RMV, zgjedhjet lokale: Hapa prapa për përfaqësimin e grave, a janë kuotat zgjidhja për këtë problem?

Ndonëse barazia gjinore është në agjendën dhe “prioritetet” e partive politike, e njëjta nuk mund të thuhet se realizohet në praktikë. Këtë e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale të këtij viti, vetëm dy gra arritën të dalin fituese si të parat e komunës, shkruan Portalb.mk. Përfaqësimi mbetet nën minimalen, por a do të thotë kjo se duhet të vendosen kuota të garantuara për kandidaturat e grave në komuna?  

Çekuilibër i madh u vërejt te kandidatët për kryetar në 81 komuna në zgjedhjet lokale të këtij viti, vetëm 25 nga 299 kandidatë ishin gra, apo vetëm 8% nga numri i përgjithshëm.

Ende më skandaloz është numri i grave të cilat fituan mandatin si të parat të komunës, nga 25 gra kandidate vetëm dy arritën ta fitojnë betejën dhe të dalin fituese si kryetare komune, Danella Arsovska si e para e Qytetit të Shkupit dhe Zhaklina Jovanovska si e para e komunës së Staro Nagoriçanit.

Kjo shpërndarje negative gjinore e mandateve të kryetarëve të komunave në raundin e dytë vjen pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, kur asnjë grua kandidate për kryetare komune nuk arriti të zgjidhet për të kryesuar ndonjë nga komunat e vendit.

Pranvera Kasami, drejtuese e Institutit për Lirdership dhe Politika Publike për Portalb.mk tha se nga përfaqësimi mjerues i grave në garën për të par të komunës, as nuk pritej se realiteti i pas-zgjedhjeve do të jetë më i mirë seç në fakt rezultoi me 2 kryebashkiake.

Pranvera Kasami – Drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike
Pranvera Kasami – Drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike

“Një shoqëri kaq komplekse e me kaq komplekse nuk mund të pritet që të jetë natyrshëm reformuese, por reformat duhet patjetër të jenë të diktuara nga ligjet pozitivisht-diskriminuese. Mendoj se mjaftueshëm të kënaqur do të ishim me imponim ligjor prej të paktën 30% përfaqësim të gruas në pozitat më të larta vendimarrëse në nivel vetëqeverisje lokale, si kryetare komunash, që pse jo pas një kohe kjo kuotë të rritet nē 50%, që do të ishte në harmoni me raportet demografike të gjinive në shoqëri prej afërsisht 50-50. Për t’i kontribuar kësaj, rol kyç duhet të luajnë OJQtë që i shërbejnë kauzave të barazisë gjinore, përmes avokimit në ndryshimin e politikave shtetërore të këtilla.” tha Pranvera Kasami.

Drejtori i Democracy Lab, Sefer Selimi për Portalb.mk tha se përfaqësimi i grave në politikë, në pozicione udhëheqëse ekzekutive, përfshirë këtu edhe postin e kryetarit të komunës është refleksion i zhvillimit të një shoqërie dhe pjekurisë së saj politike.

Ky rezultat sfidues është pasojë e faktit se në vend nuk ka kuota për përfaqësim të balancuar gjinor të posteve të kryetarëve të komunave. Me vetëm dy kryetare komunash të zgjedhur këtë vit, Maqedonia e Veriut arriti rezultatin e dytë famëkeq pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009, në të cilat asnjë grua nuk u zgjodh kryetare në komunat maqedonase.

Sefer Selimi
Sefer Selimi

“Fatkeqësisht, te ne, ndryshe nga shumica e vendeve me demokraci të zhvilluar, duhet të imponohen mekanizma që detyrojnë një përfaqësi minimale të grave ne politikë, siç janë kuotat për përfaqësim në listat për deputet dhe këshilltar komunal. Ne duhet të lëvizim drejt inkuadrimit autentik dhe normal të grave në politikë dhe kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes mekanizmave imponues por nëpërmjet krijimit të ambientit inkurajues, fillimisht në shoqërinë tonë dhe partitë politike.” tha Sefer Selimi.

Në bazë të ligjeve, të paktën 40 për qind e listave për këshilltarë në asambletë komunale duhet të jenë gra, por sa i përket garës për kryetar komune, në ligje nuk ka kuota gjinore. Situata është më ndryshe atje ku ka kuota, si në listat e këshilltarëve. Në këto zgjedhje lokale, 55% e kandidatëve për këshilltarë ishin burra dhe 45% gra.

Rezultati aktual i dy raundeve të zgjedhjeve lokale të sivjetme është më i keq se katër vite më parë, kur në krye të komunave u zgjodhën gjashtë kandidate për kryetare komunash në vetëqeverisjet lokale në vend.

Në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet e vitit 2017 u zgjodhën vetëm gjashtë gra kryetare komune, nga gjithsej 81 komuna në vend. Nga 20 pozicione në Qeveri, vetëm 4 mbahen nga gratë. Që nga pavarësia, kurrë nuk ka pasur grua në ndonjë nga funksionet më të larta politike, si presidente, kryeministre ose kryetare e parlamentit.

Ndryshe, barazia gjinore mbetet një nga sfidat kryesore globale përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo e fundit siç duket është munduar të zgjidhë këtë problem ndër vite. Maqedonia e Veriut këto 30-të vitet e fundit ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti i ndryshimeve sa i përket aspektit politik. Sidoqoftë, tranzicioni që pasoi pavarësinë e Maqedonisë në 1991 ndryshoi rrënjësisht statusin shoqëror të qytetarëve të saj. Kujtojmë që pjesëmarrja e grave në politikë është njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivelin global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button