UNMIK dhe EULEX  misione të “parealizuara”

Nga Gentrit Misini

Pas bombardimeve 78 ditëshe të NATO-së ndaj Serbisë, me 9 qershor 1999 u nënshkrua marrëveshja tekniko-ushtrake e Kumanovës e cila i dha fund luftës dhe mundësoi vendosjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa me 10 qershor 1999 në Këshillin e Sigurimit në OKB u miratua rezoluta 1244 me të cilën Kosova vendoset nën administrimin ndërkombëtar nga OKB me misionin e saj UNMIK. Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK kishte mandat për të ndihmuar për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë qytetarët e Kosovës. Objektivat kryesore të UNMIK-ut, ishin krijimi i institucioneve të Kosovës, sundimi i ligjit, ruajtja e rendit publik, rindërtimi i infrastrukturës, kthimi i refugjatëve dhe demokratizimi i shoqërisë. Ky mision në Kosovë kishte kontrollin e tri pushteteve: Legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe udhëhiqej nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (PSSP)

Pas luftës, UNMIK-u luajti rol të rëndësishëm në themelimin e institucioneve të Kosovës. Në  vitin 2001, PSSP-ja miratoi Korzinën Kushtetuese e cila ishte hartuar nga ekspertë ndërkombëtar dhe vendor. Në bazë të kësaj Kornize Kushtetuese, filloi themelimi i institucioneve të përkohshme vetëqeverisese të Kosovës që përbëheshin nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Presidenca dhe Gjykatat të cilat ishin të monitoruara nga ndërkombëtaret. Korniza Kushtetuese kishe përcaktuar Kuvendin e Kosovës si institucionin me të lartë dhe ligjvënës të Kosovës, por megjithatë kompetencat e Kuvendit ishin të kufizuara nga UNMIK-u. Kompetencat e UNMIK-ut shkonin deri të atë nivel saqë kur Kuvendi i Kosovës miratonte ligje, ato kishin mundësi të shfuqizoheshin menjëherë nga PSSP-ja.

Pushteti i pakufijshëm i PSSP-së kishte bërë që të nënshkruhen edhe marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Në nëntor të vitit 2001, PSSP – Hans Haekkerup dhe përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë, Nebojsa Covic kishin nënshkruar një marrëveshje për të cilën pala shqiptare nuk kishte qenë fare në dijeni. Publikimi i kësaj marrëveshje bëhet skandal sepse një prej pikave të kësaj marrëveshje mes Haekkerup dhe Covic thotë “Ripohohet se qëndrimi për statusin e ardhshëm të Kosovës mbetet ashtu siç është parashtruar me rezolutën 1244, si dhe ky vendim nuk mund të ndryshohet me kurrfarë aksioni që merret nga institucionet e përkohshme të vetadministrimit”. Sipas kësaj pike, institucionet e përkohshme vetëqeverisese të Kosovës nuk mund të ndërmerrnin ndonjë hap drejt pavarësisë së Kosovës. Pala shqiptare kishte refuzuar ta zbatojë këtë marrëveshje. Kjo mund të themi ka qenë një ndër veprimet me të pamatura të PSSP-së në raport me shqiptarët.

Një ndër qëllimet kryesore të UNMIK-ut në Kosovë ishte sundimi i ligjit dhe ruajtja e rendit publik në mënyrë që të ofrohet siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, por kjo rezultoi të jetë e vështirë për misionin e OKB-së për arsye se në fillim sistemi gjyqësor ishe pothuajse i shkatërruar dhe kishte mungesë të stafit për të gjykuar mijëra persona që ishin të akuzuar për krime të ndryshme. Në anën tjetër, grupe të fuqishme të panjohura po kryenin vrasje të personaliteteve politike shqiptare të cilat tronditen Kosovën dhe krijuan kaos të madh në vend. UNMIK-u bëri përpjekje për të vënë rend publik dhe sundim të ligjit, por megjithatë ishte e paaftë në zbardhjen e shumë vrasjeve dhe besueshmëria ndaj këtij misioni vetëm sa zbehej në vend.

Pas përfundimit të luftës, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ende ishin te tensionuara, UNMIK-u vazhdimisht bënte thirrje për ndërtim të paqes në Kosovë dhe në të njejtën kohë ishte në terren për ruajtjen e stabilitetit në vend, por këtë nuk arritën ta bëjnë, sidomos tek trazirat e marsit 2004. Trazirat e marsit filluan pas raportimeve se tre fëmijë shqiptarë ishin mbytur në lumin Ibër, afër fshatit Çabër si pasojë e ndjekjes së disa serbëve, kjo i revoltoi të gjithë në Kosovë dhe pas këtij njoftimi filluan protestat e ashpëra të cilat zgjaten dy ditë, ku mbetën të vrarë 19 civilë nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa shumë të tjerë u lënduan dhe shumë shtëpi e monumente të trashëgimisë kulturore mbetën të shkatërruara. Policia e UNMIK-ut me gjithë intervenimin e saj, nuk arriti ta kontrollojë situatën dhe t’i ndalojë trazirat. Paaftësia e UNMIK-ut për të menaxhuar trazira të tilla dhe dhuna e madhe që u shkaktua bëri që të dërgohet sinjal për bashkësinë ndërkombëtare që të angazhohet më shumë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan e caktoi të dërguar të tij, norvegjezin Kai Eide për të kryer një raport mbi gjendjen në Kosovë. Norvegjezi e mori detyrën dhe me ardhjen e tij në Kosovë realizoi shumë vizita me përfaqësues të partive politike dhe të komuniteteve tjera. Pastaj raporti i tij dorëzohet në tetor të vitit 2005 tek Sekretari i OKB-së, Kofi Annan dhe në raportimin e tij, Eide përmend se shumë gjëra mund të përmirësohen dhe rekomandon se ka ardhur koha për fillimin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Dhe ashtu ndodhi, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë filluan në shkurt të vitit 2006, të cilat u ndërmjetësuan nga diplomati finlandez Martti Ahtisaari. Në fillimin e negociatave të dy vendet kishin prezantuar qëndrimet e tyre, Prishtina kishte theksuar se nuk pranon asnjë zgjidhje që nuk ka të bëjë më pavarësi të plotë, ndërsa Beogradi kundërshtonte çdo gjë që kishte të bëjë me pavarësinë. Pas shumë raundeve të negociatave, nga ndërmjetësuesi Ahtisaari ishte hartuar një propozim gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës. Kur ky propozim ishte bërë publike për të gjithë, në Prishtinë kishin shpërthyer protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje e cila kundërshtonte propozimin e Ahtisaarit për të cilin deklaronin se nuk i referohet popullit të Kosovës, por vetëm një minoriteti, atij serb që është i manipuluar dhe instrumentalizuar nga Serbia.

Gjatë protestave në Prishtinë që kishin për qëllim kundërshtimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe pakon e Ahtisaarit ndodhi diçka e rëndë. Dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini u qëlluan për vdekje nga policia romune e UNMIK-ut, duke shkaktuar kështu revoltim të madh në gjithë Kosovën. Kanë kaluar më shumë se një dekad dhe UNMIK-u nuk ka arritur që autorët e krimit t’i nxjerr para drejtësisë. Kjo ngjarje mbetet ende një njollë e zezë mbi misionin e OKB-së dhe paaftësi e saj për vendosjen e drejtësisë. Gjithsesi negociatat e Vjenës vazhduan dhe si rezultat i tyre, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Me shpalljen e pavarësisë, Bashkimi Evropian merr rolin drejtues në Kosovë, ndërsa organizatat e tjera ndërkombëtare kthehen në mbështetje të BE-së. Meqë BE-ja kishte marr rolin drejtues, kjo organizatë përmes institucionit të saj Këshillit të BE-së, shpall dërgimin e misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

EULEX është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të politikave të përbashkëta për siguri dhe mbrojtje në BE. Detyrë e këtij misioni ishte që t’i ndihmojë institucioneve kosovare të arrijnë të mundësojnë barazi në zbatimin e ligjit ndaj qytetarëve. Në vitin 2008, UNMIK kalon përgjegjësit tek EULEX në fushat e drejtësisë, policisë dhe doganave dhe në këtë mënyrë EULEX trashëgon mijëra dosje të cilat ishin të papërfunduara nga UNMIK. Misioni i BE-së në fillim të mandatit kishte kompetenca ekzekutive dhe qëllimi kryesor ishte sundimi i ligjit dhe përkrahja e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim. EULEX  ka qenë i angazhuar edhe në profesionalizmin e policisë së Kosovës dhe doganave  me anë të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Po ashtu misioni që nga fillimi i mandatit e deri më tani, ka kryer 699 operacione në terren për lokalizimin e personave të pagjetur, duke përfshirë 172 zhvarrime. Gjatë kësaj kohe mbetjet mortore të 470 personave janë identifikuar, 327 personave prej të cilëve ishin persona të pagjetur.

Tek sundimi i ligjit pritshmërit nga EULEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ishin të mëdha. Me ardhjen e këtij misioni një pjesë e madhe e qytetarëve besuan se luftimi i korrupsionit do të ishte i madh dhe në këtë mënyrë proceset integruese drejt Bashkimit Evropian do të ishin më të shpejta, por tani pas shumë viteve, qytetarët janë të dëshpëruar sepse korrupsioni ende është një ndër faktorët që po kemi ngecje në proceset integruese. EULEX është  përfshirë në gjykimin e shumë rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe shpresat ishin se kokat e krimit do të ndëshkoheshin, por rezultatet ishin zhgënjyese për të gjithë. Dhe kur të gjithë kishin sytë nga misioni i BE-së, për luftimin e korrupsionit, ndodhi e kundërta, brenda misionit shpërthyen akuzat për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Në kohët e fundit EULEX u përball me një skandal të madh. Në publik u shfaq Malcolm Simmons ish-Kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve në EULEX. Simmons kishte dhënë dorëheqje nga ky mision në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë kishte filluar akuzat drejt EULEX-it për korrupsion, ndërhyrje në procese gjyqësore për qëllime politike, kërcënime ndaj dëshmitarëve dhe fshehje të provave. Simmons dërgoi shumë kërkesa tek liderët politik në Kosovë që t’i mundësohej raportimi në Kuvend. Pas shumë kërkesave ai u pranua të raportojë para komisionit për legjislacion. Gjatë raportimit ai i shokoi të gjithë, duke deklaruar se EULEX nuk është mision i qeverisjes së drejtësisë, por një mision politik, duke thënë se ky mision kishte qëllim të hiqte nga skena politike ata që i cilësoi si “peshqit e mëdhenj” apo ata persona që ishin parë si pengesë për dialogun Kosovë – Serbi. Tutje ka raportuar se EULEX  u ka dhënë prokurorëve serbë dokumente lidhur me krimet e luftës të kryera nga serbët në Kosovë dhe në ato dokumente ka pasur të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin viktima të atyre krimeve dhe detaje të dëshmitarëve, shumica prej tyre shqiptarë. Misioni EULEX përmes një komunikate i ka mohuar të gjitha akuzat e Simmons, duke thënë se janë të pavërteta.

Por, pas raportimit të Simmons, tani edhe një ish zyrtare e lartë e EULEX-it, Maria Bamieh po kërkon të raportojë para Kuvendit për shkeljet e këtij misioni. Ish-prokurorja Bamieh ka bërë të ditur se është e gatshme të raportojë para Kuvendit për skandalet me korrupsion brenda misionit EULEX, nga prokurorë dhe gjyqëtarë ndërkombëtar që kanë shërbyer në Kosovë. Bamieh akuzon EULEX-in se dikur krijonin raste kundër atyre politikanëve që nuk i pëlqenin dhe bënin presion për t’i hequr çështjet kundër atyre që u pëlqenin. Bamieh shkon më tej duke thënë që gjithçka u diktua nga Brukseli dhe se drejtësia dhe sundimi i ligjit ishin iluzioni që ata përdornin për t’u fshehur në mënyrë që të arrinin qëllimet dhe objektivat e tyre politike në Ballkan. Të gjitha këto akuza po lënë të kuptojnë se misioni EULEX ka qenë e paaftë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se sundimi i ligjit nuk arriti të aplikohet në plotëni. Në vitin 2018 mandati i EULEX-it, përsëri zgjatet, por me kompetenca të kufizuara dhe në këtë mënyrë misioni i dorëzon autoriteteve vendore mijëra dosje të papërfunduara dhe kthehet vetëm në mision monitorues. Aktualisht misioni ka mandat deri në vitin 2023 dhe gjatë kësaj periudhe është duke i dhënë mbështetje logjistike dhe operacionale Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Me shumë se dy dekada me misione ndërkombëtare, qëllimi i të cilave ishte sundimi i ligjit dhe ndihma e institucioneve gjyqësore të Kosovës në këtë drejtim, prapë nuk është arritur sukses. Sistemi gjyqësor i Kosovës nuk ka arritur të pavarësohet në mënyrë të plotë dhe të ketë efikasitet. Mbi 200 mijë lëndë të pazgjidhura, shumë lëndë të kthyera në rigjykime, ndërhyrjet politike, korrupsioni dhe shumë parregullësi tjera karakterizojnë gjykatat e Kosovës. Reformat në drejtësi janë të domosdoshme, vetingu, rritja e numrit të gjyqëtarve, menaxhimi më i mirë i lëndëve dhe shumë gjëra tjera të cilat do të lehtësonin punën e stafit gjyqësor dhe do të mundësonin sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është jetik për shtetin e Kosovës, kjo sepse në këtë mënyrë do të minimizohen të këqijat si krimi i organizuar dhe korrupsioni të cilat janë pengesë për proceset integruese. Një shtet me një sistem të pavarur gjyqësor me prokurorë, gjyqëtarë e profesionistë me integritet, proceset integruese euro-atlantike do të jenë më të shpejta.

Nga Gentrit Misini
(Autori është student i Shkencave Politike)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button