Kovid-19 ekziston dhe është një realitet i hidhur

Koronavirusi u izolua në një laborator, gjë që e dëshmon ekzistencën e tij. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se virusi u izolua më 7 janar të vitit 2020 në Kinë. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë ka kaluar shifrën 200.000, dhe numri i vdekjeve është mbi 7.000. Gjithnjë e më shumë në publik dalin familje të të ndjerëve të cilët dëshmojnë se të afërmit e tyre kanë vdekur si pasojë e Kovidit, dhe dëshmi të tilla nuk mund të përgënjeshtrohen. Sidomos sepse ekziston një histori mjekësore e shtrimit në spital të pacientëve dhe parametra që flasin për një pasqyrë klinike të Kovidit, jo karakteristike për sëmundje të tjera, shkruan Vërtetmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook në të cilin pretendohet se Kovidi nuk ekziston. Kovidi krahasohet me mosekzistimin e Baba Dimrit!

Kaq shumë herë është folur për Kovid-19, sa që u bë realitet kulturor. Njësoj si Baba Dimri – të dy nuk ekzistojnë, thuhet në postim.

Ndryshe nga ky pretendim, ka shumë fakte të pakundërshtueshme që dëshmojnë se Kovidi, një sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi, ekziston dhe ka pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve si dhe për ekonomitë e të gjitha vendeve të botës. Është një pandemi globale dhe raste të kësaj sëmundjeje të rrezikshme infektive janë regjistruar në të gjitha kontinentet.

VIRUSI ËSHTË IZOLUAR QË NË JANAR TË VITIT 2020

E para, koronavirusi u izolua në një laborator, gjë që e dëshmon ekzistencën e tij. Virusi u identifikua nga autoritetet kineze në 7 janar të vitit 2020, pas çka u izolua edhe materiali i tij gjenetik. Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se virusi u izolua më 7 janar të vitit 2020 edhe në këtë kumtesë. Ky izolim i koronavirusit përmban udhëzime për prodhimin e proteinave virale që janë bazë për vaksinat Pfizer dhe Moderna.

Statistikat e fundit të institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut tregojnë se deri më tani në vendin tonë janë kryer gjithsej 1.369.624 testime për Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 200.412, numri i pacientëve të shëruar është 187.149, numri i të vdekurve 7.072, ndërsa numri i rasteve aktive është 6.191 (gjendja deri më 25.10.2021). Të gjithë këto numra nuk janë vetëm statistika, por njerëz realë. Është e pamundur të manipulosh me kaq shumë njerëz të infektuar nëse nuk ka Kovid. Ekziston një mënyrë për ta zbuluar Kovidin, dhe ky është testi PCR.

Komuniteti shkencor që në fillim të vitit 2020 konfirmoi se bëhet fjalë për virusin Sars Cov 2, prandaj të gjitha vendet në botë po zbatojnë masa për të parandaluar përhapjen e tij. Testet PCR për Kovid-19 janë të sakta dhe e zbulojnë materialin gjenetik të virusit Sars Cov 2, por jo edhe viruset që shkaktojnë ftohje ose grip, edhe pse simptomat mund të jenë shumë të ngjashme.

Siç thuhet në ueb-faqen e Qendrës së shëndetit publik – Shkup, metoda sipas të cilës vërtetohet prania e virusit në mostrën e marrë nga pacienti realizohet në dy hapa dhe paraqet një standard të artë në detektim.

Hapi i parë është ekstraktimi automatik i ARN-së me ndihmën e një ekstraktuesi automatik të virusit me parimin e një metode moderne me grimca magnetike, që mundëson ekstraktimin e acidit nukleik viral të cilësisë së lartë.

Hapi i dytë është shumëzimi i ARN-së virale të izoluar dhe detektimi specifik i virusit në mostrën e marrë sipas pranisë së gjeneve të synuara specifike të Sars Cov 2 (gjenet N dhe E). Këto gjene janë gjene për proteinat strukturore që janë pjesë e strukturës së virusit dhe janë specifike vetëm për virusin Sars Cov 2 të familjes së viruseve SARS. Kjo metodë lejon që virusi të zbulohet me ndjeshmëri të lartë dhe e zbulon virusin tek një pacient kur ai është i pranishëm me një minimum prej 10 kopjesh të gjenit, shkruan në uebfaqen  e Qendrës së shëndetit publik – Shkup

Paragrafi i mësipërm, i shpjeguar me terminologji të thjeshtë, në fakt do të thotë se testi PCR zbulon koronavirusin sipas gjeneve specifike vetëm për Sars Cov 2 – N dhe E të cilat gjenden vetëm te koronavirusi.

VIRUSI NDRYSHON, TË RINJTË PO SËMUREN GJITHNJË E MË SHUMË

Virusi ndryshon dhe aktualisht në vendet e botës dominon lloji Delta, i cili është i pranishëm edhe në vendin tonë. Ky lloj solli valën e katërt të pandemisë në Maqedoni gjatë së cilës u regjistruan shifra të reja të të infektuarve dhe të vdekurve. Të rinjtë po preken gjithnjë e më shumë nga virusi, prandaj Мinistria e shëndetësisë bëri thirrje për vaksinim sa më masovik të qytetarëve.

Në fillim të pandemisë, pretendimi se koronavirusi nuk ekziston ishte mjaft i fuqishëm, por edhe pse me rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve ngadalë u zbutën, ato nuk u zhdukën plotësisht. Kjo u bë problem për teoricienët e konspiracionit që e përhapin këtë tezë jomjekësore dhe joshkencore me të cilën mundohen të vënë në dyshim ekzistencën e koronavirusit, pasi në shumë familje në vend ka pasur raste të infektimit. Gjithnjë e më shumë në publik dalin familje të të ndjerëve të cilët dëshmojnë se të afërmit e tyre kanë vdekur si pasojë e Kovidit, dhe dëshmi të tilla nuk mund të përgënjeshtrohen. Sidomos sepse ekziston një histori mjekësore e shtrimit në spital të pacientëve dhe parametra që flasin për një pasqyrë klinike të Kovidit, jo karakteristike për sëmundje të tjera.

Profesionistët mjekësorë flasin për simptomat, pasqyrën klinike dhe mënyrën në të cilën manifestohet sëmundja. Ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë në punën e përditshme përballen me pacientë të cilët i trajtojnë nga Kovidi dhe janë shumë të vetëdijshëm se sëmundja ekziston.

Për shkak të gjitha argumenteve të mësipërme, postimin në të cilin pretendohet se Kovidi nuk ekziston e vlerësojmë si të pavërtetë.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button