fbpx

Nuk është aspak e vërtetë se uji me krip shëron Koronavirusin

Rrjetet sociale mbeten shpërndarësit më të mëdhenj të dezinformatave. Së fundi në rrjetet sociale po qarkullon një përmbajtje e cila pretendon se COVID19 mundet të mjekohet duke konsumuar ujë me kripë. Në fakt, kjo është një dezinformatë e vjetër pasi në fillim të pandemisë të tilla informacione shpërndaheshin edhe më shumë. Megjithatë, kjo dezinformatë ka tërhequr interesin e shumë njerëzve. 

As që e paskemi ditur që kjo përbërje kaq e lehtë qenka shërimi i koro.navirusit për personat të cilat kanë shenja, është titulli i përmbajtjes që recensojmë. Përmbajtja fillimisht është publikuar nga portali me emrin “Lajme Ditore”, në janar të vitit 2021 ndërsa sërish, pak ditë më parë është shpërndarë në rrjetet sociale nga një faqe po me të njëjtin emër.

Në “Facebook” përmbajtja ka grumbulluar qindra pëlqime si dhe komente ku thuhet se njerëzit e kanë aplikuar këtë metodë gjatë pandemisë por që nuk e kanë ditur se është kaq “efektive”.

Titulli i përmbajtjes pretendon se ka një mënyrë shumë të thjeshtë se si mundet të shërohet koronavirusi, në brendi të tekstit thuhet se kjo përmbajtje është ujë me krip megjithatë në tekst theksohet se kjo përbërje lehtëson kollën dhe ftohjen por askund nuk vërtetohet se shëron nga COVID19.

Akoma nuk ka një ilaç apo trajtim konkret që shëron plotësisht COVID19

Aktualisht nuk ka një kurë konkrete për COVID-19. Qëllimi i trajtimit të pacientëve me COVID19 është të menaxhojë dhe reduktojë simptomat derisa pacienti të jetë shëruar. Shumica e njerëzve – rreth 80% – kanë një infeksion asimptomatik ose të lehtë që mund të trajtohet në shtëpi. Sipas OBSH-së, personat të cilat kanë simptoma të lehta të COVID19, mundet të trajtohen në shtëpi duke pushuar mjaftueshëm, duke pirë sa më shumë lëngje dhe duke marr medikamente për të lehtësuar ethet dhe dhimbjen. Megjithatë, shkencëtarët vazhdojnë të punojnë shumë për të zhvilluar trajtime të tjera efektive.

Në tetor të këtij viti, kompania farmaceutike “Merck” publikoi rezultatet premtuese të studimit të tyre mbi një ilaç antiviral oral për trajtimin e COVID-19. Ilaçi antiviral, i quajtur “molnupiravir”, uli ndjeshëm rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekjes tek njerëzit me COVID-19 të lehtë ose të moderuar. Nëse FDA e autorizon ose e miraton këtë medikament, “molnupiravir” do të jetë trajtimi i parë për COVID-19 që mund të merret nga goja në fillim të rrjedhës së infeksionit për të zvogëluar ashpërsinë e sëmundjes.

Cilët janë terapitë që përdoren për trajtimin e COVID19?

  • Dexamethasone

Që nga fillimi i pandemisë, shumë mjekë, përfshirë ata në Shtetet e Bashkuara, kanë trajtuar pacientë të sëmurë rëndë me COVID-19 me kortikosteroide. Ky trajtim ka kuptim biologjik për ata pacientë që kanë zhvilluar një përgjigje hiper-imune ndaj infeksionit viral. Në këto raste, është reagimi i tepërt i sistemit imunitar që dëmton mushkëritë dhe organet e tjera, dhe shumë shpesh çon në vdekje. Dexamethasoni dhe kortikosteroidet e tjerë (prednisone, metilprednizolon) janë barna të fuqishme anti-inflamatore. Ato janë lehtësisht të disponueshme dhe të lira. Udhëzimet e trajtimit të NIH COVID-19 rekomandojnë përdorimin e dexamethasone në disa njerëz të shtruar në spital me COVID-19 të rëndë

  • Tocilizumab

FDA ka dhënë autorizimin e përdorimit urgjent për medikamentin tocilizumab (Actemra). Ky medikament përdoret për trajtimin e të rriturve të shtruar në spital dhe fëmijëve mbi 2 vjeç, të cilët pranojnë kortikosteroide sistemike si deksametazon, dhe që kërkojnë oksigjen shtesë, ventilim mekanik. Tocilizumab është një antitrup monoklonal, tashmë i miratuar nga FDA për të trajtuar disa sëmundje autoimune. Disa pacientë me COVID sëmuren më shumë për shkak të një reagimi të tepruar të përgjigjes imune të trupit (një stuhi citokine) ndaj infeksionit viral. Kur kjo ndodh, trupi mbiprodhon interleukin-6 (IL-6) – një proteinë e përfshirë në inflamacion – në qelizat e mushkërive. Tocilizumab bllokon veprimin e IL-6, dhe në këtë mënyrë zbut përgjigjen e ekzagjeruar të sistemit imunitar.

Tocilizumab nuk është i autorizuar për përdorim në pacientët jo të shtruar në spital me COVID-19.

  • Remdesivir

Remdesivir (Veklury), është një tjetër ilaç që mund të zvogëlojë rrezikun e shtrimit në spital kur jepet herët në rrjedhën e infeksionit. Por remdesivir duhet të jepet intravenoz në një mjedis mjekësor.

Në tetor 2020, FDA miratoi ilaçin antiviral remdesivir për të trajtuar COVID-19. Ilaçi mund të përdoret për të trajtuar të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç, të cilët janë shtruar në spital si pasojë e  COVID-19. Provat klinike sugjerojnë se në këta pacientë, remdesivir mund të përshpejtojë kohën e rikuperimit.

  • Medikamente antikoaguluese (“hollues gjaku”)

Pothuajse të gjithë pacientët me COVID19 të shtruar në spital marrin medikamente për të ndihmuar në parandalimin e mpiksjes së gjakut. Mjekët zakonisht përshkruajnë dozë të ulët të heparinës ose enoksaparinës. Megjithatë, disa pacientë kërkojnë doza të plota të antikoagulantëve nëse tashmë kanë zhvilluar mpiksje gjaku ose kanë një rrezik të lartë për ta bërë këtë. Mjekët gjithmonë duhet të balancojnë rrezikun e gjakderdhjes së rrezikshme kur përshkruajnë doza të plota.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button