Në KOP26 në Glazgov po hartohen objektiva ambicioze, realizimi megjithatë mbetet pikëpyetje

Konferenca globale e KB (KOP26) për ndryshimet klimatike që mbahet në Glazgov, Mbretëria e Bashkuar, deri tani miratoi zotime për një numër të madh ndryshimesh për zbutje ose neutralizim të ndryshimeve klimatike. Megjithatë, zotimet në ngjarjen globale të Kombeve të Bashkuara nuk do të jenë të detyrueshme, ndërsa grupet e ndryshme të organizatave “të gjelbra” thonë që edhe propozimet nuk janë të mjaftueshme për t’u parandaluar ndryshimet klimatike, shkruan BBC, raporton Portalb.mk.

Shkatërrimi i pyjeve, një nga armiqtë kryesorë të klimës

Më tepër se 100 liderë botërorë u zotuan për t’u përballur me shpyllëzimin, përkatësisht shkatërrimin e sipërfaqeve pyjore, që ka ndikim shumë të madh në ndryshimin e klimës, për shkak se drunjtë absorbojnë sasi të mëdha të dyoksid karbonit.

Marrëveshja që u nënshkrua dje parasheh buxhet të përgjithshëm për këtë qëllim prej 19,2 miliardë dollarë amerikanë, që do të vijnë nga buxhetet publike dhe nga financimi privat.

Ndër vendet-nënshkruese është edhe Brazili, ku pjesë e madhe e pyjeve të Amazonës janë të shkatërruar për të krijuar sipërfaqe për prodhimtari bujqësore dhe blegtorale. Indonezia është edhe një nënshkrues, ku pyjet shkatërrohen për t’u formuar plantacione të palmave për prodhim të vajit.

Për metanin është paraparë zvogëlim prej 30% në krahasim me tani

Gjithashtu, dhjetëra vende përbetohen të zvogëlohet sasia e metanit të lëshuar në atmosferë së paku për 30%deri në vitin 2030 në raport me gjendjen nga viti i kaluar. Metani është përgjegjës për një të tretën e ngrohjes momentale globale të shkaktuar nga aktivitetet njerëzore. Mirëpo, Kina, Rusia dhe India nuk u bashkuan në këto përpjekje të iniciativës së ndërmarrë nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Metani lëshohet në atmosferë gjatë eksploatimit të burimeve të naftës dhe përpunimit të naftës, si dhe gjatë shpërbërjes së materieve organike në deponitë.

Foto: Ralf Vetterle në Pixabay

Këtu është edhe iniciativa “neto zero” (net zero) për ngadalësim të ngrohjes globale, që nënkupton se e tërë bota do të arrijë gjendje në të cilën nuk shtohen sasi të gazrave serë në atmosferë – ose nëpërmjet zvogëlimit të sasive të lëshuara të gazrave ose nëpërmjet balancimit të atyre sasive që janë në atmosferë nëpërmjet mënjanimit të sasive përkatëse.

Gazrat serë, sikur dyoksid karboni, lëshohen në atmosferë gjatë djegies së naftës, gazit ose thëngjillit për shtëpitë tona, industrinë ose transportin dhe janë në atmosferë, kaplojnë pjesë të madhe të ngrohtësisë që vjen nga Dielli.

Ndotësit më të mëdhenj nuk e pranojnë qëllimin e shumicës

Por, megjithëse 132 vende publikisht u përbetuan për të arritur gjendjen “neto zero” para vitit 2050, Kina, e cila momentalisht është emetuesi më i madh i dyoksid karbonit në planet, thotë që do të arrijë “neutralitet karbonik” deri në vitin 2060. Megjithatë, nuk tregon çfarë konkretisht donë të thotë kjo dhe si planifikon ta arrijë.

Rusia u zotua për “neto zero” deri në vitin 2060. Ky vend është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe emetuesi i katërt më i madh i gazrave serë.

India, emetuesi i katërt më i madh i dyoksid karbonit (CO2) – pas Kinës, SHBA dhe BE-se – zotohet t’i reduktojë emetimet në zero deri në vitin 2070.

Disa nga vendet me popullatën më të dendur – ndër ato edhe Indonezia – aspak nuk u zotuan për “neto zero”.

Krahas parandalimit të shkatërrimit të sipërfaqeve pyjore, një nga masat për reduktim të shkaktuesve të ngrohjes globale është edhe mbjellja e sipërfaqeve të reja me drunj, por ekspertët janë skeptikë, duke vlerësuar që nuk do të ketë mjaftueshëm sipërfaqe për t’u mbjell sa do të nevojiten drunj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button