Cilat janë arsyet për formimin e aleancës AUKUS dhe si mbeti Franca me duar bosh

Viktor Jakimovski 400x500
Viktor Jakimovski

Prapavija e kësaj serie veprimesh është shumë më e thellë nga sa duket, sepse bëhet fjalë për mundësi të mëdha gjeopolitike dhe çështje të hapura, aq të mëdha sa AUKUS mund të përfaqësojë projektin më të madh strategjik të paktën në gjysmën e parë të shekullit 21.

Javët e fundit është ngritur shumë pluhur rreth partneritetit strategjik “AUKUS”. AUKUS është një aleancë strategjike ushtarake trepalëshe midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fillimisht për të ndërtuar një klasë nëndetësesh me energji bërthamore, por gjithashtu për të bashkëpunuar edhe në fushën e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale (IA) dhe për veprime të përbashkëta në rajonin Indo-Paqësor, ku fuqizimi i Kinës konsiderohet si një kërcënim në rritje, megjithëse emri i Kinës nuk u përmend. Kjo do të thotë që Australia do të braktis marrëveshjen e vitit 2016 me Francën për ndërtimin e 12 nëndetëseve me naftë dhe energji elektrike, në vlerë 90 miliardë dollarë australianë (56 miliardë euro), diçka që francezët e vlerësuan menjëherë si një „thikë pas shpine“.

Megjithatë, prapavija e kësaj serie veprimesh është shumë më e thellë nga sa duket, sepse bëhet fjalë për mundësi të mëdha gjeopolitike dhe çështje të hapura, aq të mëdha sa AUKUS mund të përfaqësojë projektin më të madh strategjik të paktën në gjysmën e parë të shekullit 21.

Çfarë e shtyu Australinë të merrte këtë hap?

Rritja e shpejtë e fuqisë ushtarake të Kinës dhe krijimi i flotës më të madhe në botë gjatë dekadës së fundit e kanë shtyrë Kinën të bëjë lëvizje të guximshme jo vetëm në rajonin e Indo-Paqësorit, por edhe globalisht, duke sfiduar dominimin detar për disa vjet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti strategjinë e saj për Detin e Kinës Jugore.

Aktiviteti ushtarak në rritje i Kinës ka ndezur kambanat e alarmit në shumë vende që kanë interesa në rajon, rezidentë apo jo, përfshi këtu edhe Australinë. Edhe pse Kanberra zyrtare prej kohësh mbante qëndrimin se nuk duhet të mbajë anë mes Shteteve të Bashkuara ose Kinës, megjithatë qëndrimi i saj ndaj Pekinit zyrtar ishte acaruar vitet e fundit. Në vitin 2019, Australia akuzoi Kinën se qëndron pas një sulmi kibernetik ndaj Parlamentit dhe tre partive më të mëdha politike. Marrëdhëniet u ndërlikuan më tej vitin e kaluar kur Kryeministri Australian Morrison bëri thirrje për një hetim mbi origjinën e koronavirusit dhe se hetimet nuk duhet të bllokohen nga disa vende të caktuara, duke aluduar në Kinën – diçka që Kina e ka përjatuar si një akuzë. Pas kësaj, Kina u hakmor duke vendosur sanksione ekonomike ndaj eksporteve australiane. Kjo kontribuoi në masë të madhe që Kanberra zyrtare të fillonte të kishte frikë nga Pekini.

Nga ana tjetër, lind pyetja, pse Australia duhej të braktiste marrëveshjen me Francën për nëndetëset me naftë dhe energji elektrike dhe të vihej në një pozitë të përkeqësimit të marrëdhënieve me Parisin, por edhe të përkeqësimit të reputacionit të saj në botë në përgjithësi? Përgjigja e shkurtër është oportunizmi. Përgjigja më e gjatë është pak më e ndërlikuar.

Në fakt, marrëveshja midis Kanberrës dhe Parisit dhe kompanisë franceze DCNS (e njohur edhe si Naval Group) e cila ishte përgjegjëse për ndërtimin e nëndetëseve, u pasua nga shumë kokëdhimbje për Kanberrën. Fillimisht, në gusht të vitit 2016, para se të nënshkruhej zyrtarisht marrëveshja, por pasi ishte bërë publike, kompania DCNS pranoi se ishte hakuar pasi ishin zbuluar 22.000 dokumente, gjë që shkaktoi shqetësim tek australianët në lidhje me projektin. Më pas, Australia u befasua edhe nga llogaritjet në lidhje me blerjen dhe mirëmbajtjen e nëndetëseve.

Fillimisht, projekti supozohej të kushtonte 50 miliardë dollarë australianë, që më pas në vitin 2019 do të vlerësohej në 90 miliardë dollarë australianë. Më në fund, problemi kryesor për Australinë ishte afati kohor për dorëzimin e nëndetëseve, një afat që nuk i përshtatej aspak Australisë. Australia kishte nevojë urgjente për nëndetëse të reja për të zëvendësuar gjashtë nëndetëset e saj të vjetra të klasës Collins, të cilat ishin planifikuar të tërhiqeshin nga funksioni në vitin 2026. Kurse fakti më optimistik, ishte e pamundur që nëndetëset e para të dorëzohen para vitit 2035. Pa nëndetëse, Australia do të mbetej e rrezikuar në kohë tensionesh të shtuara me Kinën, dhe kjo nuk i konvenonte aspak. E gjithë kjo, plus mundësia e marrjes së teknologjisë së nëndetëseve me energji bërthamore, e ka bërë Francën një partner që nuk i përshtatet Kanberrës zyrtare, prandaj Australia iu drejtua dy “aleatëve historikë” të saj.

Nga Parisi ambicioz në një ego  lënduar franceze

shtë shumë e rëndësishme të përmendet se Franca ka qenë e pranishme në rajonin e Indo-Paqësorit për një kohë të gjatë. Territoret franceze në atë pjesë të botës, në jug të Oqeanit Indian dhe Paqësor, mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 10 milion kilometra katrorë, gjë që i jep Francës një nga Zonat Ekonomike Ekskluzive më të mëdha (EEC) në botë.

Franca gjithashtu mban një prani ushtarake në rajon. Ajo ka vendosur për gjithë kohën një personel ushtarak prej 7.000 ushtarësh në të gjithë rajonin: 4.100 në Oqeanin Indian dhe 2.900 në Oqeanin Paqësor. Ndër të tjera, Franca ka vendosur në këtë rajon disa avionë luftarakë, helikopterë, avionë taktikë transporti, fregata vëzhgimi, anije patrullimi (përfshirë 1 varkë patrulluese polare), anije me shumë misione, avionë mbikëqyrës detarë. Franca gjithashtu ka mbështetjen e BE-së për aktivitetet në rajonin e Indo-Paqësorit, pasi është i vetmi shtet anëtar rezident në atë rajon. Përveç kësaj, të rëndësishme në këtë drejtim janë partneritetet strategjike që Franca ka me Indinë dhe Japoninë.

E gjithë kjo forcoi vetëbesimin e Francës se përmes pozicionit të saj të favorshëm në një nga rajonet më të rëndësishme në botë, do të jetë në gjendje të imponohet si një lojtar kyç në shumë procese. Megjithatë, disa gjëra ai nuk i kishte parashikuar.

AUKUS i kushtoi shtrenjtë Francës. Së pari, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe fituan Australinë në anën e tyre dhe kështu krijuan një pozicion më të favorshëm, duke lëkundur kështu partneritetin „Paris-Delhi-Kanberra” që Makron e promovoi në vitin 2018. Së dyti, ata humbën një marrëveshje me vlerë 56 miliardë euro. Së treti, marrëveshja në sytë e Parisit zyrtar ishte baza për avancimin e marrëdhënieve franko-australiane për 50 vitet e ardhshme. Së katërti, Parisi zyrtar ka humbur besimin e partnerëve të tij kryesorë. Së pesti, prishja e marrëveshjes paraqet një lëndim të “egos ushtarake franceze”.

Më i zëshmi dhe më i hidhëruari pas prishjes së marrëveshjes ishte ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian. Kjo patjetër që kishte një arsye. Nëse shikoni biografinë e Le Drian, mund të vëreni diçka mjaft interesante. Në fakt, para se të shërbente si Ministër i Punëve të Jashtme të Francës, Le Drian ishte Ministër i Mbrojtjes në dy raste në periudhën midis vitit 2012 dhe 2017. Si Ministër i Mbrojtjes, suksesi i tij më i madh konsiderohet të jetë arritja e marrëveshjeve me Egjiptin, Katarin dhe Indinë për shitjen e avionëve luftarakë Dassault Rafale, prodhuar nga kompania franceze Dassault Aviation, ku ai është i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat me disa vende dhe nënshkrimin e marrëveshjes me Australinë në vitin 2016 për ndërtimin e nëndetëseve. Prandaj, është e qartë pse ndoshta politikani “i preferuar” i industrisë ushtarake franceze, Le Drian, e përjetoi këtë si humbjen e tij personale.

Por edhe Franca gjithashtu duhet të përballet me realitetin gjeopolitik. Franca, kur shesin armë në kohë paaqeje, duket se nuk merr parasysh furnizimin e blerësit me pjesë këmbimi dhe azhurnime shtesë kohës së luftës. Hipotetikisht, në rast të një lufte midis Kinës dhe Australisë, Kina mund ta shikonte furnizimin me pjesë rezervë dhe azhurnime si një ndërhyrje direkte nga Franca dhe/ose si një akt agresioni. A do të qëndronte Franca në këtë rast fuqishëm pas Australisë dhe të shkaktonte konflikt me Kinën? Me siguri jo.

Loja strategjike amerikane?

Në tërë këtë histori, duhet të shtrohet pyetja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin Australisë këtë lloj teknologjie të lartë, të cilën e ka ndarë vetëm një herë me Mbretërinë e Bashkuar? Ndoshta përgjigja do të ishte e dyfishtë – ose është pjesë e interesit të Uashingtonit ose është çmimi që ata duhet të paguajnë. Disa politikanë të lartë tashmë e kanë vlerësuar këtë hap si një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve, por pyetja është nëse ky vlerësim është mirë i argumentuar.

Për këtë administratë amerikane, si duket ranë kambanat për t’u marrë më seriozisht me agresionin kinez, siç e quajnë ata, në Paqësor. Më parë, administrata e Obama-s, e cila duket se ishte përqendruar më shumë në luftërat që ka zhvilluar në Lindjen e Mesme, dështoi shumë sa i përket veprimit adekuat ndaj Kinës në lidhje me situatën në Paqësor. Administrata Trump ndoshta mendoi se do të arrinte efektin përmes një lufte tregtare, e cila rezultoi e pamjaftueshme për këtë administratë dhe vendosi të hapte një front të ri.

Është e qartë se administrata e Biden e dinte që në fillim se në çfarë po hynte saktësisht dhe se ky është një hap që është planifikuar dhe përgatitur paraprakisht. Pas tërheqjes së SHBA-ve nga Afganistani, kishte shumë pyetje pse ndodhi kaq shpejt. Përgjigja e këtyre pyetjeve është alenaca/pakti AUKUS. Është vetëm çështje kohe para se Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fillojnë të përqëndrojnë burimet dhe personelin e tyre drejt ballafaqimit me kërcënimin e tyre të ri – Kinën.

Në këtë kohë të matjes së fuqive, Australia kishte nevojë për Shtetet e Bashkuara po aq sa Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për Australinë. Me nëndetëset me energji bërthamore, Australia do të jetë në gjendje të patrullojë pikat dhe ngushticat kryesore strategjike si Lombok, Sunda dhe Malaka, si dhe të kryejë operacione në Detin e Kinës Jugore. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara ndoshta do të ishin në gjendje të akomodonin anijet e tyre luftarake në portet veriore të Australisë, gjë që do të lehtësonte më tej praninë e tyre në rajonin e Indo-Paqësorit.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button