Valët e nxehta ekstreme dhe përmbytjet katastrofike janë normaliteti i ri, thuhet në raportin e Organizatës Botërore Meteorologjike

Ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë valët e fuqishme të të nxehtit dhe përmbytjet shkatërruese, tani janë normaliteti i ri, thuhet në raportin e Organizatës Botërore Meteorologjike të publikuar në fillim të Samitit për klimën në Glazgov që do të zgjatë dy javë.

Raporti i Klimës 2021 thekson se bota po ndryshon para syve tanë. Temperatura mesatare 20-vjeçare është gati të jetë një gradë Celsius mbi nivelet para-industriale për herë të parë, dhe niveli global i detit është rritur në lartësi të reja në vitin 2021, thuhet në raport, transmeton Sdk.mk.

Aty theksohet se shtatë vitet e fundit, duke përfshirë vitin 2021, ndoshta do të jenë më të nxehtat që kur kanë filluar matjet, pasi gazrat serë kanë arritur përqendrime rekord në atmosferë. Rritja shoqëruese e temperaturave po e shtyn planetin në një territor të panjohur, thuhet në raport.

“Ngjarjet ekstreme janë normalja e re. Ka shumë prova që disa prej tyre e kanë vulën e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”, deklaroi shefi i OBM (WMO) Peter Talas.

Si ngjarje të pazakonta atmosferike ai veçoi reshjet që deri tani nuk janë parë në  Grenlandë, valët ekstreme të të nxehtit në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, përmbytjet katastrofike në pjesë të Evropës, thatësirat në Amerikën e Jugut subtropikale dhe shirat e dendura në disa pjesë të Kinës.

Një tjetër moment shqetësuese është rritja e nivelit të detit, që ka qenë 4,4 milimetra në vit në periudhën 2013-2021.

“Nëse kjo trajektore vazhdon, niveli i detit mund të rritet me dy metra në 2100, që do të rezultojë me zhvendosjen e 630 milionë njerëzve”, shtoi Talas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button