Spasovski: Zgjedhje të qeta dhe të ndershme – kallëzime penale ndaj pesë zyrtarëve policor (VIDEO)

“Maqedonia e Veriut e kaloi testin e pjekurisë demokratike, treguam se kemi kapacitete të mjaftueshme demokratike dhe po e ngremë reputacionin ndërkombëtar të vendit”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas raundit vendimtar të zgjedhjeve të sotme lokale në vend. Ai vlerësoi se zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë paqësore, të ndershme dhe demokratike dhe se MPB-ja iu përgjigj sfidave në lidhje me sigurinë e procesit zgjedhor, në nivelin më të lartë profesional, përcjell Portalb.mk

“Iu përgjigjëm shpejt dhe në kohë të gjitha denoncimeveme qëllim që bashkërisht të parandalojmë të gjitha keqpërdorimet. Gjatë ditës së sotme, nuk janë regjistruar incidente apo shkelje të mëdha të procesit zgjedhor. Deri në orën 19 janë regjistruar gjithsej 31,7 për qind më pak raporte në krahasim me zgjedhjet e qershorit 2020”, tha Spasovski.

Ai informoi se janë raportuar 144 ngjarje, në të cilat është shënuar rënie prej 67% në lidhje me veprat që kanë të bëjnë me korruptimin e votuesve.

Numri më i madh i raportimeve janë ngritur për agjitacion të votuesve, ryshfet zgjedhor, kërcënime verbale, keqpërdorim të të dhënave personale, rrezikim të sigurisë dhe për grupim personash në afërsi të qendrës së votimit.

Spasovski informoi se do të ngrihen dy kallëzime penale për shkatërrim të materialit zgjedhor në Kërçovë, si dhe për shkelje të fshehtësisë së votimit. Kallëzime penale janë ngritur edhe ndaj pesë zyrtarëve policor – katër prej tyre janë pushuar nga puna dhe ndaj të pestit po veprohet akoma.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button