COP26: Mbi 40 vende janë zotuar të ndalojnë prodhimin e qymyrit, por ka edhe mospajtime

Në Konferencën e OKB-së për Ndryshime Klimatike (COP26) në Glazgov, më shumë se 40 vende ranë dakord që gradualisht të ndërprenë prodhimin e energjisë me qymyr. Ekonomitë më të mëdha do të duhet të bëjnë këtë ndërprerje dhe kalim gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa vendet më të vogla kanë detyrimin të ndalojnë prodhimin në vitet 2040 shkruan Guardian, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Mbretëria e Bashkuar në Glazgou thotë gjithashtu se 100 institucione financiare dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë rënë dakord të pezullojnë fondet për projektet e zhvillimit të energjisë me qymyr. Në të njëjtën kohë, më shumë se 20 qeveri dhe institucione financiare, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Danimarkën, kanë rënë dakord të heqin gradualisht fondet jashtë shtetit për të gjitha projektet e karburanteve fosile deri në vitin 2022.

Megjithatë, ambientalistët nuk janë plotësisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur, duke theksuar se marrëveshja e arritur për COP26 nuk është e mjaftueshme, shton Guardian. Në këtë marrëveshje nuk përfshihen disa nga konsumatorët më të mëdhenj të qymyrit për energji elektrike, si Australia, Kina, India dhe SHBA, por edhe për ato vende që kanë nënshkruar, ambientalistët besojnë se afatet për heqjen e këtij burimi të energjisë janë shumë të gjata. Ata besojnë se heqja e qymyrit, për ekonomitë më të mëdha, duhet të bëhet para vitit 2030 e jo në vitet 2030.

Ndër 40 vendet që kanë nënshkruar marrëveshjen COP26 janë Kanadaja, Polonia, Koreja e Jugut, Ukraina, Indonezia dhe Vietnami. Zotimet e tilla janë në favor të shpresës së Britanisë se vendet e COP26 do të jenë në gjendje të përmbushin premtimin e tyre për të mbajtur ngrohjen globale brenda 1,5 gradë Celsius.

“Angazhimet ambicioze të sotme që u ndërmorën nga partnerët tanë ndërkombëtarë tregojnë se fundi i qymyrit po afrohet”, tha Kuasi Kuarteng, Ministër i Britanisë për biznes, energji dhe strategji Industriale.

Ndër vendet që u zotuan të braktisin prodhimin e qymyrit për herë të parë në COP26 janë 18 vende, duke përfshirë Poloninë, Ukrainën, Kilin, Marokun dhe Vietnamin.

Kjo praktikisht do të thotë se në COP 26 gjithsej 190 vende dhe organizata kanë krijuar një koalicion për të lënë qymyrin, i cili konsiderohet si më përgjegjësi për ndryshimet klimatike, raporton agjencia turke Anatolia.

Agjencia turke Anatolia raporton se qeveria britanike e ka publikua deklaratën “Transformimi nga energji qymyri në energji të pastër” (COP26), me të cilën ajo kryesoi këtë vit.

Sipas deklaratës, 190 vende, institucione financiare dhe organizata kanë formuar një koalicion global për të hequr gradualisht qymyrin.

Ndryshe, në mesin e vendeve në botë që edhe para COP 26 ranë dakord që të heqin dorë nga prodhimi i energjisë elektrike me qymyr është edhe Maqedonia e Veriut. Mbyllja graduale e REK Manastir është paraparë në Strategjinë e Energjisë deri në vitin 2040, në mënyrë që blloku i parë i REK-ut të mbyllet në vitin 2026, blloku i dytë në vitin 2032, ndërsa blloku i tretë do të punojë deri në fund të sezonit të ngrohjes 2039/2040. .

Përdorimi i qymyrit në prodhimin e energjisë elektrike është një nga shkaqet kryesore të emetimit të gazrave serë në atmosferë, që çojnë në ngrohjen globale. Përdorimi i këtij ndotësi të ajrit pritet të intensifikohet në sezonin e ardhshëm të ngrohjes në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vende të tjera, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button