UNHCR u kërkon qeverive të përshpejtojnë zgjidhjen e problemit të personave pa shtetësi

Duhet më shumë punë për të trajtuar gjendjen e miliona njerëzve pa shtetësi në mbarë botën, bëri thirrje sot Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) me rastin e shënimit të përvjetorit të shtatë të fushatës #UnëPërkas për t’i dhënë fund këtij problemi, transmeton Portalb.mk.

Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Filippo Grandi thotë se është bërë përparim domethënës në vitet e fundit, por qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të mbyllur boshllëqet ligjore dhe procedurale që vazhdojnë të lënë miliona njerëz pa shtetësi ose të lejojnë fëmijë të lindin pa shtetësi.

Sipas UNHCR-së, gjendja pa shtetësi ose shteti në të cilin nuk njiheni si qytetar i ndonjë vendi, prek miliona njerëz në mbarë botën.

Siç theksojnë ata, njerëzit pa shtetësi shpesh nuk kanë akses në të drejtat më elementare, duke përfshirë mundësinë për të shkuar në shkollë, për të punuar ligjërisht, për të pasur akses në kujdesin shëndetësor, për t’u martuar ose për të regjistruar lindjen e fëmijës së tyre.

“Që kur UNHCR-ja nisi fushatën e saj #UnëPërkas në vitin 2014 për të tërhequr vëmendjen dhe për të ngritur zërin për të zhdukur gjendjen pa shtetësi në botë, më shumë se 400.000 personave pa shtetësi në 27 vende u është dhënë shtetësia, ndërsa dhjetëra mijëra në Azi, Evropë, Afrikë dhe Amerikë janë tani në rrugën drejt shtetësisë si rezultat i ndryshimeve të reja  ligjore të miratuara”, thuhet në një deklaratën e UNHCR-së.

Gjatë shtatë viteve të fundit, 29 shtete kanë aderuar në Konventat për pa shtetësi, duke dërguar sinjal për vullnet politik për çrrënjosjen e tyre.

“Na inkurajon përpjekja globale për të trajtuar pashtetësinë, të cilën mund ta zhdukim përmes përpjekjeve të bashkërenduara nga shtetet. Por pa përparim, miliona që mbeten pa shtetësi do të mbeten të izoluar dhe nuk do të jenë në gjendje të kenë akses në të drejtat më elementare të njeriut”, konsideron Grandi.

Sipas UNHCR-së, gjendja pa shtetësi ka shumë shkaqe që zakonisht janë rezultat i boshllëqeve ose të metave në ligjet e shtetësisë dhe mënyrën e zbatimit të tyre. Diskriminimi – duke përfshirë në bazë të përkatësisë etnike, fesë dhe gjinisë – është faktor kryesor për gjendjen pa shtetësi.

“Për shkak se nuk njihen si qytetarë, shpeshherë personave pa shtetësi u privohen të drejtat ligjore apo shërbimet elementare. Kjo i bën ata të margjinalizuar politikisht dhe ekonomikisht dhe të cenueshëm ndaj diskriminimit, shfrytëzimit dhe abuzimit. Ata gjithashtu mund të mos kenë akses në testim, trajtim ose vaksinim kundër KOVID-19 dhe mund të kenë akses të kufizuar në mbështetje ose mbrojtje kundër rreziqeve klimatike”, njoftuan nga UNHCR.

Ata theksojnë se qeveritë kanë fuqinë të miratojnë reforma ligjore dhe reforma të politikave që mund të ndihmojnë personat pa shtetësi në territorin e tyre të marrin shtetësinë ose ta parandalojnë atë që të mos ndodhë fare.

Fushata dhjetëvjeçare e UNHCR-së, #UnëPërkas, u kërkon shteteve t’i japin fund pashtetësisë deri në vitin 2024.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button