Teuta Arifi ia dorëzoi Bilall Kasamit Komunën e Tetovës (VIDEO)

Sot në hapësirat e Komunës së Tetovës, Këshilli Komunal Zgjedhor i ndau Bilall Kasamit vërtetimin për zgjedhjen si kryetar i Komunës së Tetovës. Ndërkaq, u bë edhe pranim-dorëzimi i mandatit midis ish kryetares Teuta Arifi dhe kryetarit aktual, Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.

Kryetarja e Komisionit Komunal Zgjedhor fillimisht i ndau Billall Kasamit, vërtetimin si i pari i Tetovës. Ndërkaq më pas u bë edhe pranim-dorëzimi ndërmjet dy kryetarëve, Teuta Arifit- tani më në ikje dhe Bilall Kasamit- i cili sapo e morri këtë detyrë.

Kryetari i sapo emëruar, Bilall Kasami falënderoi përkrahësit e idesë së tyre nga ku tha se me fitoren e tyre u rikthye shpresa për një jetë me dinjitet në Tetovë. Kështu u shpreh ai në fjalimin e tij të parë si kryetar i Komunës së Tetovës:

“Prej sot, mua dhe ekipin tim na pret një punë shumë e vështirë dhe e rëndë, por me kapacitetin profesional dhe moral që kemi. Që nga ky moment do të filloj skanimi i situatës aktuale në Komunën e Tetovës dhe padyshim menjëherë duke ndjekur dispozitat ligjore do të angazhojmë specialist nga jashtë institucionit për revizion të plotë. Qytetarët dhe institucionet kompetente duhet ta dinë se si dhe ku janë harxhuar paratë e tyre. Qytetarët e Tetovës duhet ta dinë saktë sa borxhe ka komuna e tyre dhe si janë krijuar ato. Transparenca fillon prej këtu, kush ka keqpërdorur mjete financiare publike do të përgjigjet. Menjëherë do të fillojmë skanimin e punës së ndërmarrjeve publike dhe mbase edhe emërimin e udhëheqësve të ri të këtyre ndërmarrjeve.

Bilall Kasami
Bilall Kasami

Sot dua ta rikonfirmoj zotimin që kam dhënë në fushatë, se pjesëtarët e administratës komunale të cilët bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, jo vetëm që do të kenë përkrahjen time të plotë, por do të angazhohem për avancimin e tyre në mënyrë që të marrin vendin e tyre të merituar. Të gjithë të tjerët, të cilët asnjëherë nuk janë paraqitur në vendin e punës dhe kanë marrë rroga dhe pasushalle në kurriz të qytetarëve, ju bëj thirrje të tërhiqen vetë. Shpresoj që deri në fillim të javës do të kemi planin aksional njëqind ditor, të cilin do ta bëjmë publik. Prej nesër unë dhe ekipi do të jemi në terren, atë që u zotuam në fushatë fillojmë ta realizojmë.” tha Bilall Kasami.

Teuta Arifi, ish kryetarja e Tetovës tha se ashtu si e kërkojnë rregullat demokratike, ashtu e kryem procedurën e pranim-dorëzimit sipas vullnetit të shprehur nga ana e qytetarëve.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Dëshiroj kryetarit të zgjedhur tani më, t’i dëshiroj sukses në punën e tij ashtu që të bëhen punë sa më të mira për qytetin tonë dhe për qytetarët tanë. Gjithashtu falënderoj të gjithë qytetarët për përkrahjen e deritanishme, gjithë administratës për punën e bërë, juve përfaqësuesve të mediave për punën e bërë, si dhe të gjithë familjarët e mi. Udhëheqja e një qyteti është një sfidë jo e lehtë. një sfidë me shumë vështirësi por në të cilën besoj dhe mendoj se me vullnet dhe me përkrahje mund të bëhet. Udhëheqja e një qyteti, veçanërisht e Tetovës ka qenë dhe do të mbetet një sfidë përherë, qytetet tona dhe të punoni në Ballkan është një punë jo e lehtë. Jam e bindur se me punë, determinim, me angazhim shumë gjëra mund të bëhen mirë. Mirëpo lehtë për me qenë nuk ka qenë, nuk do të jetë po dëshiroj që të ketë sukses, jam këtu për të thënë dhe për të dëshiruar sukses.” tha Teuta Arifi.

Të pyetur nga Portalb.mk për spekulimet se ditëve të fundit në Komunën e Tetovës janë shkatërruar dokumente deri në orët e natës, Teuta Arifi tha se vetëm mund ta mohojë atë.

“Ne kemi zbrazur zyrat tona për shkak se këto zyra kanë qenë zyra në të vilat kemi punuar tetë vjet, ka pasur gjëra personale të cilat është dashur të merren. Ndryshe nuk mund të hiqet asgjë nga ajo që është e arkivuar, ka rregulla, ka ligje.” tha Teuta Arifi.

Ndërsa Bilall Kasami tha se gjithçka në detaje do të analizohet dhe gjithë shkeljet e ligjit që janë bërë, do të ketë përgjegjësi.

Për ta pasur shumicën prej 16 këshilltarëve, kryetari i sapo-zgjedhur i Tetovës, Bilall Kasami duhet të bëjë koalicion me 4 subjekte tjera pjesëmarrëse në këshill. Ai tha se kanë siguruar shumicën, por nuk dha më shumë detaje.

Ndryshe, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 31 tetor, votuan 39,371 votues nga numri i përgjithshëm prej 85,577. Dallimi i i votave midis dy kandidatëve ishte 5,049 vota (12,82%) nga ku Bilall Kasami, nga Lëvizja Besa doli fitues me 21,591 vota (54,84%) nga ku mundi Teuta Arifin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila mori 16,542 vota (42,02%).

Rikujtojmë që Kasami dhe Arifi u përballën edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2017, nga ku Arifi mundi Kasamin me 642 vota epërsi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button