Dorëheqja e Zaevit, goditje për “Ballkanin e hapur”

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është vënë në dyshim takimi i radhës i nismës “Ballkani i hapur”, që është planifikuar të mbahet në Beograd. Por pas një takimi me kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se vazhdon mbështetja e fortë për “Ballkanin e hapur”. Por përfaqësues të shoqërisë civile nga Beogradi nuk shohin kurrfarë dobie nga nisma që u refuzua nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, raporton Koha.net.

Nisma e treshes rajonale nën emërtimin “Ballkani i hapur” ka marrë goditjen e radhës pas dorëheqjes së Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Iniciativa që u shty përpara nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kishte nxitur polemika prej fillimit. Kosova deri tani ka refuzuar t’i bashkëngjitet nismës, sikurse edhe Mali e Zi e Bosnjë-Hercegovina.

Megjithëkëtë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ka thënë se vazhdon mbështetja e fortë për “Ballkanin e hapur”. Por ka shtruar pyetjen nëse duhet të mbahet apo të shtyhet takimi i radhës në Beograd pas ngjarjeve të fundit në Shkup.

“Mbështetje e fortë për ‘Ballkanin e hapur’. A duhet të mbajmë apo të shtyjmë takimin në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”, ka shkruar Vuçiq në faqen e tij në Instagram.

Por të hënën ka munguar një deklarim nga kryeministri Rama, i cili ka publikuar një video nga konferenca e OKB-së mbi ndryshimet klimatike.

Kosova ishte kritikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se po mbetet peng i së kaluarës. Edhe pse Qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti ishte pajtuar që Kosova të bëhej pjesë e Mini-Schengenit, me Marrëveshjen e Uashingtonit, kryeministri aktual, Albin Kurti, e ka përjashtuar mundësinë e bashkëngjitjes kësaj nisme.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, njëherësh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të partisë. Ai këtë e bëri në një konferencë për media në Shkup, pas rezultatit të dobët që mori partia e tij në zgjedhjet lokale.

Përveç shteteve refuzuese, skepticizëm për nismën rajonale kanë edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Serbi.

“Ne nuk e dimë se çka realisht është ‘Open Balkans’. Realisht nuk e dimë se cili është programi i tij, cila është korniza e tij. Nganjëherë sikur ka garë mes shumë iniciativave dhe mesa më kujtohet kemi më shumë se njëqind organizata rajonale dhe ndoshta vetëm pesë për qind prej tyre janë duke punuar”, ka thënë Igor Bandoviq, drejtor i Qendrës për Politika të Sigurisë në Beograd. “Kështu që jemi duke krijuar nisma ose të themi kanale artificiale të komunikimit në atmosferën e rritjes së tensioneve. Kështu që mendoj se kjo është gabim, prandaj duhet fokusuar në çështjen kryesore e që është zgjerimi i Bashkimit Evropian edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, i mbajtur në korrik të këtij viti në Shkup, kryeministrat e tri vendeve ishin pajtuar që nismës t’i ndryshohej emërtimi nga “Mini Schengeni Ballkanik” në “Open Balkan”.

Tri shtetet kanë nënshkruar në fund të Forumit një marrëveshje e dy memorandume. Marrëveshja ka të bëjë me rastet e katastrofave natyrore për gatishmëri për të mbështetur shtetet, për ndihmë të ndërsjellë. Janë nënshkruar edhe dy memorandume mirëkuptimi. I pari ka të bëjë me lehtësimin e importit e të eksportit, pastaj për eliminim të barrierave në kufij e për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik.

Memorandumi tjetër ka të bëjë me tregun e fuqisë së punës, se si të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, të lehtësohet procesi i dhënies së lejeve të punës për qëndrim të përkohshëm.

Megjithëkëtë, iniciativa e cila nisi nga Nishi i Serbisë nuk është sqaruar deri në fund nga asnjëri prej shteteve që morën pjesë. Pas takimit të dytë që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mediat serbe kishin publikuar një dokument me 10 pika të Marrëveshjes, për të cilat u tha se do të jenë udhërrëfyes për nismëtarët e idesë së “Mini Schengenit”. Sipas dokumentit, udhëtimi i shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tri vendeve bëhet vetëm me letërnjoftim. Ndërkaq të huajt në shtetet anëtare të nismës mund të udhëtojnë pa viza shtesë. Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe e diplomave, pa procedura shtesë, është pika tjetër e Marrëveshjes. Po ashtu, mbështetur në dokument marrëveshja parasheh shkëmbimin e studentëve; projekte të përbashkëta; prezantimi i një kohe pune 24-orëshe për të gjitha shërbimet e inspektimit kufitar, me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar; paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital. Ndryshime parashihen edhe në ligjet e tregut të kapitalit, taksave dhe sistemit financiar, me qëllim krijimin e kushteve për një rrjedh të qetë të kapitalit. Po ashtu, pjesë e dokumentit është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftimit të krimit transnacional dhe terrorizmit. Kurse pika e fundit thotë se do të bëhet “përcaktimi i rregullave të veta në shumë fusha për të përmirësuar atraktivitetin e të tria vendeve dhe bashkëpunimin”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button