Hoxha i Besës kërcënon me rrëzimin e qeverisë pasi KShZ-ja pranoi ankesën e BDI-së për Zhelinën

Sekretari i Përgjithshëm i Besës dhe ministri i Bujqësisë, Arianit Hoxha, mbrëmë përmes rrjeteve sociale ka dërguar një mesazh se Zhelina mund të rrëzojë qeverinë, transmeton Portalb.mk.

“Zhelina që ka lind një parti (si Lëvizjen BESA), mund të bëhet edhe Zhelinë që prish një Qeveri!”, ka shkruar Hoxha në mesazhin e shkurtër në Facebook.

Ky mesazh i Sekretarit të Përgjithshëm të Besës vjen ndërsa Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) mbrëmë vendosi për ankesat e parashtruara nga pjesëmarrësit në zgjedhje për votim në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Midis ankesave janë edhe dy nga BDI-ja që i referohen dy vendvotimeve në Zhelinë.

Njëra nga ankesat është për vendvotimin numër 2107, e cila nga BDI-ja është dorëzuar për dy arsye: për shkak të mospërputhjes së numrit të votuesve që janë identifikuar me aparaturat me numrin e votuesve që kanë nënshkruar në listën zgjedhore dhe për shkak se një person ka votuar me letërnjoftim me afat të skaduar. Këtë ankesë KSHZ-ja e pranoi, që do të thotë se sipas vendimit aktual do të ketë rivotim në këtë vendvotim.

Lidhur me ankesën për vendvotimin 2107, KSHZ vendosi me gjashtë vota “për” nga gjithsej shtatë anëtarë. Anëtari i shtatë ishte Oliver Ristovski i cili nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit. Megjithatë, vendimi përfundimtar mund të merret nga Gjykata Administrative nëse ngrihet padi kundër vendimit të KSHZ-së .

Rivotim do të mund të kishte pasi – nëse merret parasysh dallimi i votave dhe numri i votuesve në vendvotimin 2107, mund të vijë edhe deri te përmbysja e rezultatit në këtë komunë ku janë përballur kandidatët e BDI-së dhe Besës.

Përndryshe, në raundin e dytë fitoi kandidati i Besës, Blerim Sejdi, me vetëm 69 vota më shumë se Fatmir Izairi nga BDI. Sejdi kishte 5.171 ndërsa Izairi 5.102. Në vendvotimin 2107 ka gjithsej 741 votues, nga të cilët në rrethin e dytë votuan 340.

Ankesa e dytë që dorëzoi BDI-ja në Zhelinë ishte për vendvotimin 2108 dhe ka të bëjë me mospërputhjen e numrit të fletëvotimeve në kuti dhe nënshkrimeve në listën e votuesve. Në kutinë e votimit ishin 403 vota dhe në listën e zgjedhësve janë shënuar 402 votues. Megjithatë, lidhur me këtë anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se votuesi, që nuk është nënshkruar në listën zgjedhore, ditën e zgjedhjeve kishte parashtruar ankesë për mbrojtjen e të drejtës së votës dhe se ishte marrë vendim nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) me të cilin i lejohej të regjistrohet dhe të ushtrojë të drejtën e votës. Ai tha se votuesi në bazë të vendimit, është regjistruar në një formular, në të cilin është bërë inspektimi dhe kështu ka hedhur poshtë pretendimet e BDI-së se numri i fletëvotimeve dhe votuesve të regjistruar nuk përputhen.

Për refuzimin si të pabazë e ankesës së dytë të BDI-së për në Zhelinë votuan gjashtë anëtarë të KSHZ-së, ndërsa e vetmja që votoi për pranimin e ankesës ishte nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, e cila është anëtare e Komisionit si propozim i BDI-së.

Në përbërjen aktuale të KSHZ-së, tre anëtarë janë propozim i LSDM-së (Oliver Ristovski, Boris Kondarko dhe Radica Risteska), dy anëtarë janë propozim nga VMRO-DPMNE (kryetari Aleksandar Dashtevski dhe Boban Stojanoski), një nga BDI (nënkryetarja Ditmire Shehu) dhe një nga Aleanca për Shqiptarët / Alternativa (Krenar Lloga).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button