Pozicionet udhëheqëse në rajonin Jugperëndimor “të rezervuara” për burrat

Jugperëndimi nuk është ende i “pjekur” mjaftueshëm për të pranuar rritje të angazhimit politik të grave. Tre dekada nga pavarësia, nuk ka pasur asnjë kryetare komune në komunat e rajonit jugperëndimor. Nëse shikoni menaxhmentin e gjithsej gjashtë ndërmarrjeve publike në Ohër, vetëm dy drejtohen nga femra. Struga ka katër ndërmarrje publike, por vetëm njëra prej tyre drejtohet nga një grua. Në rajonin e Strugës funksionojnë edhe katër institucione shëndetësore publike, por ato drejtohen ekskluzivisht nga burrat, raporton Vërtetmatësi.

Shkruan: Sonja Rillkovska

Vitet e fundit ka pasur disa përparime në aspektin e barazisë gjinore, por ende jemi larg pasqyrës evropiane në këtë fushë. Edhe pse po ndërmerren hapa për rritjen e përfshirjes së grave në jetën politike në nivel lokal dhe kombëtar, kjo ende nuk mjafton.

Bie në sy, për shembull, se në listat e këshilltarëve në rajonin Jugperëndimor, gratë janë më së shumti të përfaqësuara në kuotat ligjore, por më rrallë janë bartëse të listës. Krijohet përshtypja se lidershipi natyrshëm u takon burrave. Tre dekada nga pavarësia deri sot, në komunat e rajonit Jugperëndimor, nuk ka pasur asnjë kryetare komune – femër.

GRATË DEPËRTOJNË NË POLITIK, POR VËSHTIRË MARRIN FUNKSIONE

Rajoni Jugperëndimor ende nuk është mjaftueshëm “i pjekur” për të pranuar rritje të angazhimit politik të grave. Pra, edhe pse janë të përfaqësuara në politikë, gratë kanë më pak gjasa të marrin poste drejtuese. Nëse shikoni menaxhmentin e ndërmarrjeve publike në Ohër – gjithsej gjashtë, vetëm dy drejtohen nga femra. Duket se femrat kanë “përparësi” pak më të madhe në drejtimin e institucioneve arsimore. Shtatë nga 12 shkollat ​​fillore dhe të mesme të qytetit drejtohen nga gra.

Mund të them se gratë kanë avantazh dominues në menaxhimin e institucioneve arsimore. Megjithatë, bie në sy se vitet e fundit nuk ka pasur asnjë kandidate femër për kryetare komune në rajon. Nga ana tjetër, është pozitive që kemi pasur një grua kryetare të Këshillit në Komunën e Ohrit, që mund të thuhet se ka një progres. Kjo është bazë e mirë që në të ardhmen të kemi më shumë gra bartëse të posteve publike, deputete, këshilltarethotë aktivistja civile, Vesna Cvetanoska.

Në Strugë ka katër ndërmarrje publike, por vetëm njëra prej tyre drejtohet nga një grua. Në rajonin e Strugës funksionojnë edhe katër institucione shëndetësore publike, por ato drejtohen vetëm nga meshkujt.

Gjërat po lëvizin, por duhet pranuar se rajoni jugperëndimor i vendit nuk është ende i përgatitur sa duhet për të pasur një grua në një pozicion të lartë. Mendoj se duhet kohë për të ndryshuar matricën mendore dhe të dëshmohet se gratë janë të barabarta me burrat dhe se në shumë raste janë dëshmuar se janë menaxhere shumë më të mira, shton Cvetanoska.

Raporti i sivjetshëm i Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në drejtim të avancimit të pozitës së gruas në vend dhe barazisë gjinore, mbetet me të njëjtat rekomandime.

Indeksi kombëtar i barazisë gjinore, i cili u publikua për herë të parë në vitin 2019 si tregues kyç për matjen e barazisë së qytetarëve, ende nuk është përditësuar (ndryshuar). Duhet të përmirësohen kapacitetet e institucioneve përkatëse dhe koordinimi i tyre i përbashkët për analizën e duhur të përfaqësimit gjinor, thuhet në Raport.

Në këtë dokument, gjithashtu thuhet se:

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka vazhduar të investojë në komunitet për të mbështetur viktimat e dhunës me bazë gjinore, por kapacitetet duhet të forcohen për të përmbushur standardet e Konventës së Stambollit.

Edhe analiza e fundit e “Reaktor” tregoi pabarazi gjinore, si dhe nënvlerësim të gruas në shtëpi dhe familje. Mesatarisht, gratë në vend bëjnë 72.5 për qind të punës së papaguar në shtëpi, ndërsa kontributet e burrave mezi tejkalojnë një të katërtën e ngarkesës totale të punës. Në baza ditore, gratë shpenzojnë 18 herë më shumë kohë duke larë enët, 12 herë më shumë kohë për pastrim, nëntë herë më shumë kohë për gatim dhe tre herë më shumë kohë për kujdesin ndaj fëmijëve, se sa burrat, thuhet në studimin e “Reaktor”.

Kjo analizë konfirmon ndarjen stereotipe gjinore dhe tregon se mesatarisht burrat shpenzojnë më shumë kohë në punë të paguar (punësim), ndërsa gratë shpenzojnë më shumë kohë në punë të papaguar, gjegjësisht të “ngarkuara” me përgjegjësitë shtëpiake.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button