RMV, filloi programi për këshillim karriere në kuadër të projektit “MladiHub”

Dje filluan seancat në grup me grupin e parë të pjesëmarrësve të cilët janë pjesë e programit të këshillimit për karrierë në kuadër të projektit “MladiHub – ndërtimi i aftësive për punësim, kompetencave dhe mundësive të rrjetëzimit për të rinjtë”, transmeton Portalb.mk.

Siç informojnë zbatuesit e projektit, programi është krijuar për të rinjtë me arsim të mesëm dhe synon t’i ndihmojë ata të bëhen më konkurrues në tregun e punës përmes punës në grup dhe individual me ekspertë të fushave të tyre.

Si pjesë e sesioneve grupore dhe individuale, pjesëmarrësit e programit kanë mundësi të bëjnë vetëvlerësim të detajuar, të vendosin qëllime realiste të karrierës dhe të zhvillojnë plan individual punësimi me ndihmën dhe mbështetjen e mentorëve me përvojë nga “CEED Hub” Shkup.

“Zhvillimi personal dhe profesional i të rinjve është e një rëndësie kyçe për zhvillimin e një shoqërie të avancuar që do të përballet me sukses me sfidat e së ardhmes. Pikërisht për këtë arsye, konsiderojmë se ky program do t’u mundësojë të rinjve të mendojnë jashtë kuadrove konvencional dhe t’i eksplorojnë më të detajuar profesionet dhe mundësitë e reja në tregun e punës”, thonë nga “CEED Hub”.

Projekti MladiHub zbatohet nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë (KRKM) në bashkëpunim me CEED Hub, falë mbështetjes financiare nga Ambasada Britanike në Shkup.

Nga KRKM thotë se qëllimi i projektit është krijimi i mundësive më të mira për punësim, zhvillim në karrierë dhe rrjetëzimin e të rinjve përmes praktikave të paguara dhe programeve të mentorimit, gjatë së cilës është parashikuar edhe puna në projekte reale në mjedise profesionale.

“Përmes programit për këshillimit për karrierë, si dhe aktiviteteve të tjera të projektit, mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit tonë për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin profesional dhe personal të të rinjve, si dhe kalimin më të lehtë të tyre nga procesi arsimor në tregun e punës”, thonë nga KRKM.

Aplikimi për pjesëmarrje në grupet e tjera që do të jenë pjesë e programit të këshillimit për karrierë është ende në rrjedhë. Të rinjtë e interesuar mund të informohen më shumë rreth programit dhe të plotësojnë aplikimin e tyre në ueb-faqen e MladiHub.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button