Uebinar për Kovid-19: Vaksinat nuk sëmurin, por dezinformatat mund të vrasin

Fondacioni Metamorfozis organizoi uebinar për gazetarë për faktet kyçe për Kovid-19 dhe vaksinimin, në përpjekje që t’u ndihmojë më lehtë t’i njohin dhe të ballafaqohen me dilemat e ndryshme, por edhe dezinformatat, që paraqiten për temën virusi korona dhe vaksinimin. Vëmendje e posaçme iu kushtuar dezinformatave se vaksinat janë të rrezikshme – se shkaktojnë Kovid-19 dhe se e ndryshojnë ADN-në e pacientit, shkruan Meta, transmeton Portalb.

Mjekja Aleksandra Georgieva, specializante e kardiologjisë dhe kryetare e Shoqatës së mjekëve-specializantë në uebinar i kushtoi vëmendje faktit që edhe pse shumica e dinë qartë se çfarë janë dezinformatat, kujdes i veçantë do të duhet t’i kushtohet informatave të fshehura të fabrikuara të publikuara nëpër media.

“Ata e imitojnë përmbajtjen e tekstit cilësor gazetaresk, por me analizë më të hollësishme shihet se janë lajme të fabrikuara. Ka lajme pjesërisht të fabrikuara të cilat prezantojnë një informatë dhe e nxjerrin nga konteksti, me ç’rast e shtrembërojnë fotografinë e vërtetë për Kovid-19. Në lajmet e tilla më së shpeshti nuk ka burim të studimit, ose rekomandime nga institucione relevante”, shpjegoi Georgieva.

Ajo shtoi se mjekësia e cila zbatohet në vendin tonë, bazohet në studime dhe rregulla tashmë ekzistuese të vendosura nga Unioni Evropian i Mjekëve.

Si fushë posaçërisht e frytshme për përhapje të dezinformatave ose informatave pjesërisht të vërteta, Georgieva i përmendi Internetin dhe rrjetet sociale, dhe theksoi se ato ndonjëherë janë burim i shumë problemeve të vërteta që mund të shkaktojnë dëmtime serioze mbi shëndetin, madje edhe vdekje.

“Problemi del pasi që pacientët ‘marrin diagnozë’ në internet, në Google, e cila mund të jetë edhe e pasaktë, ata nuk shkojnë të këshillohet me mjek, por mjekohen vet”, theksoi Georgieva dhe shpjegoi se për këtë arsye ndodhin pasoja të padëshiruara tek pacientët, të cilët mund të përfundojnë edhe tragjikisht.

Gjatë raportimit për Kovid-19, ajo theksoi se mediat duhet çdoherë t’i verifikojnë studimet të cilave iu referohen burimi, si dhe se kush i sponsorizon.

Lidhur me statistikat ditore për përqindjen e popullatës së vaksinuar të cilat çdo ditë i kumton Ministria e Shëndetësisë, Georgieva theksoi një mangësi.

“Person i vaksinuar llogaritet kur është vaksinuar me dy doza. Sipas kësaj, informata e saktë se sa qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë vaksinuar është shifra e atyre të cilët i kanë pranuar që të dy dozat”, tha Georgieva.

Lidhur me dezinformatat e numërta të cilat u përhapën në opinion rreth efikasitetit të vaksinave për shkak të periudhës së shpejtë në të cilin janë zhvilluar, mjekja theksoi se të gjithë vaksinat, pa dallim se nëse janë për Kovid-19 ose sëmundje tjera, kalojnë përmes një standardi rigoroz për aprovim.

Georgieva foli edhe për një trend negativ të besueshmërisë – se ata të cilët kanë marrë vaksinë mund të sëmuren nga Kovid-19 nga vaksina ose madje ADN-ja e tyre të ndryshojë. Ajo theksoi se vaksina në asnjë rast nuk mund të inkorporohet në strukturën gjenetike të njeriut dhe se nuk e ndryshon ADN-në.

“Vaksina nuk mund të shkaktojë infektim nga Kovid-19. Paraqiten reagime të zakonshme, të cilat mund të zgjasin deri në dy ose tre ditë. Ndërsa, ky është reagim normal imunologjik”, shpjegoi Georgieva.

Ajo shtoi edhe se nuk guxon të krijohet mendim se vaksina është barrierë magjike dhe se edhe pse dikush i ka marrë të dy dozat e vaksinës, megjithatë duhet të vazhdojë t’i zbatojë masat e parapara për mbrojtje.

Gjithashtu, mjekja tha se që të arrihet raportim i saktë dhe i drejtë për sëmundjen, gazetarët duhet të kenë konsultime me persona mjekësor. Në këtë mënyrë do të parandalohet dezinformata e pjesërishme.

Pjesëmarrësit në uebinar konkluduan edhe se mjekët duhet të sillen në mënyrë profesionale dhe të përmbahen nga qëndrime private dhe të papërmbajtura gjatë intervistave në media, ndërsa edhe në rrjetet sociale që të mos përhapen dezinformata.

Gjithashtu, një nga konkluzionet ishte që Oda e Mjekëve të bëhet më aktive dhe të ndalojë shpërndarjen e këshillave mjekësore dhe diagnostikimit edhe përmes Fejsbukut, për çka mund ta marrin përvojën nga Shoqata e Gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button