Gara për Shkupin në balotazhin për zgjedhjet lokale

Në Maqedoninë e Veriut, të premten në mesnatë mbyllet fushata elektorale për balotazhin për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 31 tetor, raporton REL. Në rundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Në rundin e parë më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, ndërsa në dy të tjera votimi përsëritet për shkak të mosarritjes së pragut të nevojshëm të daljes në votime dhe anulimit të rezultatit në një vendvotim për shkak të parregullsive.

Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Semokrate(LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë mund ta realizojnë në 2,481 vendvotime.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve, LSDM-ja garon në 30 komuna me kandidatë të saj, VMRO DPMNE-ja në 25 komuna, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Përballja do të zhvillohet kryesisht ndërmjet kandidatëve të LSDM-së me ata të VMRO DPMNE-së në njërën anë dhe atyre të BDI-së me kandidatët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, si dhe të Lëvizjes BESA.

Beteja për Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal

Por, beteja kryesore në balotazh zhvillohet për Shkup, ku në garë janë Danella Arsovska, kandidate e pavarur që ka mbështetjen edhe të VMRO-së dhe të opozitës shqiptare dhe Petre Shilegov, kryetar aktual i Shkupit dhe kandidat i LSDM-së, që mbështetet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Fushata mes tyre, por edhe partive që i mbështesin, është përqendruar në një dokument që ka publikuar LSDM-ja me pretendimin se Danella Arsovska ka shtetësi bullgare, andaj edhe ka kërkuar dorëheqjen e saj nga gara për Shkupin, pasi sipas Shilegovit, Shkupi nuk mund të drejtohet nga dikush që e mohon përkatësinë etnike.

“Unë nuk kam asgjë kundër që dikush të ndihet si bullgare apo të ketë letërnjoftim bullgar, por jam kundër kur dikush këtë tenton ta fshehë apo t’i gënjejë qytetarët. Një njeri që ikë nga e kaluara e tij, si mund t’u garantojë të ardhme qytetarëve të Shkupit”, ka deklarua Petre Shilegov, kandidat për Shkupin nga LSDM-ja.

Por, Danella Arsovska i ka mohuar pretendimet e tilla, ndërsa ka akuzuar pushtetin se po udhëheq “fushatë të fëlliqur” ndaj saj.

“Unë në Shkup jetoj tani 42 vjet. Unë jam shkupjane, jam maqedonase. Ata nuk zgjedhin mjete të më sulmojnë pasi po e shohim me sy humbjen në zgjedhje. Për të gjitha sulmet që më kanë bërë, me gjithë këto të pavërteta do të përballen me organet e ndjekjes që ditën e hënë kur pres edhe të mbajnë premtimin se do të dorëhiqen”, ka deklaruar Arsovska.

Ajo në rundin e parë ka marrë rreth tetë mijë vota më shumë se kundërkandidati i saj, Petre Shilegov. Shkupi, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me dhjetë komuna urbane ka rreth 800 mijë banorë, bazuar sipas një statistike të vitit 2015.

Në rundin e parë, VMRO DPMNE-ja ka fituar në pesë komuna të Shkupit, ndërsa LSDM-ja në asnjë prej tyre.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë në disa raste se nëse LSDM-ja humb në Shkup, atëherë më nuk do ta drejtojë qeverinë, duke paralajmëruar dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit.

Kryeministri Zaev në ditët e fundit të fushatës ka ftuar popullatën që të dalë në zgjedhje për të parandaluar, siç ka thënë, kthimin e vendit “në të kaluarën e errët” duke e përshkruar kështu periudhën e qeverisjes së vendit para vitit 2017 kur qeveria drejtohej nga ish-kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski.

Opozita maqedonase, por edhe ajo shqiptare, kanë paralajmëruar se pas zgjedhjeve do të formojnë shumicë të re parlamentare duke e larguar LSDM-në dhe BDI-në edhe nga pushteti qendror.

Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, pretendimet e Zaevit i ka quajtur “manifestim të frikës” për humbjen e pushtetit, por edhe si “frikësim të popullatës” me pohime që, sipas tij, nuk kanë të bëjnë me realitetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button