Duke shfletuar veprën e Dino Buzzatit “Një dashuri” (Roman)

Buzzati është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm italian të shekullit të kaluar.

Me romanin e tij erotik “Një dashuri”, do t’i çojë peshë diskutimet rreth temës që e kishte shtjelluar.

Antonio Dorigo është një skenograf 49 vjeç, në moshën e rinisë së shkuar, që dashurohet në laviren e re 20 vjeç, Laiden. Ngjarja zhvillohet në Milano në metropolin e madh të tundimeve, karakteristike për qytete të mëdha .

Romani nis me të dhënat biografike të heroit kryesor Antonio Dorigos, që çon një jetë jo edhe aq të angazhuar. Dashurinë e blen në shtëpinë publike…dhe atëherë njihet me vajzën e re Laiden, që e bën t’i ndryshojë rrjedha e jetës së tij…ai jeton një jetë përplot me dyshime, hamendje, paragjykime, mosbesime, manipulime. Autori nuk e kursen heroin e vet, është real, duke e treguar në situata të rënda, të ashpra dhe të pakëndshme…vetëm aty ku mund ta shpjerë një njeri, një dashuri e vërtetë.

Romani i tij i vetëm erotik, bëri bujë e morri formën e një procesi ndaj Dino Buzzatit, njësoj përafërsisht si “Zonja Bovari”i Floberit.

Syri i mprehtë, vështrimi, hyrja në poret më të imta jo vetëm të qytetit italian Milanos , por edhe të banorëve të saj, shëtitja e ngadalshme nëpër rrugët e ngushta dhe të gjëra të Milanos, paraqitja panoramike e jetës së një pjese të qytetarëve të saj, të ndërtesave me dhe pa ashensor, të portierëve, lajm-marrësve dhe lajm-dhënësve ,duke ecë ngadalë edhe nëpër korridoret e shtëpive kulturore si dhe të një pjese të fshehur të “shtëpive publike”, nëpër mëhalla të varfërve, duke i treguar vajzat e reja të mitura e të pafajshme e duke u munduar të gjejë diçka të jashtëzakonshme, të çuditshme dhe të paparë, autori nuk është gjykatës as për qytetin e Milanos e as për vajzat e reja që kanë rënë pre e mëkateve. .e duke ardhur ngadalë deri në portretizimin e personazheve kryesorë Antonio Dorigos 49 vjeçar në njërën anë, dhe Laides, një çupëlinë, njëzet vjeç, ne e ndjejmë romanin , ashtu lehtazi, me një përshkrimin sa realist, po aq artistik.

Romani ” Një dashuri”, është roman poezi.

Paraqitja jo vetëm e natyrës së jashtme fizike, por edhe atë të brendshme shpirtërore të aktorit kryesor, një dizajner të shkëlqyer i tablove të teatrit, të kulturës, këngës e baletit, skenograf i veshjes së aktorëve më Shtëpinë e kulturës, të operës, të “La Scala-s”, të pjesëmarrësve të saj, dhe gjendjes shpirtërore e psikike të Antonios dhe Laides, të cilët Buzzati i paraqet në një mënyrë aq mjeshtërore, sa e ndjejmë jo vetëm si ndjehet psikikisht por edhe shpirtërisht, e shohim si në pasqyrë çdo shenjë në fytyrën e Dorigos, dhe krejt dridhërimat e shpirtit që i përjeton duke e pritë, e duke e parë gjendjen e tij, si e shikonte derisa luante balet ajo, që shtiret se nuk e njeh, vajza, që e quan herë si çamarroke, e herë si çupëlinë Laiden, laviren, me të cilën ka kontakte të shkurtra të kënaqësisë fizike…gjë që ngadalë, duke mos qenë i vetëdijshëm, ajo, Antonios do t’ia ndryshojnë jetën kur do të vetëdijësohet.

Nuk ishin ato momente të marrëdhënieve seksuale, që i paguante, por figura e saj, siç e përshkruan autori,(“…Laide-ja ishte një fytyrë e vendosur, hokatarë, e patëkeq, dinake, e dëlirë provokuese…),filluan t’i kthehen në ankthe….në mundime psikike, xhelozi, e makthe shpirtërore, kur e kuptoi se “çamarrokja” e re, lavire, me të cilën kishte një ndryshim të bukur vitesh, ajo tridhjetë vjet më e re, gati fëmijë para tij, i kishte hyrë thellë në zemrën dhe mendjen e tij, e bënte shumë të shqetësohet para saj, duke u munduar të përmbahet të mos e tradhtoje gjendjen emocionale , dashurinë e ndrydhur brenda vetes mirë. Laideja e keqpërdorte mirësinë e tij, me Marçellon, dashnorin që e paraqiste si kushëri e atë si një ungj para botës, pra … ajo qëllimisht e përdorte Antonion për nevojat e saja si një shërbëtor, e përulte para syve të tjerëve, me teket e saja duke ditur se ai nuk do ta kundërshtonte për asgjë, gjë që ishte e vërtetë. E sillte në një pozitë aq të rëndë shpirtërore, sa ai me netë të tëra nuk flinte., ndërsa ajo e çonte ta ushqejë edhe qenin e saj, e vet shkonte me burra të tjerë. Antonio, një intelektual…vuante me netë të tëra duke pritur ndonjë ndryshim në sjelljen e saj, dhe përsëri në çdo përulje e poshtërim e ulte kokën dhe vuante…

Antonio mendoi se u nda…por, nuk e çoi as katërmbëdhjetë ditë, e thirri , i pranoi kushtet e saja, dhe vazhdoi çmeritjen e zakonshme, të matufepsurit e tij, skëterrën në kraharor, regëtimën, gulçin, shkallmimin…hamendjen…ai, parapëlqen të jetë në zgrip të zemërimit sikletit dhe xhelozisë duke psherëtirë dhimbshëm:

“Pra, kjo qenka dashuria…në këtë mur shpërfilljeje thërrmohej vala e ëndrrave, zjarri hyjnor!”.

Kështu duke e lexuar këtë roman me një përkthim të shkëlqyer të Dritan Çelës, na hapet një horizont i ri në përvetësimin e një fjalori mrekullisht të pasur, të kuptueshëm e joshës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button