Ukraina i shet gaz Moldavisë, pas mospajtimeve me Rusinë

Ukraina bëri të premten dërgesën e parë komerciale me gaz në Moldavinë fqinje.

Moldavia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme javën e kaluar, pasi kontrata e saj e gazit me Gazprom-in rus – furnizuesin më të madh të gazit natyror në Evropë – ka skaduar në fund të muajit të kaluar, ndërsa dy palët nuk kanë arritur të pajtohen për detajet e një marrëveshjeje të re.

Rusia ka kërcënuar se do t’i ndërpresë furnizimet me gaz në Moldavi në fund të vitit, nëse kontrata ekzistuese e gazit nuk zgjatet deri atëherë.

Firma shtetërore e energjisë e Ukrainës, Naftogaz, tha të premten se ka fituar tenderin për furnizimin e kompaninë shtetërore moldave, Energocom, me 500,000 metra kub gaz, transmeton REL.

“Naftogaz është gati të furnizojë Moldavinë me vëllimet e nevojshme të gazit”, tha kompania ukrainase, duke mos dhënë asnjë informacion për çmimin e rënë dakord.

Gazprom-i e ka zgjatur kontratën me Moldavinë deri në fund të tetorit, ndërsa e ka rritur çmimin në 790 dollarë për metër kub nga 550 dollarë sa ka qenë muajin e kaluar.

Rritja e çmimit ka shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se Rusia “po i përdor si armë” furnizimet me gaz.

Këtë javë, Brukseli i ka ofruar Moldavisë – njërit prej vendeve më të varfra të Evropës – 60 milionë euro ndihmë urgjente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button