RMV, paqartësi për situatën politike, s’ka as dorëheqje të Zaevit, as shumicë të re parlamentare

Kryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen e paralajmëruar të dielën, pas disfatës së partisë së tij në zgjedhjet lokale. Përderisa në opinion qarkullojnë skenarë të ndryshme që mund të ndodhin për dalje nga situata, aktorët politike ende nuk kanë qartësuar para opinionit se çfarë hapa konkret do të ndërmerren: nëse Qeveria do të vazhdojë mandatin e saj, do të ketë shumicë të re parlamentare, apo do të zgjidhet qeveri teknike dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gjithçka që dihet momentalisht është se vazhdon koordinimi mes partive politike prapa dyerve të mbyllura, shkruan Portalb.mk.

Zaev dje në orët e pasdites, realizoi një takim rreth tre orësh me partnerët e koalicionit qeveritar. Pas takimit, Qeveria nëpërmjet një kumtese për media, informoi se, është diskutuar stabiliteti i koalicionit qeveritar pas dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev. Qeveria vlerësoi që zgjedhjet e reja e fusin vendin në një krizë të re politike, ekomomike, shoqërore dhe të sigurisë, duke e ngadalësuar edhe procesin eurointegrues.

Foto: Qeveria

“Sot me ftesë të kryeministrit Zaev në Qeveri u zhvillua takim i përfaqësuesve të të gjithë partive politike që e përbëjnë shumicën parlamentare në Kuvend”, deklarojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke sqaruar që të gjithë partnerët morën pjesë. Shumica parlamentare është stabile dhe përgjegjëse për të ardhmen e shtetit dhe popullit. Së bashku u konstatua se Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët të vendit nuk i nevojitet zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, vlerësojnë nga Qeveria.

Artan Grubi nga BDI, pas takimit deklaroi se, dorëheqja që ka ofruar Zaev ka qenë e shpejtuar dhe se ai duhet të vazhdojë të udhëheqë qeverinë dhe politikat, sepse atë e presin qytetarët. Ai tha se vetëm kjo qeveri mund ta zgjidh kontestin me Sofjen dhe t’i hap negociatat me BE-në dhe të kultivojë raportet ndëretnike.

“Nuk kishte asnjë dilemë prej asnjërit nga të pranishmit në mbledhje në Qeveri në raport me shumicën parlamentare në vend, ndërsa të gjithë janë kundër dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev. Nuk guxojmë t’i lejojmë vetes aventura në këto kohë të brishta jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin”, tha Grubi.

Foto: Qeveria

Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa, tha se të gjithë njëzëri kanë qenë kundër zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, Qeveria ka marrë mandat në vitin 2020 dhe se, legjitimiteti që buron nga zgjedhjet e vitit të kaluar është i mjaftueshme që të vazhdojë kjo shumicë.

“Shumica është stabile, si do qofshin proceset që do të qonin drejt zgjedhjeve të parakohshme do të ishin shumë të vështira dhe problematike për situatën ekonomike, për gjendjen sociale dhe të sigurisë”, deklaroi Hoxha.

Edhe partnerët e partive më të vogla të koalicionit në Qeveri, deklaruan para takimit se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se, partia e tij mbetet pjesë e koalicionit qeveritar dhe nuk sheh asnjë arsye të ndodhë diçka dramatike.

Kryetari i Partisë së Re Social Demokrate, Tito Petkovski tha se, nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por se Qeveria aktuale duhet të vazhdojë me punë. Ai tha se, partia e tij mbetet pjesë e shumicës parlamentare.

Edhe partitë DOM dhe PLD mbeten pjesë të shumicës parlamentare dhe nuk mbështesin mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ana tjetër opozita nuk ka qartësuar ende se si do të veprojë pas kësaj situate. Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, tha se dje kanë filluar negociatat formale për shumicë të re.

“Shumica aktuale qeveritare ka 62 deputetë, kurse opozita 58. LSDM po fundoset çdo ditë e më shumë. Nga komunat urbane kanë marrë vetëm Qendrën dhe Strumicën. Pres sot kemi filluar negociatat formale. Me të gjitha partitë opozitare. Tani për tani nuk ka asgjë konkrete, por neve na takon të punojmë për një shumicë të re”, tha Taravari në një paraqitje për “Click Plus” në Tv 21.

Megjithatë, deklaratat e VMRO – DPMNE të bëra pas dorëheqjes së paralajmëruar të Zaevit, nuk kanë qartësuar situatën se çfarë do të ndodhë konkretisht.

Lideri i kësaj Mickoski tha se, për shumicë të re parlamentare koha do të tregojë shumë gjëra dhe se, më së miri do të ishte ajo të jetë përmes zgjedhjeve të parakohshme, pa treguar konkretisht se kur do të ishin ato.

Në rast se kryeministri Zaev qëndron pas vendimit të tij për të dhënë dorëheqje, atëherë kjo nënkupton se bie e gjithë qeveria. Në bazë të Kushtetutës, dorëheqja duhet të dorëzohet në Kuvend dhe të konstatohet nga ana e deputetëve. Më pas, presidenti i shtetit i ndan mandatin për formim të qeverisë partisë e cila do ta njoftojë atë se e ka shumicën e nevojshme dhe e njëjta ka afat ligjor prej 20 ditësh për të propozuar qeveri të re, e cila duhet përsëri të votohet në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button