I dha klientit 1500 euro, pastaj i kërkonte 90 mijë euro në formë fajdesh, Policia paralajmëroi padi për 52 vjeçarin

Një 52 vjeçar nga Likova në vitin 2014 kishte dhënë 1 500 euro borxh te një person, ndërsa sivjet kërkoi prej tij 90 mijë euro, ndërkohë kishte marrë shtëpinë e tij, transmeton Portalb.mk. Policia sqaroi që i dyshuari tashmë është në burg për vepër tjetër penale.

“SPB Kumanovë parashtroi kallëzim penal kundër B.S. (52) nga f. Opajë- Likovë, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ”fajde”. Gjatë vitit 2014, i denoncuari personit H.I. nga f. Opajë i ka dhënë hua 1.500 euro dhe duke e shfrytëzuar gjendjen e tij materiale e ka kushtëzuar me kamatë mujore 500 euro, kurse borxhi kryesor të mbetet i njëjti”, sqarojnë nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Borxhi i tij pastaj në vitin 2015 ishte rritur në 20 mijë euro, por përsëri nuk kishte arritur ta shlyej. Për këtë, në vitin 2016 me marrëveshje te noteri e kanë nënshkruar që shtëpia në fshatin Opajë t’i kalojë 52 vjeçarit.

“Derisa H.I. ka qenë duke punuar jashtë vendit që të sigurojë shumën e kërkuar, B.S. e ka detyruar bashkëshorten e H.I. me familjen ta lëshojë shtëpinë, kurse pasi është kthyer në tetor 2020, H.I. përmes ndërmjetësuesit ka realizuar kontakt me të denoncuarin, i cili ka kërkuar nga ai deri në muajin mars të vitit 2021 të i jep 90.000 euro që t’ia kthejë shtëpinë”, sqarojnë nga Policia.

Ndryshe, Policia e Maqedonisë së Veriut në muajin mars ka paralajmëruar aksionin kundër “fajdeve”, si pjesë e luftës për rritjen e sigurisë së përgjithshme në vend, për çka ka kërkuar nga qytetarët të paraqesin rastet edhe në mënyrë anonime. Policia, duke e përkufizuar “fajden” si dhënie e të hollave hua me kamatë shumë të lartë, përkujtoi që në bazë të nenit 260 nga Kodi Penal, kjo është një vepër e dënueshme deri më 3 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button