RMV sërish midis dy kahjeve: demokracia në forcim, apo demokracia e kërcënuar?

Pushteti lokal që drejtpërdrejt dikton kahjen e trajektores të shtetit

Dje ishim dëshmitarë të shumë ndryshimeve në politikën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për palën shqiptare ndodhi ajo që shumë pak kush do e kishte besuar – dy qytete më të mëdha shqiptare, apo rajoni i vetëm me afër 80% shumicë shqiptare – Pollogu, gjegjësisht fushëbeteja e partive politike shqiptare në çdo zgjedhje, nuk u fitua nga partia më e madhe shqiptare.

Edhe çdo laik politike nuk do të parashikonte një situatë të këtillë ku BDI nuk do të dilte fituese e zgjedhjeve as në Tetovë e as në Gostivar, aq më shumë kur mbahet parasyshë “arsenali” i mekanizmave që gjithmonë partitë pushtetare i kanë dhe me të cilat zakonisht fitohet shumica në zgjedhje.

Kjo megjithatë ishte një rikonfirmim i afirmimit se “populli është sovrani”, sadoqë fuqia e sovranit shpeshherë është nënvlerësuar.

Në anën tjetër, në një rreth të dytë që pasoi pas një zhgënjimi të dukshëm për partinë maqedonase në pushtet LSDM, veçanërisht sa i takon rezultatit në qytetin e Shkupit, ku vet udheheqësi i qeverisë dhe i kësaj partie hapur tha që “populli foli, mesazhin e kemi marrë dhe do punojmë që t’i rregullojmë ato që nuk shkojnë”, sërish nuk bindi mjaftueshëm votuesit që të shënojnë rezultat pozitiv në favor të tyre në raundin e dytë.

Edhe këtu foli sovrani.

Në të dy rastet situata është më shumë se indikuese bile bindëse se sovrani në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është ai i dikurshmi, por që tashmë është larg më i vendosur nga sa ç’e njohim. Nga kjo duket një demokraci e forcuar.

Ky do të jetë një leksion për t’u mbajtur mend për të gjithë ata që garojnë në arenën politike dhe që sa herë që nuk do të ketë vesh për të dëgjuar dhe sy për të parë, leksioni në politikë mësohet në mënyra të hidhura.

Dorëheqja e Kryeministrit Zoran Zaev dhe nga posti i udhëheqësit të qeverisë, edhe nga ai i udhëheqësit të partisë, e realizuar me aq lehtësi siç nuk jemi mësuar të shohim një rast të dytë kur vjen puna e dorëzimit të pushtetit, në anën tjetër, na bën dyshues për sinqeritetin e motiveve që duken, për këtë veprim. Kjo akoma më shumë pas një rasti të një kryeministri të parafundit i cili përshëndetjen me këtë post e bëri në mënyrën më qyqare të mundur. Nga kjo natyrshëm na vjen pyetja se a mos vallë Kryeministri e konsideroi misionin e vet të mbaruar me sukses – dhe në atë rast çfarë ishte ky mision?

Epërsia e konsiderueshme e votave në nivel nacional nga ana tjetër në favor të VMRO-së  jep shumë sinjale dhe i pari që bie në sy është se elektorati maqedonas reflekton shpejtë, qoftë edhe vetëm pas disa viteve nga rënia e një qeverisje shumë të përafërt me ato të regjimeve. Vetëm sepse mandatari aktual nuk arriti që me përpikëri të rrijë mbrapa premtimeve të dhëna.

Çfarë do të ishte situata e këtillë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut?

-Dihet tashmë se orientimin e lëvizjes së shtetit e drejton pala maqedonase, kurse e ndikon padiskutueshëm ajo shqiptare. E para pa të dytën nuk i’a ka dalë kurrë e as do t’ia dalë ndonjëherë.

Me epërsinë e krijuar ndaj VMRO-së, shpresat e tyre rriten dhe bëhet një realitet i pritur për të krijuar shumicë parlamentare dhe forcë drejtuese në qeveri.

Kjo strukturë madje ven me një element që para 2016-ës mund të betoheshe se nuk do ndodhte kurrë me VMRO-në, që të valëvisin flamurin shqiptar para selisë së tyre. Këtu sigurisht dashur-e-padashur duhet t’i jenë falënderues Aleancës për Shqiptarët, të cilët ishin një katalizues i përkryer për VMRO-në, që ata ta bëjnë kapërcimin nga një ideologji në tjetrën, për një kohë rekord, që mbase as ata vet nuk do t’a kishin pritur (që s’ka diskutim se kjo vetëm në favor të vetë ASh- së që nuk ishte!)

Por valëvitja e flamurit shqiptar para selisë së VMRO-së a është një fakt i mjaftueshëm për të bindur masën se ata kanë ndryshuar! Dhe si mund të besohet për një ndryshim të këtillë ku forcat drejtuese të kësaj partie janë akoma të njëjtat figura që jo shumë kohë më parë kanë udhëhequr protesta me thirrjet “vdekje për shqiptarët”. A mos do jetë ky një rast sui generis ku thënia e famshme tani për të parën herë do të transformohet në “Ujku qimen e ndërron, por edhe zanatin e harron”?!- Pak për t’u besuar kjo…

Sido që të shkojë kahja politike në vijimësi, SDSM është një meritor historik për ndryshimin e koncepteve qytetare në RMV, ku për të parën herë u aplikua dhe fitoi koncepti multietnik. SDSM është meritore edhe që VMRO kurrë më nuk do të ketë mundësi ti rikthehet diktaturës së pastër nacionaliste dhe kjo për shumë arsye.

Një probabilitet i pritur, që vjen si rezultat i faktit që kësaj here rezultatet e zgjedhjeve lokale diktuan riorganizimin e pushtetit qendror, mund jetë edhe demokracia e vendosur në kërcënim.

Këto zgjedhje lokale çojnë në një ndryshim të tërësishëm të skenarit, ku kahjet e ecurisë së mëtejme janë në udhëkryq. Me ndryshimin e skenareve rrezik i qartë mbetet ngecja për të paktën prej disa vitesh që mund të imponohet me vet fuqizimin e VMROsë, të cilët kanë treguar pozicionim të qartë sa i përket çështjes së marrëveshjeve brenda-shtetërore dhe atyre me implikim rajonal, por edhe ndërkombëtar. Skenari më i mirë do të jetë që pas përpjekjeve shtyj-tërhiq prej një ose dy vitesh, VMRO do të ishte “bindur” për disa prej çështjeve parimore në konceptet e reja të shtetit – dhe këtu sigurisht do të pasojnë shumë skena trimërie, patriotizmi e çfarë jo tjetër.  -Apo skenari tjetër që duket si një ëndërr e keqe, këmbëngulja e tyre në qëndrimet absurde në të cilat ende akoma thirren, që do të çojë në një regres të thellë të gjithë vendit dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Shkruan: Pranvera Kasami – Drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button