RMV, institucionet bashkëpunojnë shumë pak me Avokatin e Popullit për përmirësimin e mirëqenies së të burgosurve

Situata në burgjet e vendit ka përmirësim, megjithatë problemet afatgjate me kushtet për qëndrim, mbipopullimin e burgjeve, korrupsionin e stafit dhe kujdesin e pamjaftueshëm mjekësor për të burgosurit, vazhdojnë ende edhe sot. Në burgun e Shkupit, sipas raportit të fundit drejtuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pas vizitës së burgjeve në vend nga Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, të burgosurit janë në qelitë e tyre 23 orë në ditë, me vetëm një orë në ajër, dhe atyre u mohohet kontakti me fëmijët. Komiteti thekson se secilit të burgosur duhet t’i sigurohen 4 metra katrorë hapësirë. Kushtet në burgje gjithashtu duhet të jenë të mira për integrimin evropian të vendit, pasi kjo sferë bie në fushën e të drejtave themelore të njeriut, shkruan Portalb.mk.

Ndërkohë në raportin e Komitetit të Helsinkit, thuhet se të burgosurit, vend se në shtratin e qelisë, flenë në dysheme në korridor, ngrohin ujin në mënyrë të improvizuara dhe lahen me kova. Ndonjëherë nuk kanë as ujë. Vizita e përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kanë vërejtur sërish lëshime në burgun më të madh në vend. Gjatë kohës kur është bërë vizita në burgun e Idrizovës kishte 1083 të dënuar, çka tregon për mbipopullim. Për shkak të mungesës së ujit, shpesh lihen grumbuj enësh të palara, ku mblidhen insektet dhe mizat dhe përhapet erë e keqe. Burgu shërben vetëm 1 kanaçe peshk për dy veta, një jogurt i vogël për person për 3 vakte, një pjatë pure me dy salçiçe për 4 persona etj..

Pra situata vazhdon të mbetet megjithatë akoma shumë e vështirë.

Lidhur me këtë situatë Portalb.mk ka zhvilluar bisedë me Avokatin e Popullit Naser Ziberi. Ai shprehet se përmirësimi i kushteve në burgje është shumë i ngadaltë dhe shumë i vogël. Për këtë Ziberi thotë se është faji i shumë institucioneve. Këta të fundit janë jopërfillëse ose shumë pak bashkëpunuese ndaj kërkesave dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Ziberi përmendi tre nga shumë insitucione të cilat nuk bashkëpunojnë sa duhet, edhe atë Ministrinë e Shëndetësisë, Prokurorinë dhe Ministrinë e Drejtësisë.

“Mbipopullimi në burgje në kohët e fundit ka filluar të shfaqet si problem, sepse ka qenë tejet e rënduar deri para pesë viteve. Në tre, katër vitet e fundit është përmirësuar gjendja, mirëpo vitin e fundit, gjatë këtij viti 2021, përsëri në burgje të caktuara ka mbipopullim dhe sidomos ky problem shfaqet në burgjet e Shkupit, pasi Shkupi ka Entin ndëshkues-përmirësues Idrizovën dhe burgun e Shutkës, respektivisht paraburgimin”, thotë Ziberi.

AI shprehet se, Ministria e Shëndetësisë ka bërë pak për të mos thënë aspak. Atje, shton tutje, ka mungesë të theksuar të kuadrit shëndetësor, si të mjekëve, ashtu edhe të infermirëve. Ka mungesë të theksuar të stomatologëve. Ka mungesë të theksuar të medikamenteve për trajtim, ka mungesë të ilaçeve dhe barnave për trajtimin e personave në varësi të drogës dhe substancave të tjera të varshmërisë.

Naser Ziberi

“Pra problemet në këtë lëmi janë shumë të theksuara, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndërmarrë diçka serioze për ta tejkalur dhe ne u detyruam që me raport të veçantë ta njoftojmë edhe Qeverinë. Pas këtij raporti MSh na ka lëshuar një informatë se do të ndërmarrë masa serioze, e sidomos në disa burgje, se nuk është gjendja gjithkund e njëjtë, kjo është e theksuar në burgun e Kumanovës dhe sidomos me personat me varshmëri të drogës, por ne ende në fakt nuk shohim rezultat. Nuk është rritur numri i mjekëve, i stomatologëve, i infermierëve, i psikiatërve. Shpesh herë kur pranohet personat në paraburgim ose në mbajtje të dënimit në burgje paraprakisht duhet tu nënshtrohen këta persona dy kontrolleve, mjekut të përgjithshëm dhe atij psikiatrik. Kontroll psikiatrik gati se nuk iu bëhet asnjëherë askund. Pra një mori problemesh të natyrës së kujdesit shëndetësor dhe nuk jemi të kënaqur me zbatimin e rekomandimeve tona nga ana e këtij digasteri”, shprehet Ziberi.

Ai thotë se Ministria duhet të krijojë kushte që të ketë interesim mjekët të punojnë nëpër këto institucione, si kushte hapsinore ku punojnë ata, të cilat lënë shumë për të dëshiruar. Pajisje me instrumentet dhe me terapinë e nevojshme me medikamentet. Stimulim financiar. Shumë prej mjekëve nuk iu paguhen shpenzimet e udhëtimit, a burgjet, shton Ziberi zakonisht janë në pjesë periferike, nuk janë në qendra urbane, të ardhurat ejt. Pra ka një mori sendesh që duhet të rregullohen në mënyrë që personeli mjekësor të interesohet. dhe se Ministria nuk mund të mbetet vetëm në konstatimin se s’ka interes nga ana e mjekëve.

Institucionet zhvishen nga kompetencat për përmirësimin e kushteve të të burgosurve 

Portalb.mk komunikoi me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilën e pyeti se përse ndodh kjo mospërfillje, por gjithçka që morëm si përgjigje ishte se sa u janë rritur pagat mjekëve dhe asgjë konkrete për stimulimin financiar konkretisht të mjekëve në burgje, edhe pse vetë ministri Filipçe e kishte paralajmëruar një gjë të tillë. Përgjigjet e të tre institucioneve që i pyeti Portalb si karakteristikë të përbashkët kishin arsyetimin se nuk janë komptente për përmirësimin e gjendjes së burgjeve edhe pse, nëse jo drejtpërdrejtë, disa prej tyre kanë ndikim të tërthortë në ndryshimin e gjendjes në burgje.

“Në 4 vitet e kaluara, Ministria e Shëndetësisë është angazhuar në mënyrë aktive për motivimin shtesë të punonjësve shëndetësorë të punësuar në kujdesin shëndetësor primar, sekondar dhe terciar, duke përfshirë punonjësit shëndetësorë që punojnë në Shtëpitë e kujdesit shëndetësor. Në shtator të vitit 2018, 19.123 punonjësve në institucionet shëndetësore publike u janë rritur pagat. Me të gjitha rritjet e deritanishme, duke përfshirë edhe rritjet në shkurt 2020, paga bazë e mjekut specialist është rritur me 40%, e infermierëve midis 20% dhe 23%. Mjekëve të përgjithshëm me 25%, dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë me 15%. Ministria e Shëndetësisë nuk është kompetente dhe në kuadrin e saj ligjore përmirësimi i kushteve të burgjeve. Ministria është e hapur për të gjitha institucionet për bashkëpunim, MSH vazhdon të punojë dhe të krijojë politika më të mira shëndetësore në interes të profesionistëve shëndetësorë dhe qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Shendetesise

Përveç Ministrisë së Shëndetësisë, institucione jo aq bashkëpunueses Ziberi tha se janë edhe Prokuroria dhe me Mistrinë e Drejtësisë, respektivisht institucioni përkatës që zbaton sanskionet, pra Drejtoria për ekzekutimin e sanskioneve penale. Problem kanë, thekson ai, edhe me institucionet tjera, sidomos me Ministrinë e punës dhe politikës sociale, në sferën e kujdesit social.

Ndërkohë përgjigjet e Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për Portalb.mk, ishin si vijon:

“Sipas kompetencës ligjore, prokuroria nuk ka kompetenca të kujdeset apo të përmirësojë përmirësimin e kushteve në burgje. Lidhur me kallëzimet e parashtruara penale, ju sigurojmë se prokuroritë publike veprojnë për të gjitha kallëzimet penale të pranuara deri më tani, pavarësisht se kush është parashtruesi. Nëse keni informacion për ndonjë padi konkrete penale, ne jemi në dispozicionin tuaj për t’ju dhënë përgjigje specifike”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, thotë se ka bashkëpunim të mirë me Avokatin e Popullit dhe pas vërejtjeve të tyre, burgjet janë monitoruar rregullisht.

“Në mënyrë shtesë, është hapur vend i ri pune në kuadër të Ministrisë, përkatësisht është punësuar një bashkëpunëtor i lartë profesional për bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Avokatin e Shtetit, në mënyrë që të ketë bashkëpunim më të suksesshëm ndërmjet institucioneve. Ministria e Drejtësisë po punon vazhdimisht për përmirësimin e kushteve të burgjeve. Njoftuam edhe një investim prej 25 milionë eurosh për hapësira dhe reparte krejtësisht të reja në burgun tonë më të madh Idrizovë. Me çka ai do të kthehet në një burg modern me të gjitha standardet më të larta. Në mënyrë shtesë, intervenime të çdo ditshme bëhen pothuajse në të gjitha burgjet, ku ka përmirësim të kushteve. Në atë drejtim do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me atë se çfarë “instrumentesh” tjera ka Avokati i Popullit nëse rekomandimet e tij nuk i merr parasysh Qeveria Ziberi thotë:

Kuvendi

“Pas Qeverisë, instanca e fundit është Parlamenti dhe njoftimi i opinionit me konstatimet tona, që mendoj se mund t’i shkaktojë kokçarje serioze organit i cili nuk vepron në bazë të rekomandimeve. Dhe sigurisht që raportet tona, të gjitha institucionet ndërkombëtare të lëmisë së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut i akceptojnë dhe në raportet e tyre çdoherë thirren në konstatimet e Avokatit të Popullit, duke filluar që nga Raporti i të drejtave të njeriut i Stejt Departamentit dhe institucionet tjera me radhë”.

Ai thotë se në bazë të ligjit për Avokatin e Popullit në afat pret tetë ditëve organet duhet t’i përgjigjen shkresave të tyre, por ndodh që nga gjashtë muaj nuk iu përgjigjen.

“Tani jemi në fazë të një analize që nga janari, deri në muajin shtator se si janë përgjigj institucionet shkresave tona, rekomandimeve tona dhe ne atë analizë përveç që do t’ia dërgojmë qeverisë dhe Kuvendit do ta bëjmë edhe publike. Besoj deri nga pjesa e dytë e këtij muaji , brenda dy tre jave do të jetë e gatshme. Do ta publikojmë edhe në ueb-faqe edhe në konferencë për shtyp”, tha Ziberi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button