeton Portalb.mk.

“Për mua, pyetja nuk është nëse, por kur, ndërsa si hap i parë, do të rekomandoja fillimin pa vonesë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe dhënien e regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës”, tha Lajçak gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e gjashtë në Selanik, duke shtuar se kjo është e rëndësishme që rajoni i BE-së ta shohë si partner serioz, kredibil dhe të besueshëm, raporton MIA.

Duke folur për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, Lajçak konsideron se dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev është për shkak se Bashkimi Evropian nuk e përmbushi pjesën e vet të premtimit dhe BE-ja, sipas tij, “humbi një nga partnerët më të mirë në rajon”, që është shenjë se BE-ja duhet të veprojë.

“Kryeministri Zoran Zaev i humbi zgjedhjet për shkak se nuk mundi të përmbushë premtimin e tij ndaj qytetarëve për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse premtimin e tij nuk e përmbushi jo sepse nuk bëri pjesën e tij, por sepse ne, Bashkimi Evropian, për fat të keq, nuk mundëm ta përmbushnim pjesën tonë. Kurse si rezultat, humbëm një partner që ishte shumë besnik ndaj idesë evropiane dhe shumë konstruktiv dhe i përkushtuar, një nga partnerët më të mirë në rajon. Për mua ky është një sinjal i qartë se rajoni nuk mund të na presë dhe është koha që ne, Bashkimi Evropian, të veprojmë, pasi në të kundërtën do të humbasim edhe më shumë partnerë pro-evropianë”, tha Lajçak.

Ai kujtoi agjendën e Selanikut nga viti 2003, duke thënë se tani, 18 vjet më vonë, vetëm Kroacia është bërë anëtare e plotë e BE-së, kurse nga gjashtë të mbeturit, vetëm dy janë në negociata, ndërsa katër të tjera ende presin të fillojnë.

“Mendoj se ky nuk është realiteti që parashikuan paraardhësit tanë në vitin 2003”, tha Lajçak.

Sipas tij, integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor, është e vetmja rrugë logjike përpara, duke shpjeguar se është në interes të BE-së që rajoni të ndajë vlerat evropiane.

“Është më mirë të eksportojmë vlerat tona sesa të importojmë paqëndrueshmëri nga rajoni”, tha i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, ndërsa mendimi se vendi i Ballkanit Perëndimor është në Union u mbështet nga fakti se ekzistojnë sfida që nuk njohin kufij, si ndryshimet klimatike, kriza energjetike, migrimi, COVID-19.

Kryeministri Zoran Zaev, njoftoi dorëheqjen të dielën më 31 tetor, pas disfatës së partisë së tij në zgjedhjet lokale.

“Marr përgjegjësinë për rezultatet e këqija të këtyre zgjedhjeve”, theksoi Zaev, duke uruar oponentët politikë për fitorennë zgjedhje.

Në funksionin e kryeministrit është që prej 31 majit 2017 dhe fitoi mandatin e dytë si Kryeministër në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar. Zaev është kryetar i LSDM-së që nga viti 2013. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së ka marrë mbështetjen e 62 deputetëve në këtë përbërje parlamentare. Në shumicën parlamentare, si pjesë e koalicionit me të cilin LSDM kandidoi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, marrin pjesë Besa, NSDP, DOM, LDP, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button