Vanhaute: Imagjinoni që kryetarët e komunave të japin dorëheqje nëse janë të zhgënjyer me zgjedhjet parlamentare

Ditët e fundit kam ndjekur me interes zhvillimet e fundit lidhur me zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse e kuptoj mirë, më tingëllon shumë e çuditshme që kryeministri vendos të jep dorëheqje për shkak rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve lokale, kështu ka shkruar në Facebook ish-ndërmjetësi i BE-së në negociatat për Marrëveshjen e Përzhinos, Peter Vanhaute, njofton Portalb.mk.

“Është e rëndësishme që këto dy nivele të mbahen të ndara, sepse kohezioni i përgjithshëm politik në vend ka nevojë për stabilitet dhe qytetarët duhet të kuptojnë se politika në një nivel nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në tjetrin. Imagjinoni që kryetarët e komunave të japin dorëheqjen nëse janë të zhgënjyer nga zgjedhjet parlamentare. Zaev e mori dhe e shpalli vendimin për t’u tërhequr publikisht, para se të binte dakord me partnerët e koalicionit. Si kryeministër nuk duhet të jepni kurrë dorëheqje, përveç nëse ka marrëveshje me partnerët e koalicionit, të cilët duhet të bien dakord për hapat e ardhshëm, d.m.th. kush do t’ju pasojë si kryeministër”, thotë Vanhaute.

Ai thotë se, megjithatë, e kupton “zhgënjimin e Zaevit me funksionimin e partisë së tij, mungesën e progresit në integrimet evropiane, funksionimin e disa prej partnerëve të tij të koalicionit”.

Vanhaute shtoi se tani nuk është koha për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se në vend të kësaj, vendi duhet të fokusohet në prioritetet kombëtare: zhvillimi ekonomik, përmirësimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor dhe zhvillimi i bujqësisë.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i LSDM-së në pushtet, të dielën më 31 tetor, pas disfatës së partisë së tij në zgjedhjet lokale në konferencën përfundimtare për media pas mbylljes së qendrave të votimit tha se po jep dorëheqje nga të dyja funksionet.

Në funksionin e kryeministrit është që prej 31 majit 2017 dhe fitoi mandatin e dytë si Kryeministër në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar. Zaev është kryetar i LSDM-së që nga viti 2013. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së ka marrë mbështetjen e 62 deputetëve në këtë përbërje parlamentare. Në shumicën parlamentare, si pjesë e koalicionit me të cilin LSDM kandidoi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, marrin pjesë Besa, NSDP, DOM, LDP, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button