Të vaksinuarit me vaksinat kineze dhe vaksinën ruse Sputnit të “ngecur” në rrugën drejt vendeve evropiane

Më shumë se gjysma e popullsisë në vend e vaksinuar me dy doza të vaksinës, ose 411.171 njerëz, janë vaksinuar me vaksinat Sinovac dhe Sinofarm të Kinës dhe vaksinën Sputnik V të Rusisë. Tani, këta qytetarë – të vaksinuar me ndonjë nga tre vaksinat e pa miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) – përballen me kufizime gjatë udhëtimit jashtë vendit. Ata që janë vaksinuar me Sinovak, Sinofarm dhe Sputnik V, edhe nëse marrin një dozë përforcuese Pfizer, do të përballen me kufizime gjatë hyrjes dhe me karantinim në shumicën e vendeve evropiane, të cilat i pranojnë vetëm vaksinat e miratuatra nga EMA: Pfizer, AstraZeneka, Johnson & Johnson dhe Moderna. Pra të imunizuar plotësisht konsiderohen vetëm ata që kanë marrë dy doza të këtyre vaksinave, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Mirosllava Burns

Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë pak kohë më parë njoftuan se çdo qytetar, pavarësisht nga mosha, mund të aplikojë për marrjen e një doze të tretë të vaksinës kundër Kovidit, nëse kanë kaluar gjashtë muaj nga pranimi i dozës së dytë. Përjashtim bëjnë vetëm vaksinat e prodhuesve kinezë, “Sinovak” dhe “Sinofarm”. Për ata që janë vaksinuar me vaksina kineze, pranimi i një doze të tretë rekomandohet tre muaj pas pranimit të dozës së dytë, pasi studimet shkencore kanë treguar se antitrupat e fituara nga vaksinat kineze bien më shpejt. Për të gjithë qytetarët, vaksina e tretë është e prodhuesit “Pfizer” – vaksina mARN, e cila është dëshmuar se kur kombinohet krijon përgjigjen më të mirë imunologjike.

Mirëpo tek qytetarët që kanë marrë vaksinën “Sputnik V” kanë lindur dyshime. Ata nuk janë të qartë nëse mund të marrin një përforcues nga Pfizer. Dilemat e tilla u intensifikuan pasi Ministrja e punës së Serbisë dhe anëtarja e shtabit të krizës, Darja Kisiq Tepavçeviq për televizionin H1 deklaroi se për të vaksinuarit me “Sputnik”, doza e tretë duhet të jetë nga prodhuesi rus.

Doza e tretë është e nevojshme për ta stimuluar dhe përforcuar sistemin imunitar. Përjashtim bën vetëm Sputnik. Nëse keni pranuar një vaksinë nga një prodhues rus që ka dy komponentë, i pari dhe i dyti, dhe nëse vendosni të merrni një dozë të tretë nga i njëjti prodhues, ajo duhet të jetë nga komponenti i parë”, precizoi ajo.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka vaksina ruse dhe asnjë qytetar nuk ka mundësi të vaksinohet për herë të tretë me “Sputnik V”. Nga Ministria e shëndetësisë për “Vërtetmatësin” thanë se për këta shtetas vlen i njëjti rekomandim i Komitetit nacional të imunizimit.

Personat që janë vaksinuar me vaksinën “Sputnik” si dozë të tretë do mund ta marrin vaksinën nga prodhuesi “Pfizer”, thonë nga Ministria.

Të dhënat nga Ministria e shëndetësisë tregojnë se deri më tani – deri më 27 tetor janë vaksinuar gjithsej 803.408 qytetarë, janë rivaksinuar 773.537, ndërsa dozën e tretë e kanë pranuar 24.021 qytetarë.

Mbulimi me vaksinim me një dozë të popullatës së rritur është 57 përqind, ndërsa dy doza kanë pranuar 46 përqind të qytetarëve mbi 18 vjeç. Sipas numrit të vaksinave të aplikuara, në vendin tonë është e vaksinuar 38% e gjithë popullsisë dhe 35% e popullsisë në vend ka marrë dy doza të vaksinës, informojnë  nga Ministria.

NUMRI MË I MADH I TË IMUNIZUARVE ËSHTË ME VAKSINAT KINEZE

Në 17.02.2021 në RMV filloi vaksinimi kundër KOVID-19.
Sipas raportit të Institutit të shëndetit publik (ISHP) deri më 24.10.2021 janë vaksinuar gjithsej 808.148 persona me të paktën një dozë të vaksinës kundër KOVID – 19, që është 31,9 përqind e popullsisë. Dy doza kanë pranuar gjithsej 771.749 persona. Me dozën e tretë janë vaksinuar 10.444 persona.

Deri më 24 tetor janë aplikuar më shumë se 1 milion e 590 mijë vaksina, nga të cilat pjesa më madhe janë vaksina kineze. Janë aplikuar mbi 486 mijë doza Sinovac dhe 300 mijë doza Sinopharm. Pastaj vjen vaksina Pfizer me 626 mijë doza, dhe vaksina AstraZeneca me më shumë se 130 mijë doza, ndërsa në fund është Sputnik V me 45.000 doza.

Sipas ISHP, dy doza të Pfizer kanë pranuar 297.432  persona,  Sinovac – 238.514 ,  Sinopharm – 150.009, AstraZeneca – 63.146 dhe Sputnik V-  22.648 qytetarë. Nga kjo del se me vaksinat kineze dhe me Sputnik V janë vaksinuar gjithsej 411.171 qytetarë, që është më shumë se gjysma e popullatës së imunizuar në vend.

Tabelë e të vaksinuarve, Foto: Vërtetmatësi

VAKSINA RUSE DHE KINEZE – KUFIZIME GJATË UDHËTIMIT JASHTË VENDIT

Mbi 400 mijë qytetarë të vaksinuar me këto tre vaksina, Sinopharm, Sinovac dhe Sputnik V – të cilat nuk janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) përballen me kufizime gjatë udhëtimit jashtë vendit. Pra, para çdo udhëtimi ata duhet të kontrollojnë me kujdes rregullat dhe kufizimet në vendin ku do të shkojnë dhe të shohin nëse certifikata e tyre e vaksinimit është e vlefshme.

„Vërtetmatësi“ bëri një analizë të rregullave në destinacionet më të shpeshta evropiane. Çfarë kushtesh nevojiten gjatë hyrjes, a pranohen të gjitha vaksinat të cilat aplikohen në vendin tonë dhe a duhet të karantinohen udhëtarët. Nga Ministria e shëndetësisë në një përgjigje të shkurtër na thanë se secili vend vendos vetë për kushtet gjatë udhëtimit. Edhe në faqen zyrtare të BE-së shkruan se para çdo udhëtimi duhet të kontrolloni nëse vendi i destinacionit tuaj e pranon vaksinën që e keni pranuar.

Kur bëhet fjalë për kufizimet e lëvizjes, shtetet anëtare duhet të pranojnë vetëm certifikatat e vaksinimit për vaksinat që janë miratuar në BE. Shtetet anëtare mund të vendosin të heqin kufizimet dhe të pranojnë një certifikatë të një vaksine tjetër, për shembull të vaksinave në listën e OBSH-së, por nuk kanë një detyrim të tillë. Nëse jeni vaksinuar me një vaksinë të pamiratuar në BE, ne ju këshillojmë që para udhëtimit të kontrolloni se cilat vaksina pranohen në shtetin anëtar drejt të cilit po udhëtoni, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Megjithatë, shumica e vendeve udhëhiqen nga parimi i zonës së gjelbër, portokalli dhe të kuqe, kështu që para se të udhëtoni duhet të kontrolloni se si klasifikohet Maqedonia e Veriut në vendin ku do të shkoni – si vend me rrezik të lartë, të mesëm ose të ulët, pasi që ky klasifikim ndryshon në varësi të situatës epidemiologjike.

Në këtë link mund të kontrolloni nëse një vend evropian pranon certifikatë vaksinimi me Sputnik, Sinovac apo Sinopharm. Kontrolli, për shembull, për Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Francën, Maltën, tregon se vaksinat Sputnik, Sinovac dhe Sinopharm atje nuk pranohen. Ata që janë vaksinuar me këto vaksina, edhe nëse pranojnë dozën përforcuese të Pfizer, do të përballen me kufizime dhe karantinim gjatë hyrjes në disa vende evropiane, të cilat i njohin vetëm vaksinat e miratuara nga EMA – Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Moderna, pra vetëm ato që kanë pranuar dy dozat e këtyre vaksinave konsiderohen plotësisht të imunizuar.

Belgjika

Мinistria e punëve të jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në ueb-faqen e saj lajmëron se Qeveria belge do zbatojë karantinim të udhëtarëve të cilët udhëtojnë drejt këtij vendi nga vende të zonës së kuqe, ndër të cilat është edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, nëse personat në fjalë nuk mund të plotësojnë disa kushte.

Nga 17 shtatori personat që nuk kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës, ose që nuk kanë dokument se janë shëruar nga Kovid-19, pas arritjes në Belgjikë nga vende të zonës së kuqe duhet t’i nënshtrohen karantinimit dhjetë ditor. Periudha e karantinimit mund të shkurtohet nëse rezultati i testit PCR i kryer në ditën e shtatë të karantinës rezulton negativ. Kjo kërkesë paraqet një obligim për personat e pavaksinuar të cilët duhet të testohen në ditën e parë dhe të shtatë pas ardhjes në vendet e BE-së/zonës së Shengenit nga vende të zonës së kuqe, ose nga zona e kuqe e listës së bardhë të vendeve jo evropiane, shkruan mes të tjerave në ueb – faqen e MPJ-së.

Belgjika ka numrin më të madh të qytetarëve të vaksinuar në Evropë. Atje, 8.5 milionë njerëz kanë pranuar dozën e parë dhe 84 përqind e të rriturve janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Certifikata e vaksinimit, sipas autoriteteve belge, vërteton se jeni plotësisht i vaksinuar kundër Kovidit nëse dozën e dytë e keni pranuar të paktën dy javë më parë dhe nëse vaksina të cilën e keni pranuar është e miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave. Në Belgjikë pranohen vaksinat e Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Janssen dhe Covishield.  Personat që nuk janë plotësisht të vaksinuar (dy doza në një interval kohor të caktuar të vaksinave të miratuara) ose nuk kanë një certifikatë që vërteton se e kanë kaluar sëmundjen jo më të vjetër se 180 ditë (6 muaj), pas mbërritjes në Belgjikë nga “zona e kuqe”, duhet t’i nënshtrohen një karantinimi dhjetëditor, që mund të shkurtohet nëse rezultati i testit PCR në ditën e shtatë është negativ.

Gjermania

Nga data  22.08.2021 Gjermania vendin tonë e klasifikoi  si rajon me rrezik të lartë të infektimit me Kovid-19, kështu që për hyrje në Gjermani nga Maqedonia e Veriut përsëri është paraparë karantinim dhjetëditor. Me dorëzimin e dëshmisë për vaksinim ose vërtetimit për shërim nga sëmundja përmes portalit për hyrje, karantinimi përfundon para kohës së paraparë. Gjithashtu mund të bëhet edhe test (antigjen ose PCR), por pasi të kenë kaluar të paktën pesë ditë nga dita e hyrjes në vend, ndërsa rezultati i testit mund të dorëzohet përmes portalit për hyrje.

Hyrja në RF të Gjermanisë për çdo qëllim tjetër, si vizita dhe turizëm, është e mundur vetëm për personat plotësisht të vaksinuar dhe vetëm me vaksina të njohura nga BE (Biontec / Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Moderna). Doza e dytë e vaksinës duhet të jetë pranuar të paktën 14 ditë para datës së udhëtimit.
Për personat që nuk janë vaksinuar, hyrja në Republikën Federale të Gjermanisë është e mundur vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe urgjente, kryesisht për arsye shëndetësore, siç
ishte edhe në të kaluarën.

Qytetarët të cilët janë vaksinuar me vaksinat ruse dhe kineze për “Vërtetmatësin” thonë se kanë kontaktuar Ambasadën Gjermane në Shkup, ku u është thënë se nuk do të mund të hyjnë në Gjermani dhe sikur të merrnin një dozë të tretë të “Pfizer”, sepse vetëm personat që kanë marrë dy doza të vaksinave të miratuara nga EMA konsiderohen si persona të vaksinuar plotësisht.

Italia

Me vendimin e fundit të autoriteteve italiane, vendi ynë është zhvendosur nga lista D në listën E, e cila nuk lejon udhëtime turistike për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Italisë. Në të njëjtën kohë, qytetarët tanë lejohen të hyjnë vetëm për: nevoja pune; urgjenca absolute; nevojat shëndetësore; për studime; për kthim në vendbanimin. Me hyrjen ose kthimin në Itali nga vendi ynë, është e detyrueshme të paraqitet: formulari i plotësuar online për vendndodhjen(dPLF), rezultati negativ i një testi molekular ose për antigjene, krahas të cilit i detyrueshëm është edhe vetëizolimi dhe mbikëqyrja shëndetësore për një periudhë prej dhjetë ditësh. Pas dhjetë ditësh izolim, detyrimisht duhet bërë një test i dytë molekular ose për antigjene.

Përjashtim nga vetëizolimi mundësohet për secilin që tranziton me makinë private në territorin e Italisë për një periudhë jo më të gjatë se 36 orë, me detyrimin që brenda atij afati kohor të largohet nga territori i vendit, në të kundërtën do i nënshtrohet vetëizolimit në adresën e shënuar në formularin për vendndodhjen e udhëtarëve në periudhë pesëditore dhe me përfundimin e kësaj periudhe të bëjë një test molekular ose për antigjene; për secilin që hyn në Itali për një periudhë jo më të gjatë se 120 orë për vizita zyrtare, për punë, për nevoja shëndetësore ose për ndonjë urgjencë, me obligimin që pas përfundimit të kësaj periudhe menjëherë të largohet nga vendi, ose, në të kundërtën do i nënshtrohet vetëizolimit në adresën e shënuar në formularin për vendndodhjen e udhëtarëve në periudhë pesëditore dhe me përfundimin e kësaj periudhe të bëjë një test molekular ose për antigjene. Tranzitimi në aeroport lejohet pa u larguar nga zona të veçanta të aeroportit. Fëmijët nën moshën gjashtë vjeç përjashtohen nga nevoja e kryerjes së testit molekular ose atij për antigjene.

Аustria

Për hyrje në Austri, çdo qytetar i vendit tonë duhet të sigurojë një nga dëshmitë e mëposhtme: vërtetimin e vaksinimit ose dëshmi se është shëruar nga Kovid-19, që është e vetmja mënyrë për të shmangur karantinimin (vetëizolimin) për 10 ditë. Karantina mund të ndërpritet pas 5 ditësh me një rezultat të ri negativ të testit PCR.

Nëse keni pranuar vaksinë me dy doza, duhet të tregoni se dozën e dytë e keni pranuar jo më shumë se 360 ​​ditë para mbërritjes në vend. Dëshmia e një testi negativ për Kovid-19, rezultatet e testit biologjik molekular (PCR) nuk duhet të jenë më të vjetra se 48 orë dhe rezultatet e testit për antigjene nuk duhet të jenë më të vjetra se 24 orë. Vërtetimi për shërim nga Kovid-19 nuk duhet të jetë më i vjetër se 180 ditë, shkruan në ueb-faqen e MPJ-së.

Në Austri mund të hyet me vaksina të pranuara nga Agjencia Evropiane e Barnave  –  „Pfizer“, „Moderna“, „AstraZeneca“ dhe  „Johnson&Johnson“, si dhe me vaksinat kineze të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë  –  „Sinopharm“ dhe  „Sinovac“.

Danimarka

Këto ditë Danimarka i lehtësoi rregullat për hyrje të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me vendimin e fundit të autoriteteve daneze, shtetasit tanë do mund të hyjnë në Danimarkë pa kufizime ose pa shkaqe valide, por duhet të paraqesin BE Certifikatë dixhitale që përfshin vërtetimin për vaksinim me vaksinat e miratuara nga EMA ose vërtetim për shërim nga sëmundja Kovid-19 jo më të vjetër se 12 muaj, ose një test PCR negativ.

Маltа

Për udhëtim në Maltë vërtetimi për vaksinim është i domosdoshëm, në përjashtim të vaksinës ruse dhe vaksinave kineze të cilat nuk pranohen, ndërsa personat që nuk kanë certifikatë vaksinimi duhet të dorëzojnë rezultate negative të testit PCR dhe t’i nënshtrohen karantinimit të detyrueshëm 14 ditor, pa dallim se nga cili shtet vijnë. Fëmijët në moshë nga 5 deri në 12 vjet gjithashtu duhet të kenë test PCR negativ (fëmijët nën 5 vjet janë të liruar nga ky detyrim), por që të udhëtojnë në Maltë do duhet të shoqërohen nga një person i rritur që ka vërtetim valid të vaksinimit.

Vendi jonë vazhdon të mbetet në listën e kuqe të vendeve të ndryshme, shkruan në ueb-faqen e MPJ-së.

Franca

Shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Francë mund të hyjnë pa kushtëzime shtesë nëse janë të vaksinuar me „Pfizer“, „Moderna“, „AstraZeneca“ ose „Janssen“, dhe nëse kanë kaluar 14 ditë nga pranimi i dozës së dytë. Duhet të dorëzojnë dëshmi për vaksinim dhe të plotësojnë deklaratë se nuk kanë simptoma të Kovidit ose nuk kanë pasur kontakt me person pozitiv me Kovid-19.
Personat e pavaksinuar gjatë hyrjes në Francë duhet të paraqesin një test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, test antigjen jo më të vjetër se 48 orë, t’i nënshtrohen karantinimit të detyrueshëm 7 ditor, të plotësojnë deklaratë për shkaqet e udhëtimit dhe qëndrimit në Francë, të plotësojnë deklaratë se nuk kanë simptoma të infektimit ose nuk kanë pasur kontakt me person pozitiv me Kovid-19, të japin pëlqimin e tyre për një test shtesë PCR ose antigjen gjatë hyrjes në territorin e Francës dhe të nënshkruajnë deklaratë se do e respektojnë karantinimin shtatëditor.

Greqia

Shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët hyjnë në Greqi janë të detyruar të kenë certifikatë vaksinimi (në greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht ose rusisht), së bashku me vërtetimin se kanë kaluar të paktën 14 ditë nga data e vaksinimit ose një test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, test të shpejtë negativ ose vërtetim se e kanë kaluar sëmundjen.

Vendi i jonë fqinj pranon certifikata për më shumë vaksina dhe atë për vaksinat: „Pfizer“, „Moderna“, „AstraZeneca“, „Janssen“, „Sinovac“, „Sinopharm“, „Sputnik V“, „Novavax“, „CanSino Biologics“ dhe „Covishield“.

Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut

Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për hyrje në Mbretërinë e Bashkuar u nevojitet vizë apo leje qëndrimi valide, shkruan në faqen e MPJ-së.

Nga 4 tetori i vitit 2021, Mbretëria e Bashkuar ka filluar me zbatimin e një sistemi të ri dy-tonësh të ndarjes së shteteve (lista e kuqe dhe jeshile), në vend të sistemit aktual me tre ngjyra (lista e kuqe, e bardhë dhe jeshile). Maqedonia e Veriut ka kaluar nga lista e bardhë në listën e gjelbër të vendeve. Rregullat për të udhëtuar në listën e gjelbër ndryshojnë në varësi të vaksinimit. Person i vaksinuar plotësisht është ai që ka marrë një vaksinë, certifikata e së cilës njihet nga MB. Lista e vaksinave dhe vendeve nga të cilat njihen certifikatat mund të shihet në këtë linkshkruan në ueb-faqen e MPJ-së.

Nga 11 tetori, Republika e Maqedonisë së Veriut është në listën e shteteve dhe territoreve nga të cilat në Angli njihen certifikatat e vaksinimit. Nëse një shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut hyn në Angli, ai mund të përdorë një certifikatë vaksine për të vërtetuar statusin e tij të vaksinimit, por duhet të ketë pranuar një nga vaksinat e mëposhtme të paktën 14 ditë para mbërritjes në Angli: Oxford AstraZeneca, Pfizer, Moderna, Janssen. Certifikata duhet të jetë në anglisht, frëngjisht ose spanjisht, të ketë të dhëna personale. Në të njëjtën kohë, para se të udhëtojë për në Angli, qytetari ynë duhet të rezervojë dhe të paguajë një test PCR për Kovid, i cili i bëhet ditën e dytë pas mbërritjes në Angli.

Individët që nuk janë vaksinuar plotësisht, ose që kanë pranuar një vaksinë certifikata e së cilës nuk njihet nga Britania e Madhe, duhet të kenë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë përpara udhëtimit, dhe pas mbërritjes në MB duhet të bëjnë dhjetë ditë vetëizolim, të testohen në ditën e dytë dhe të tetën. Nëse të dyja testet janë negative, vetëizolimi përfundon në ditën e dhjetë.

Nëse personat udhëtojnë drejt Uellsit, Skocisë ose Irlandës së Veriut, për ato ekzistojnë rregulla të tjera që mund të shihen në linqet në vazhdim:
– Për Uellsin: https://gov.wales/rules-foreign-travel-and-wales-coronavirus-covid-19-html
– Për Skocinë: https://www.gov.scot/publications/coronavirus-covid-19-international-travel-quarantine/pages/red-amber-and-green-list-countries/
–Për Irlandën e Veriut: https://www.nidirect.gov.uk/articles/coronavirus-covid-19-travel-advice

Zvicra

Nga gjysma e muajit shtator në Zvicër nuk është në fuqi ndalesa për hyrjen e shtetasve të vendeve të treta, përfshirë edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut, për qëndrim turistik ose për çfarëdo lloj qëndrimi, por vetëm me vërtetim/certifikatë se kanë pranuar 2 doza të vaksinës. Kushti për një test negativ (PCR ose Antigjen) nuk pranohet më si bazë për hyrje për këtë kategori personash.

Përveç vaksinave të njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave, në Zvicër mund të hyet edhe me vaksinat kineze “Sinopharm” dhe “Sinovac”, por jo edhe me rusen “Sputnik V”. Më shumë informacion mbi llojin e vaksinës dhe kushtet e hyrjes mund të gjeni në lidhjen e mëposhtme: https://travelcheck.admin.ch/check.

Nëse personi i plotëson kushtet për hyrje në Konfederatën Zvicerane, është e nevojshme të plotësojë formularin në faqen e internetit të Zyrës Federale të Shëndetit Publik të Zvicrës, ose më saktë në linkun e mëposhtëm, deri në 12 orë para hyrjes në Zvicër: https://swissplf.admin.ch/formula,  shkruan në ueb-faqen e MPJ-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button