WWF për COP26: Të gjitha premtimet duhet të përmbushen

Zbatimi i menjëhershëm i politikave dhe masave efektive dhe përmbushja e të gjitha premtimeve klimatike të bëra deri më tani, janë dy kërkesat kryesore që Organizata Botërore për mbrojtje të natyrës (WWF) i vendos para liderëve botërorë përpara fillimit të Konferencës për Ndryshime Klimatike COP26, shkruan Portalb.mk.

Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP26 do të mbahet në Glazgov këtë vit nga 31 tetor deri më 12 nëntor 2021. Në këtë konferencë, zyrtarë qeveritarë nga e gjithë bota takohen për të përcaktuar politikat dhe masat e përbashkëta si përgjigje ndaj krizës klimatike, përkatësisht për të përmbushur premtimet e dhëna në një sërë samitesh të mëparshme, të përmbledhura në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015.

“Duke nisur aksione efektive dhe ambicioze dhe duke i drejtuar negociatat e OKB-së drejt një qëllimi të vetëm – kufizimi i ngrohjes globale deri në 1.5° C – ne mund të shmangim efektet më shkatërrimtare të ndryshimeve klimatike mbi njerëzit dhe natyrën. Samiti në Glazgov mund të jetë shansi i fundit për të ngadalësuar ndryshimet klimatike, për të arritur marrëveshje me liderët botërorë dhe për të përmbushur të gjitha premtimet e mëparshme në lidhje me ndryshimet klimatike,” tha Koordinatorja e politikave e WWF Adria në Maqedoni, Ana Çoloviq Leshoska.

WWF ka formuluar pesë premtime kryesore që priten urgjentisht të përmbushen nga pjesëmarrësit e COP26. Këto janë: reduktimi i përshpejtuar i emetimeve të dyoksidit të karbonit, zbatimi i zgjidhjeve që bazohen në natyrë, ndihmë urgjente natyrës dhe përshtatja e njerëzvw, financimi i ardhshëm dhe zbatimi efektiv i politikave dhe masave për të zbutur ndryshimet klimatike.

Nevojitet veprim urgjent nga qeveritë në rajon. Vitet e fundit, Ballkani është goditur rëndë nga ngrohja globale dhe është e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike. Është shënuar rritje e temperaturës mesatare prej 1,2°C dhe pritet ngrohje shtesë prej 1,7°C deri në 4°C, varësisht nga zbatimi i masave lokale dhe ndërkombëtare për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë në vitet e ardhshme.

Në prag të COP26, shteteve iu bë thirrje që të miratonin kontribute të përcaktuara kombëtare NDCs (ang. National Determined Contributions), të përmirësuara, më ambicioze, të cilat deri më tani i kanë realizua vetëm 13 nga 192 nënshkruesit e Marrëveshjes së Parisit. Qëllimi i NDC-listës kontrolluese të WWF  është të kontribuojë në përparimin e tyre, të inkurajojë përdorimin e praktikave më të mira, të identifikojë vështirësitë dhe të nxjerrë në pah ata që kanë ngecur. COP26 është një mundësi e rëndësishme për qeveritë, kompanitë dhe lojtarët e tjerë kyç për të treguar se janë të gatshëm të përmbushin të gjitha premtimet e tyre në lidhje me klimën.

Prandaj WWF u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen fushatës #WeWontForget dhe u kujtojnë udhëheqësve tanë që të mos harrojnë premtimet e tyre të bëra në lidhje me qëllimet dhe masat konkrete për të zbutur dhe përshtatur ndryshimet klimatike dhe se ato duhet të jenë në përputhje me përpjekjet e reja globale.

“Ndryshimet klimatike janë problemi më i madh me të cilin përballet njerëzimi dhe për ta zgjidhur atë nevojitet veprim i përbashkët. Kjo është arsyeja për të cilën u përfshiva në projektet e WWF për ndryshimet klimatike. Megjithatë, janë qeveritë ato që duhet të tregojnë lidership. Pres masa konkrete nga COP26, të cilat në kohën më të shkurtër të mundshme do të zbatoheshin në shumicën e vendeve. Duhen plane, por realizimi i tyre është edhe më i rëndësishëm sepse nuk kemi më shumë kohë”, tha Minja Parabucki, përfaqësuese e lëvizjes rinore WWF Adria.

Duhet t’u kujtojmë vendimmarrësve se nuk kemi më kohë dhe secili prej nesh mund ta bëjë këtë sot duke i dhënë votën tonë për klimën. Çdo votë bën dallimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button