VMRO–DPMNE kërkon zgjedhje të shpejta, ASH shumicë të re parlamentare, Lëvizja Besa kërkon që Qeveria të vazhdojë me punë

Situata politike në vend pas paralajmërimit për dorëheqje të kryeministrit Zoran Zaev, vazhdon të jetë konfuze dhe e paqartë për opnionin. Secila parti ofon zgjidhje që më shumti i përshtatet agjendës së tyre, por, që nuk ndihmojnë për dalje nga kriza dhe as përputhen me njëra tjetrën. Tani për tani, nuk ka gjuhë të përbashkët mes pozitës dhe opozitës, por as mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase, të cilët kishin bashkëpunim parazgjedhor për zgjedhjet e fundit lokale, shkruan Portalb.mk.

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkoi zgjedhje urgjente të parakohshme parlamentare sepse, siç tha, Qeveria është plotësisht e delegjitimuar dhe politikat e saj nuk e kanë legjitimitetin e popullit.

Hristijan Mickoski, Foto: Screenshot

“Zgjidhja më e mirë është pa prolongime, zgjedhje të parakohshme parlamentare me respektimin e afateve kushtetuese dhe ligjore të cilat do të sigurojnë qeveri stabile dhe nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza. Zgjedhje të shpejta për të cilat nuk do të ketë alternativë sepse, nevojitet qeveri stabile. Duhet të bëhet edhe konsultim me KSHZ-në, që të shihet se sa do të mund t’i organizojnë zgjedhjet”, tha Mickoski.

Ai theksoi edhe se, dispozitat ligjore duhet të respektohen, ndërsa ajo do të nënkuptonte edhe formim të qeverisë teknike me ministra teknik për Punë të Brendshme dhe për Punë dhe Politikë Sociale nga VMRO – DPMNE dhe tre zëvendësministra teknik.

Sipas tij, zgjedhjet janë të nevojshme sepse duhet të sillen vendime të rëndësishme për sfidat e ardhshme, ndërsa qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për atë. Si sfida me të cilat duhet të ballafaqohemi në periudhën në vijim ai theksoi katër; kriza energjetike; vala e re covid e paralajmëruar; ngecje në integrimet evropiane dhe rënia e ekonomisë.

Opsioni i parë për formimin e shumicës së re parlamentare dhe qeverisë, tha ai, nuk do ta jap energjinë e nevojshme.

Në pyetjen se pse hoqi dorë nga formimi i shumicës së re parlamentare, të cilën e paralajmëroi kohë të gjatë, ai tha se shumica e re është e nevojshme për shpalljen e zgjedhjeve të rea,

“Nëse Qeveria bën hap të tillë dhe e refuzon dorën e shtrirë për zgjedhje të shpejta, ajo do të thotë se funksionimi i tërësishëm i pasuksesshëm, krizën energjetike e cila troket para dyerve, vala e re e kovidit që po vjen, katastrofa në arsim, rënia e thellë e ekonomisë… do të jetën përgjegjësi ekskluzivisht e Qeverisë”, tha Mickoski.

Partia e Zoran Zaevit, LSDM është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në reagimin e tyre të bërë pas konferencës për media të liderit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nga kjo parti thanë se, shumica parlamentare nuk do të votojë për zgjedhje të shpejta parlamentare, sepse shteti është më i rëndësishëm se Mickoski.

“Shumica parlamentare është stabile dhe përgjegjësi drejt ardhmërisë së shtetit dhe popullit. Në emër të votave të qytetarëve që ka marrë koalicioni qeveritar të cilat janë më shumë se votat e opozitës, në emër të nevojës së vendit të vazhdojë përpara në zgjidhjen e pasojave nga pandemia dhe në ballafaqimin me krizën energjetike, në emër të nevojës që t’i investojmë të gjitha përpjekjet që t’i fillojmë negociatat me BE-në, kjo shumicë parlamentare nuk do ta vendosë shtetin në rrezik dhe nuk do të votojë për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Aleanca për Shqiptarët

Partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët kanë dhënë një qëndrim jo shumë të qartë për opinion nëse janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare ose jo. Sipas tyre, duhet që fillimisht të ketë shumicë të re parlamentare dhe më pas zgjedhje.

“Ne vlerësojmë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me BDI-në në pushtet. Kjo Qeveri, me ciklet e fundit ka dëshmuar se nuk ka kapacitet dhe as gatishmëri për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Nuk mund të flasim për demokraci kur i gjithë shteti vihet në shërbim të partive në pushtet, qytetarët kërcënohen dhe shantazhohen, ndërsa votat blihen dhe vidhen”, thanë nga ASH.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vlerëson se Qeveria, në të cilën edhe ai është partner i koalicionit, duhet të vazhdojë me punë. Kasami pret së shumica aktuale qeveritare të rritet, përkatësisht deputetë nga opozita t’i bashkangjiten shumicës.

Bilall Kasami, Lëvizja BESA
Foto: Portalb.mk/Arbnora Memeti

Në emisionin “Click plus” në TV 21, ai tha se, kjo qeveri ka mandat prej zgjedhjeve të vitit 2020 dhe duhet të vazhdojë me punë, ndërsa shtoi se prioritet është integrimi në Bashkimin Evropian. Për Zaevin tha se nuk është konsultuar me atë.

“Zaev nuk është konsultuar me partnerët në koalicion para se të thotë publikisht se do të jep dorëheqje. Do të takohem me të dhe do të flasim”, tha Kasami.

Sipas tij, duhet të ketë edhe rikonstruim të Qeverisë.

“Duhet të ketë ndryshime. Nuk jemi të sigurt nëse do të votojmë për të gjithë minsitrat e BDI-së”, tha ai.

Dorëheqja e kryeministrit, Zoran Zaev pasi partia e tij humbi zgjedhjet lokale, është komentuar ditëve të fundit edhe nga shumë media dhe figura ndërkombëtare.

Mediumi gjerman Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në një analizë të publikuar dje, theksohej se, dorëheqja e Zaevit është lajm i keq për Brukselin. Sipas kësaj analize, mosarritja e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, ishte ndër faktorët kyç që shkaktuan disfatën e Zaevit në zgjedhjet lokale.

Koment mbi situatën aktuale në vend ka dhënë edhe eksperti belg, Peter Vanhoutte, i cili ishte i kyçur në negociatat politike në Përzhino. Ai vlerëson se, kryeministri Zaev ka gabuar që ka dhënë dorëheqje pa u konsultuar me partnerët e koalicionit si dhe se, rezultati i zgjedhjeve në një nivel nuk duhet të ndikojë në një tjetër nivel të pushtetit.

Peter Van Hojt
Piter Vanhaute, lehtësuesi i bisedimeve në mes grupeve punuese të katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos

“Edhe pse e kuptoj shumë mirë, më duket shumë e çuditshme që një kryeministër do të vendoste të jap dorëheqje për shkak të rezultatit zhgënjyes nga zgjedhjet lokale. Në parim, bëhet fjalë për dy nivele të ndara qartë të pushtetit. Rezultatet nga zgjedhjet të një niveli nuk duhet të kenë ndikim në një nivel tjetër. Është e rëndësishme që dy nivelet të jenë të ndara, sepse kohezioni i përgjithshëm i sistemit politike në vend ka nevojë për stabilitet dhe qytetarët duhet të kuptojnë se politika e një nivelit nuk duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejt në një nivel tjetër. Imagjinoni sikur kryetarët e komunave të jepnin dorëheqje nëse janë të zhgënjyer nga rezultatet e zgjedhjeve nacionale”, tha Vanhoutte.

Ai vlerësoi se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare, por fokusim në prioritetet nacionale.

Duke komentuar më tej situatën politike, eksperti belg tha se problemet që i shohim përsëri nuk janë përgjegjësi ekskluzive e njërës apo partisë tjetër politike, por problem i sistemit i cili është jofunksional, sepse bazohet në klientelizëm.

“Ai është sistem i bazuar në patron: nëse votoni për mua, nëse më mbështesni mua dhe partinë time, në këmbim unë do të bëj diçka për ju. Në parim, klientelizmi mund të shihet si pararendës i një demokracie të mirë funksionale dhe në atë kuptim nuk asgjë të keqe në atë, sepse tregon se politikanët kujdesen për qytetarët. Megjithatë, klientelizmi është jokompatibil me demokracinë funksionale, sepse nuk i trajton të gjithë qytetarët njësoj”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button