Të gjithë jemi kundër dorëheqjes së Zoran Zaevit, deklarojnë nga BDI-ja

Tre ministrat e BDI-së morën pjesë në takimet e zhvilluara sot ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, zgjedhje që e nxitën kryeministrin Zoran Zaev të jep dorëheqje, e cila nuk pranohet nga BDI-ja, transmeton Portalb.mk.

“Të gjithë partnerët e koalicionit ishin absolutisht kundër dorëheqjes së Zoran Zaevit dhe e konsideruan të përshpejtuar dhe të panevojshme, për arsye se këto janë zgjedhje lokale dhe nuk janë zgjedhje parlamentare. Ne mandatin e kemi marrë më 15 korrik të vitit 2020”, deklarojnë nga BDI-ja, duke theksuar që për qëndrimet e Zaevit duhet të pyetet Zaevi.

Ata sqaruan që në takimin e partnerëve të koalicionit nuk mori pjesë kryetari Ali Ahmeti, pasi ishte duke festuar për fitoren në Komunën e Kërçovës.

“Morëm pjesë në takimin me partnerët e koalicionit qeveritare dhe gjithë bashkërisht dhamë njëzëri përkrahjen për shumicën parlamentare, për programin e qeverisë dhe për vazhdueshmërinë e politikave qeveritare, në veçanti në aspektin e integrimit evropian, në aspektin e reformave, aspektin e sigurisë dhe siguruam edhe vetë kryeministrin Zaev, edhe ne me partnerët tjerë, që jemi njëzëri në mbështetje të politikave qeveritare”, deklarojnë nga BDI pas takimit.

Ata sqarojnë që Ali Ahmeti dje dhe sot ka biseduar në telefon me Zoran Zaevin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button