RMV, Antikorrupsioni: Pandëshkueshmëria dhe moszbatimi i ligjeve – problemet kryesore në mbrojtjen e mjedisit jetësor

Pandëshkueshmëria dhe moszbatimi i ligjeve janë theksuar si probleme kryesore në mbrojtjen e mjedisit jetësor në debatin e sotëm publik me titull “Gjendja e mjedisit jetësor – menaxhimi me mbeturinat” në organizim të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e KSHPK, Biljana Ivanovska, në paraqitjen e saj theksoi mjedisin jetësor si sektor me probleme primare në luftën kundër korrupsionit.

“Vlerësojmë se problem akut me të cilin ballafaqohet sektori i mjedisit jetësor është implementimi jo i duhur i ligjit për menaxhim me mbeturina në pjesën e menaxhimit të integruar dhe rajonal me mbeturinat. KSHPK vërtetoi se ndërmarrjet publike komunale janë në përgjithësi në gjendje të keqe dhe jo efikase në menaxhimin me mbeturinat. Duke pasur parasysh se, Strategia nacionale në thelbin e saj synon drejt përmirësimi të jetës së qytetarëve dhe çlirimit të shoqërisë nga korrupsioni, është e domosdoshme që të sigurohet mbështetje e plotë në këtë proces”, tha Ivanovska.

Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini gjatë këtij debati tha se, edhe pse sektori për mbeturina vlerësohet si degë e cila është jashtëzakonisht e cenueshme, për arsye se ajo paraqet sistem shumë të ndërlikuar, megjithatë në të viteve të kaluara janë investuar përpjekje shtesë, para së gjithash në sjelljen e rregullativës ligjore, e cila parasheh rregulla shumë më strikte në fushën dhe në kufizimin e veprimtarisë joligjore.

“Në këtë drejtim, me rregullativën e re në pjesën e menaxhimit me mbeturina janë vendosur rregulla më strikte për ndjekjen e transportit të mbeturinave, janë rritur gjobat dhe janë vendosur masa më strikte për kontroll të subjekteve që menaxhojnë me mbeturina. Kjo do të thotë se, të gjithë prodhuesit do të jenë të kyçur në proces dhe ato do të duhet që me ministrinë dhe me Drejtorinë për të Ardhura Publike të kenë marrëveshje për përgjegjësi, me të cilën ne do t’i dimë sasitë e mbeturinave të prodhuesve dhe ato do të duhet të paguajnë çmim që çdo vit do të rritet dhe pas vitit të tretë këtë përgjegjësi do ta marrë Komisioni Rregullator për Energjetikë, përderisa nuk ka treg juridik dhe efikas për çmime të këtilla”, tha Nuredini.

Sreten Stojkovski, u.d. drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor, theksoi se edhe pse Ligji për menaxhim me mbeturina është ligji i parë i harmonizuar me legjislacionin evropian nga fusha e mjedisit jetësor, ne si shtet ende nuk kemi vendosur sistem adekuat për menaxhim me të gjitha rrjedhat e mbeturinave.

Në debatin publik morën pjesë më shumë ekspertë, gazetarë, përfaqësues të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve, pikëpamjet e të cilëve KSHPK do t’ua dorëzojë institucioneve kompetente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button