Po bëhen dy muaj nga zjarri në Spitalin Modular të Tetovës, Prokuroria ende në pritje të ekspertizave

Po bëhen gati dy muaj nga ngjarja tragjike në Spitalin Modular për Kovid në Tetovë dhe ende s’ka asnjë rezultat nga hetimi. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësi morale apo penale për rastin ku humbën 14 persona. Opinioni vazhdon të mbetet peng i pyetjeve që autoritetet assesi t’u japin përgjigje. Madje, duke pritur përgjegjësi nga autoritetet qeveritare, kryeministri dha dorëheqje, por jo për rastin në fjalë, por për humbjen e zgjedhjeve lokale. Prokuroria nuk tregon asgjë, dërgon përgjigje me fjali të zbrazëta, shkruan Portalb.mk.

Prokurorët ende nuk kanë arritur që të identifikojnë fajtorin/ët për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, pavarësisht se kanë kaluar thuajse dy muaj, ata ende janë në pritje të ekspertizave që i kanë urdhëruar, në mesin e të cilave është edhe ekspertiza e ekspertëve gjerman.

“Prokurorët publik të cilët ndërmarrin veprime në drejtim të pastrimit të arsyeve për zjarrin në Spitalin Modular Kovid në Tetovë, në mënyrë intensive veprojnë. Pritet që në Prokurori të arrijnë raportet nga ekspertizat e urdhëruara, në mesin e te cilave edhe ekspertiza nga ekspertët e Gjermanisë. Pasi që të mblidhen provat materiale dhe verbale, prokurorët do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë, do të konstatohet nëse dhe ku ekziston përgjegjësi penale, pas së cilës do të miratohet edhe vendim për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, kështu thonë për Portalb.mk nga Prokuroria në lidhje me atë se deri ku është procedura për zjarrin në Spitalin modular të Tetovës.

Përgjigje të njëjtë nga Prokuroria na dhanë edhe më 14 tetor, pra para 20 ditëve.

Prokuroria nuk tregon as afat kohor se deri kur duhet që të mbarojnë të gjitha këto veprime, duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe pritjen e familjarëve dhe mbarë qytetarëve për ta mësuar sa më shpejtë të vërtetën, edhe pse publikuan një raport të krim-teknikës së MPB-së, e cila mbase tregon vetëm se si është shkaktuar zjarri, por nuk është tregues nëse dikush duhet të bartë përgjegjësi.

Autoritetet shpejtuan të shfajësohen, pa përfunduar hetimi

Pavarësisht se hetimet ende nuk kanë përfunduar, menjëherë pas publikimit të vetëm një raporti policor nga ana e Prokurorisë, vetë kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendësi i tij i parë, Artan Grubi menjëherë dolën në opinion për t’i shfajësuar nga çdo përgjegjësi kolegët e tyre nga Ministria e Shëndetësisë dhe duke e cilësuar rastin si ngjarje tragjike.

“Nuk ka arsye që të lokalizohet përgjegjësi politike ose menaxheriale te ministri Filipçe dhe zëvendësi i tij Hasani”, tha Zaev, ndërkaq Grubi tha se “dukshëm bëhet fjalë për fatkeqësi dhe rast tragjik”.

Sipas raportit të krim-teknikës së MPB-së, që e zbardhi Prokuroria, zjarri është shkaktuar nga kablloja-vazhduese në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, por kjo nuk nënkupton se është zbardhur rasti dhe ky rast të përcillet me vetëm “ngushëllime për ata që humbën jetën”. Opinioni është i interesuar ta dijë se, edhe nëse është shkaktuar nga këto rrethana, kush duhet të jetë përgjegjës për vendosjen e atij kabllo-vazhduesit. A i ka përmbushur standardet përkatëse dhe a ka pasur kontrolle përkatëse në sistemin e shpërndarjes elektrike te spitali modular.

Gjithashtu, ende nuk ka raport nga shkencëtarët e mjekësisë ligjore nga Gjermania, të cilët kanë qenë vëzhgues të ekspertizave. Nuk ka ndonjë detaj në lidhje me hetimin e Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në lidhje me tenderin dhe spitalet modulare dhe nëse ata i plotësonin standardet themelore të sigurisë, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së tyre.

Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili
Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili

Pyetjet për ngjarjen që ende s’kanë përgjigje

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë? Megjithëse raporti tregon arsyen e shpërndarjes së zjarrit, por nuk e tregon nëse materiali ndërtimor ka qenë rezistent ndaj zjarrit ose jo. Sipas raportit të krim-teknikës, zjarri është shpërndarë me shpejtësi pasi që përqindja e oksigjenit në tërë spitalit ka qenë e zmadhuar, por edhe për shkak të dëmtimit të instalacionit të oksigjenit gjatë zjarrit, Ndaj kësaj ka kontribuar edhe fakti që në hapësirën e nënçatisë së objektit nuk ekzistojnë ndarje mes moduleve/hapësirave dhe korridorit, të cilat do të ndihmonin ta ngadalësonin zjarrin.

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre. Qytetarët me plotë të drejtë pyesin se si ka mundësi që shteti i dënon dhe përndjek ata që nuk i respektojnë rregullat anti-kovid, ndërkaq vetë shteti i ka detyruar qytetarët që të kujdesen për familjarët e tyre të prekur nga Kovid-19, madje brenda spitalit?

Sa prej këtyre qytetarëve të cilët kanë qenë të detyruar që të kujdesen për familjarët e tyre e kanë nxjerrë virusin nga spitali dhe e kanë shpërndarë gjithandej në kohën kur epidemia ishte në kulm dhe kishim me dhjetëra të vdekur në ditë? A nuk duhet të ketë para se gjithash përgjegjësi morale, por gjithsesi edhe penale për ata zyrtarë që e kanë ditur që po ndodh kjo dhe nuk e kanë paraqitur në organet përkatëse? Ose e kanë paraqitur, por organet përndjekëse nuk kanë ndërmarrë asgjë?

Mbase redaksia jonë është kurioze ta dijë se prej cilit shtet është marrë ky model, apo cila organizatë shëndetësore rekomandon që familjarët të kujdesen për pacientët në spitalet infektive, gjegjësisht të kovidit? Rrjedhimisht me këtë, edhe nëse janë respektuar standardet e ndërtimit të objektit ashtu siç thonë autoritetet, sa janë respektuar standardet e punës, ku paralelisht me stafin mjekësor, ka punuar edhe stafi “ndihmës-familjar”?.

E derisa mbarë opinionit i sillen nëpër mend këto dhe shumë pyetje tjera, ne si redaksi vazhdojmë të insistojmë tek autoritetet përkatëse që ta zbatojnë detyrimin e tyre të transparencës për të na treguar detaje për rastin sepse çdokush prej nesh duhet ta dijë të vërtetën e vetme dhe rrethanat e provat përkatëse. Kjo është minimalja që autoritetet e kanë borxh fillimisht ndaj familjarëve të viktimave, e pastaj edhe ndaj tërë opinionit, nga i cili marrin rrogë.

Rrjedha e ngjarjeve

Më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona (8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç, 12 prej tyre ishin pacientë dhe 2 familjarë të viktimave që janë kujdesur për ata). Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Më 17 shtator në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së. Katër policë u plagosën lehtë në këto protesta. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrijnë në selinë e BDI -së, dhe më parë hodhën vezë në ndërtesën e komunës. Për këtë 5 protestues u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim.

Më 13 tetor, pesë personat e arrestuar nga protestat e 17 shtatorit në Tetovë, para gjykatësit pranuan fajin dhe iu kërkuan falje policëve. Ata u dënuan me nga 1 vjet burg me kusht që për tre vjet të mos e përsërisin veprën e njëjtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button