Ndryshimi

Në zgjedhjet lokale qytetarët votuan dhe zgjodhën kush do ti udhëheqë komunat në të cilat ata jetojnë. Por në këto zgjedhje qytetarët nuk bënë vetëm zgjedhje lokale, ata zgjodhën të ndryshojnë edhe qeverinë.

Në fakt zgjedhjet lokale nuk duhet të kenë lidhshmëri direkte me ato parlamentare. Në zgjedhje parlamentare zgjidhet kryeministri dhe qeveria, aty vendoset drejtimi i shtetit dhe kahja e tij. Në zgjedhje lokale duhet të vendoset për politika vendore dhe për kandidatë që duan të bëhen prijës të komunave e të cilët do të meren me çështjet e përditësisë në ato komuna.

Megjithatë, në vendet tona shohim që llojet e ndryshme të zgjedhjeve shkaktojnë lëvizje tektonike në nivele të ndryshme të pushtetit. Në vitin 2016 me përpjekje që i ngjanin punës së Sizifit u arrit ndryshimi në nivel qendror me zgjedhjet parlamentare pas të cilave, me shumë vështirësi u krijua qeveria e parë me kryeministër Zoran Zaev. Sulmi në kuvend në Prill të vitit 2017 dhe krijimi me gjak i qeverisë së atëhershme bëri që me inercion të fitohen edhe zgjedhjet lokale të po të njëjtit vit. Për vetëm një mbrëmje, harta komunale e Maqedonisë së Veriut u ngjyros nga e kuqja në të kaltër.

Katër vite më vonë, në vitin 2021, vetëm një vit pas krijimit të qeverisës së dytë me kryeministër Zoran Zaev, në zgjedhjet lokale që sapo mbaruan, harta komunale e Maqedonisë së Veriut sërish brenda një nate u ngjyros rishtazi nga e kaltëra në të kuqe. Si pasojë e kësaj, Zoran Zaev, pas vetëm një viti të përfunduar në mandatin e tij të dytë, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të partisë. Kjo dorëheqje jehoi brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Mendoj që kryeministri barti mbi supet e tij më shumë peshë se që i takon. Ai vetëm para një viti mori mandatin e dytë për të qeverisur sipas programit politik që fitoi shumicën në zgjedhjet parlamentare. E megjithatë, ai doli dhe u përball sikur të ishte fajtor kujdestar për secilin dështim në secilën komunë që udhëhiqej nga kuadro të partisë së tij. Ai barti përgjegjësinë për secilën rrugë të paasfaltuar, për secilën hedhurinë të parecikluar dhe për secilën pakënaqësi të shprehur nga secili qytetar. Ai doli vullnetar për bartjen e tërë kësaj përgjegjësie dhe premtoi dorëheqjen e tij në rast të humbjes së Qytetit të Shkupit.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, ku qytetarët ende ecin pranë statujave qesharake të projektit makabër Shkupi 2014, vendosi që të kthejë në pushtet fuqishëm ata kundër të cilëve votoi etshëm në vitet 2016-17. Kërkesa për ndryshim është e kuptueshme, por ndryshimi duhet kërkuar nga ata që janë zotuar të ndryshojnë dhe jo nga ata që kanë mbetur të ngujuar në të kaluarën. Këto zgjedhje lokale fuqizuan VMRO-DPMNE-në e pareformuar dhe të Majtën shovene që arriti të grumbullojë 50.000 vota, shumë më tepër vota se disa nga partitë shqiptare aktive në këtë shtet e që nuk e kanë për qeder koalicionimin me partinë është kundër Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe njohejs së shtetit të Kosovës. Këto zgjedhje është e qartë që do të sjellin ndryshim, nëse ndryshimi mendohet se është kthimi në të kaluarën jo aq të lavdishme të disa viteve më parë.

Nuk mendoj se dorëheqja ishte hapi i duhur që duhej të bënte kryeministri Zaev, por e kuptoj plotësisht veprimin e tij. Njeriu që zgjidhi problemin tridhjetvjeçar të shtetit lidhur me emrin, dhe për këtë bashkë me kolegun e tij Tsipras (që humbi zgjedhjet kohë më parë në Greqi) u nominuan për shumë çmime; njeriu që e futi Maqedoninë e Veriut në NATO dhe siguroi stabilitetin e shtetit, njeriu që nuk i keqpërdori asnjëherë tensionet ndëretnike por u mundua të vendosë një frymë të re bashkëpunimi, njeriu që bëri shumë që ky shtet të kthehet në rrugën e integrimint evropian nga e cila kishte kohë që ishte larguar, u ballafaqua me humbje spektakolare në zgjedhjet ku ai vetë vendosi të dalë garantues i gjithë kuadrove të partisë së tij.

Një javë më herët shkruajta sa i vështirë dhe i mundimshëm është progresi dhe sa i lehtë regresi. Këtë e shohim më së miri në kakofoninë e deklaratave të ndryshme të të rikthyerve në pushtet. VMRO-DPMNE tani thotë që Marrëveshja e Prespës është punë e kryer por zgjedhjet i fitoi me premtimin se do ta revokojë këtë marrëveshje. Në disa komuna ajo bën egzibicione të çuditshme me kthimin e emrit të vjetër në dokumente zyrtare. E në ndërkohë Greqia bën të ditur që do ta rishikojë përkrahjen e dhënë për hapjen e negociatave të RMV për aderim në BE nëse kjo retorikë lidhur me Marrëveshjen e Prespës vazhdon. Sa shpejt mund të humbet gjithçka e fituar me shumë mund gjatë katër viteve të kaluara.

Dorëheqja e kryeministrit Zaev është poashtu një mesazh i hidhur por që domosdoshmërisht duhej dërguar deri te partnerët strategjikë të vendit, deri te vetë Bashkimi Evropian që nuk e pa të arsyeshme pas gjithë atyre përpjekjeve sizifiane, pas hapërimit të shtetit qartësisht në rugën perëndimore, të mos japë as edhe shenjën më të vogël se hapja e bisedimeve për aderim do të bëhet realitet. Ishte vetëm një datë për hapjen e bisedimeve dhe asgjë tjetër, e as këtë BE nuk ishte në gjendje ta bëjë. BE ishte në gjendje ta kritikojë veten pse nuk e bën e megjithatë të mos e bëjë veprimin e duhur.

Ndoshta qytetarët do të jenë të kënaqur me ndryshimin. Ata megjithatë e votuan ndryshimin bindshëm, duke bërë që ngjyra e hartës komunale të ndryshojë dukshëm përsëri. Tani mbetet ti shijojnë frytet e ndryshimit të votuar.

Ndoshta edhe Bashkimi Evropian do të gjejë partner më të mirë për bisedime se kryeministri tani më në dorëheqje. Ndoshta lideri i pavendosur i VMRO-DPMNEsë do të tregohet jashtëzakonisht i aftë për ti sjellë vendimet e rënda në momentin kur do të fitojë mandat për ta bërë këtë.

Ndoshta LSDM do të gjejë lider tjetër të cilin do ta çmojë më shumë për vendimet e rënda dhe për punën epokale për të çuar shtetin përpara.

Ndoshta kemi shpejtuar kur punuam fuqishëm për ndryshim të kahjes së shtetit në vitin 2016, ndoshta megjithatë, shumica në këtë shtet nuk dëshiron të jetojë në perëndim por në lindje, atje ku demokracia nuk prodhon fryte dhe ku njerëzit janë dakord të jetojnë në despoti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button