Nuk është e vërtetë që personat e vaksinuar kanë 99 përqind mundësi të infektohen me Covid

Është i pavërtetë pretendimi në postim se efikasiteti i vaksinave është vetëm rreth 1 përqind varësisht nga prodhuesi dhe se mundësia për tu infektuar nëse jeni të vaksinuar është 99 përqind. Zvogëlimi i rrezikut relativ dhe absolut janë dy parametra që përllogariten në dy mënyra të ndryshme. Për sa i përket mënyrës se si vaksina ndikon tek popullata, këto dy masa janë komplementare (që do të thotë se e plotësojnë) dhe jo kontradiktore (që do të thotë se nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën), shkruan Vërtetëmatësi.

Në postimin që po e recenzojmë e që është shpërndarë në Facebook nëpërmjet një interpretimi të gabuar të dy parametrave – rreziku relativ dhe rreziku absolut, në mënyrë të rreme informohet për përqindjen e efikasitetit që e kanë vaksinat kundër Kovid-19. Pretendimet e pasakta se efikasiteti i vaksinës Moderna, Johnson&Johnson dhe Pfizer është shumë i ulët, nga 0.8 deri më 1.2 përqind, autori i postimit ia atribuon “studimit shkencor” në revistën shkencore mjekësore me famë „Lancet“.

Zvogëlimi i vërtetë i rrezikut nga infektimi me Kovid pas pranimit të vaksinës është: 1.2 përqind për vaksinën Moderna, 1.2 përqind për vaksinën Johnson & Johnson dhe më pak se 1 përqind për vaksinën Pfizer. Kjo do të thotë që pasi keni pranuar vaksinën, rreziku mesatar për tu infektuar me Kovid është 99 për qind, thuhet në postim.

Por për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë?

Në mënyrë të gabuar pretendohet se masa “zvogëlimi i rrezikut absolut” (Absolute risk reduction ARR) është ajo që duhet të përdoret në vlerësimet për nivelin e mbrojtjes së vaksinave, në vend të masës “zvogëlimi i rrezikut relativ” (Relative risk reduction RRR). Në postim thuhet se “masa e zvogëlimit të rrezikut relativ”, që përdoret nga kompanitë, krijon keqkuptim se vaksina është shumë efikase (mbi 90 përqind), kur, në fakt, “masa zvogëlimi i rrezikut absolut ” është ajo “realja” dhe nga kjo rezulton se vaksina ka efikasitet të ulët, pra ofron mbrojtje të ulët, nga 0 në 1 për qind.

Në postim në mënyrë të pasaktë pretendohet se bëhet fjalë për një studim shkencor në “Lancet”, megjithëse është vetëm një koment në “Lancet” nga Piero Oliaro, Els Torrele dhe Michael Valiant nga data 20 prill, publikuar në këtë link.

Profesori Oliaro, i cili punon në Universitetin e Oksfordit, për Reuters tha se kishte qenë “jashtëzakonisht zhgënjyese” të shihte se si ishte shtrembëruar informacioni në komentin në të cilin ai është bashkëautor.

Këto vaksina janë intervenime të mira për shëndetin publik. Në koment nuk pretendojmë se nuk janë efikase, thotë ai.

Çfarë është zvogëlimi i rrezikut absolut dhe çfarë zvoglimi i rrezikut relativ?

Zvoglimi i rrezikut relativ (Relative risk reduction RRR) dhe zvoglimi i rrezikut absolut (Absolute risk reduction ARR), si vlera statistikore përllogariten në mënyra të ndryshme. Ato i paraqesin efektet e vaksinave në mënyra të ndryshme, por që të dyja sigurojnë informacfione të dobishme dhe ndihmojnë në kuptimin e plotë të efekteve të vaksinës.

Sipas ekspertëve mjekësorë në Мiden, zvogëlimi i rrezikut relativ tregon se sa është zvogëluar rreziku nga infektimi tek grupi i testuar që është vaksinuar, krahasuar me grupin kontrollues që nuk ka pranuar vaksinë. Zvogëlimi i rrezikut relativ për efikasitetin na tregon se sa mirë vaksina i ka mbrojtur nga infektimi pjesëmarrësit në testimin klinik.

Zakonisht kjo vlerë prezantohet si EFIKASITET I VAKSINËS. Për vaksinën Pfizer efiksiteti i këtij lloji është 95 përqind, për vaksinën Moderna 94,1 përqind, për vaksinën e Johnson&Johnson 66,3%.

Zvogëlimi i rrezikut absolut (Absolute risk reduction ARR) është dallimi aritmetik  mes përqindjes së personave që janë infektuar në të dy grupet, atë të të vaksinuarve dhe atë të të pavaksinuarve.

Pse zvogëlimi i rrezikut absolut gjithmonë do na duket i ulët?

Le të themi se në studim marrin pjesë 20 mijë pacientë në grupin kontrollues dhe 20 mijë pacientë në grupin që ka pranuar vaksinën. Në studim, hipotetikisht, 200 persona nga grupi kontrollues (ata që nuk janë vaksinuar) infektohen me Kovid ndërsa në grupin e të vaksinuarve 0 persona. Megjithëse efikasiteti i vaksinës në këtë rast është 100 për qind, zvogëlimi i rrezikut absolut do të jetë vetëm 1 përqind (200 / 20,000 = 1%). Në shembullin tonë, që zvogëlimi i rrezikut absolut (Absolute risk reduction ARR) të rritet në 20 përqind, me një vaksinë që është 100 përqind efektive, në grupin kontrollues duhet të sëmuren 4,000 nga 20,000 njerëz (4,000/ 20,000 = 20%), shpjegojnë vërtetuesit e fakteve për „Reuters“.

Për shkak se ARR është një numër shumë i ulët, dikush fiton përshtypjen e gabuar se numri tjetër RRR është i pasaktë, por kjo nuk është e vërtetë. Të dyja vlerat i referohen aspekteve të realitetit, vetëm se maten ndryshe. Efikasiteti i vaksinës, i shprehur si RRR, do të thotë që vaksina do të zvogëlojë rrezikun e infektimit me një përqindje të caktuar, pavarësisht nga rrethanat e transmetimit. Kjo është më e rëndësishme, thotë Natalie E. Dean, profesoreshë e biostatistikës në Universitetin e Floridës për „Reuters“.

Prandaj vlerësojmë se është i pavërtetë pretendimi në postim se efikasiteti i vaksinave është vetëm rreth 1 përqind varësisht nga prodhuesi dhe se mundësia për tu infektuar nëse jeni të vaksinuar është 99 përqind. Zvogëlimi i rrezikut relativ dhe absolut janë dy parametra që përllogariten në dy mënyra të ndryshme. Për sa i përket mënyrës se si vaksina ndikon tek popullata, këto dy masa janë komplementare (që do të thotë se e plotësojnë) dhe jo kontradiktore (që do të thotë se nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën).

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button