Biden: Bota po shkatërrohet nga ndryshimet klimatike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se samiti për klimën që po mbahet në Glasgou të Skocisë duhet të jetë “fillimi” i një dekade të ambicieve drejt trajtimit të ndryshimeve klimatike, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

“Askush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë më të keqes nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment.” tha Biden.

Shtetet e Bashkuara janë ende duke u përpjekur që disa nga ndotësit më të mëdhenj në botë – Kina, Rusia dhe India t’i bashkohen SHBA-së dhe aleatëve të saj në planet për të djegur shumë më pak qymyr, gaz dhe naftë dhe për të bërë hapa drejt përdorimit të energjisë më të pastër.

Biden tha se përgjigja masive e nevojshme për të ndaluar krizën klimatike duhet të shihet si një mundësi për ekonomitë e botës.

“Ne kemi aftësinë të investojmë në veten tonë dhe të ndërtojmë një të ardhme të barabartë, me energji të pastër dhe në këtë proces të krijojmë miliona vende pune.” tha Biden.

“Ne jemi në një pikë kthese në historinë botërore. Ndryshimet klimatike tashmë po shkatërrojnë botën”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se çdo ditë që vendet nuk veprojnë atëherë kostoja rritet.” tha Biden.

Duke marrë parasysh modelet e procedurave sikurse në Samitin e Parisit për Klimën më 2015, shpresohet se në takimin në Skoci, liderët do të pajtohen për një marrëveshje të re për klimën dhe më pas zyrtarët tjerë të hartojnë detajet, para përfundimit të samitit më 12 nëntor.

Më shumë se 20,000 delegatë janë akredituar për këtë samit.

Në këtë organizim është vërejtur mungesa e liderit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button