Rusia thotë se Ballkani po rrezikohet si pasojë e “ekstremistëve të Kosovës”

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë thotë se situata në Ballkan po rëndohet, dhe në çdo moment mund të “ndizet fitili” si pasojë e veprimeve, siç thotë ajo të ekstremistëve të Kosovës të nxitur drejtpërdrejtë nga patronët e tyre perëndimorë, raporton Koha.net.

Maria Zakharova, në një postim në Telegram, ka thënë se “radikalët shqiptarë do të tentojnë të largojnë serbët nga Kosova”.

Ajo ka thënë se synimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që të bëhet demarkimi final nga Serbia dhe të arrihet pavarësimi energjetik. Ajo ka thënë se nëse e bën këtë atëherë ka shumë mundësi që serbët në veri të Kosovës mbeten pa energji elektrike.

“Burim i problemeve në Kosovë janë ultranacionalistët shqiptarë që kanë marrë pushtetin dhe po ‘tregojnë muskujt’ posaçërisht në mënyrë aktive në prag të zgjedhjeve (17 tetor dhe më 14 nëntor). Ata janë të llastuar nga kryeqendrat perëndimore, së pari, nga ato që kanë lëshuar agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999, me synim për ta larguar Kosovën nga Serbia, pavarësisht numrit të viktimave. Ata që e kanë siguruar Serbinë se do të jetë në rregull në krah të tyre, vetëm se duhet dorëzuar plotësisht, të heqë dorë nga interesat nacionale dhe historia e saj”, ka shkruar Zakharova.

Ajo ka folur për aksionet e fundit të Njësisë Speciale të Policisë Kosovës në veri, fillimisht për zbatimin e reciprocitetit për targa e po ashtu së fundi edhe në aksionin anti-kontrabandë.

Zakharova thotë se Britania e Madhe po i inkurajuan provokuesit e Kosovës.

“Instruktorët britanikë kanë stërvitur personelin e Policisë së Kosovës, duke dërguar edhe agjentë për të monitoruar situatën në komunat veriore dhe gjatë përplasjeve kanë filmuar dhe fotografuar protestuesit serbë. Duket se Britania nuk mund të heqë dorë nga shprehitë kolonizuese dhe për korrektësi dhe aleatët tjerë të saj euro-atlantik nuk janë shumë prapa. Situata në Ballkan po rëndohet, ‘fitili i fuçisë së barutit’ në Ballkan mund të ndizet në çdo moment si pasojë e veprimeve të ekstremistëve të Kosovës të nxitur drejtpërdrejtë nga patronët e tyre perëndimorë”, ka shkruar Zakharova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën mbrëma në një intervistë për BBC-në ka thënë se nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovës, kur është pyetur për Asociacionin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button